21Shtator2017

Akademik Idriz Ajeti

Sipas Akademik Idriz Ajetit, emërtimi i fshatit të tij të lindjes, Tupallës, nuk është emërtim sllav, siç pretendojnë disa, por është emërtim me prejardhje latine “TUFOS” që do të thotë Guri i butë (i mirë për punim).

Idriz Ajeti u lind më 26 qershor 1917 në TUPALLË të Medvegjës. Shkollën fillore e kreu në Tupallë – Sjarinë(afër Xhamisë te shkolla e vjetër) dhe në Banjë të Sjarinës.

 

Pas përfundimit të shkollës fillore, ai vendos që mësimet t’i vazhdoj në Medresenë e Madhe të Shkupit, ku edhe e përfundon shkollën e mesme.

Ai i regjistroi studimet në Zagreb të Kroacisë, për t’i vazhduar pastaj në Itali për dy vjet radhazi, ndërkaq diplomoi në Beograd të Serbisë në degën e albanologjisë.

Pasi i përfundoi studimet, punoi në Prishtinë për dy vjet radhazi në Gjimnazin “Sami Frasheri” si profesor. Me themelimin e Universitetit të Prishtinës në vitin 1960, Akademik Idriz Ajeti emërohet profesor në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe.

Në vitin 1962, pas themelimit të Fakultetit Filozofik, Idriz Ajeti themeloi revistën shkencore me titull “Gjurmime Albanologjike”.

Nga viti 1970 deri në vitin 1971 emërohet Dekan i Fakultetit Filozofik, siç quhej në atë kohë ky Fakultet. Po ashtu, nga viti 1973 deri në vitin 1975 ishte Rektor i Universitetit të Prishtinës.

Qe një kohë të gjatë, Idriz Ajeti punon edhe në Institutin Albanologjik të Kosovës, ku për dy herë ishte drejtor i këtij Instituti. Nga viti 1994, në Akademinë e Arteve dhe Shkencave të Kosovës, është kryeredaktor i revistës shkencore “STUDIMI”

Akademik Idriz Ajeti kontribuoi shumë në lëmin e albanologjisë, duke botuar disa tituj shkencorë si:

-Historia e Gjuhës – fonetikë historike
-Çështja e prejardhjes së Gjuhës
Ka shkruar edhe libra të shumta si:
-Studime gjuhësore në fushë të shqipes 1,2,3,4,5
-Shqiptarët dhe Gjuha e Tyre, etj.

Akademik Idriz Ajeti tani punon si kryeredaktor i revistës shkencore “STUDIMI”, si dhe është në përpunim të disa titujve tjerë shkencor.
Për kontributin e madh që e dha Akademik AJETI në fushën e Albanologjisë, në 90 vjetorin e lindjes së tij, u dekorua me “Çmimin Presidencial për Studiues” nga ish presidenti i Republikës së Kosovës Dr. Fatmir SEJDIU.

Pergatiti: Burim UKA