22Korrik2017

Bafti Krasniqi

BAFTI KRASNIQI, MËSUES I POPULLIT

1937 – 1983

 

 

Mësuesi i Popullit – Bafti Krasniqi lindi në lagjen Vllasë të Gërbacit të Medvegjës më 1937, në një familje të varfër, por aktive gjatë shumë dekadave, me ndjenja dhe zemër shqiptare.

Shkollën fillore katërvjeçare e kreu në gjuhën serbe në Ramabajë, ndërkaq më pastaj mësimet i vazhdoi në gjuhën shqipe në Hogosht, fshat ky në Kosovë, të cilin vetëm vija kufitare e ndan me Medvegjën.

Semimaturën e kreu në vitin 1954, me sukses të shkëlqyeshëm, edhe pse në kushte mjaft të vështira materiale.

Në shtator të të njëjtit vit, në fshatin Gërbac, Baftiu ia filloi punës si mësues i parë me mësim në gjuhën amtare shqipe në tërë trevën e komunës së Medvegjës.

Në Lisockë të Kamenicës punoi si mësues gjatë viteve 1956-1957.

U kthye përsëri në vendlindje, pasi e mbaroi shërbimin ushtarak, meqë, si duket, vetëm aty ishte tamam vetvetja.

Në vitin 1963 u regjistrua në Shkollën dyvjeçare të Normales së Gjilanit, të cilën e përfundoi me sukses.

Gjithashtu ishte mësuesi i parë që e udhëhoqi mësimin në gjuhën shqipe të klasës së pestë në Banjë të Siarinës, në vitin 1965. Por, menjëherë pas kësaj u kthye në fshatin Gërbac, ku punoi deri në vitin 1971.

Nga posti i mësuesit më vonë kaloi në Medvegjë, ku punoi si përkthyes, referent për çështjen e arsimit në Medvegjë.

Po ashtu, u angazhua për hapjen e mësimit në gjuhën shqipe, për herë të parë në komunën e Medvegjës, gjë që e arriti në vitin 1976, me hapjen  katërvjeçares së plotë.

Bafti Krasniqi ishte edhe nënkryetar i Komunës së Medvegjës.

Pas shumë peripecive dhe me gjithë refuzimin e organeve komunale që të ketë shkollim të mëtutjeshëm në gjuhën shqipe, megjithatë ia doli që ta hapë për herë të parë edhe klasën e pestë me mësim në gjuhën shqipe. Pas këtij angazhimi kombëtar për dituri e përparim të shqiptarëve të kësaj treve, atë e përjashtuan nga ish-Lidhja Komuniste, në shenjë pakëknaqësie nga pushteti për angazhimin e tij kombëtar.

Vdiq në moshë mjaft të re, në vitin 1983, në Medvegjë, duke lënë pas vetes shumë shokë, miq e dashamirë.

Bafti Krasniqi edhe sot e kësaj dite kujtohet me respekt të madh nga popullata e komunës së Medvegjës, prandaj me të drejtë e mori epitetin Mësues i Popullit, të cilin e kriojoi vetë gjatë punës së tij për vite të tëra. Mësuesi ynë i nderuar la gjurmë të pashlyeshme. Ai do të mbetet në historinë tonë kombëtare si njeri, i cili tërë jetën ua kushtoi të drejtave të shqiptarëve dhe arsimit shqip.