21Nëntor2017

Intervistë me liderin e PVD-së, Riza Halimi

Intervistë me deputetin shqiptar në parlamentin e Republikës së Serbisë, njëherit liderin e PVD-së, Riza Halimi.

Zotëri Halimi çfarë është mesazhi juaj për hir të Një Majit në Medvegjë?

Riza Halimi : Tubimi është tradicional dhe këtu e ka vlerën e madhe. Kjo traditë vazhdon falë organizatorëve por edhe interesimit të madh të medvegjasëve që për këtë ditë vijnë nga Kosova por edhe nga vendet e tjera ku janë shpërngulur. Sot numri ishte më i vogël për shkak të problemeve me qarkullimin e lirë që është një paradoks që në këtë kohë edhe pas bisedave në Bruksel të kemi probleme të tilla, por shpresojmë që pas këtyre ankesave dhe kërkesave që medvegjasit, Presheva dhe Bujanoci, e tërë Lugina e Preshevës është duke i adresuar në drejtim të Beogradit por edhe në drejtim të Prishtinës problemet në qarkullim të evitohen së shpejti edhe ti kthehet shkëlqimi këtij manifestimi dhe shpresojmë që vitin e ardhshëm të jetë më masovik se në të kaluarën. Definitivisht ato premtimet dhe dëshirat për kthimin e popullatës të dëbuar gjatë luftës, të shpërngulur më vonë, të kemi së paku një fillim të këtij kthimi, ka resurse këtu, vetëm duhet ndihmë së pari nga qeveria në Beograd por shpresojmë të kemi ndihmë edhe nga qeveria e Prishtinës dhe nga Bashkimi Europian që këto pasuri që i ka dhënë Zoti të shfrytëzohen sepse Medvegja dallohet me pasuritë e saj, me resurset për blegtori por edhe për turizëm që këtu ka shans të madh.

 

Sa vërehet mungesa e pjesëmarrjes së përfaqësuesve të Luginës së Preshevës në bisedimet Beograd-Prishtinë?

Riza Halimi : Pyetja është me vend. Ne kishim kërkesa të tilla që të jemi pjesëmarrës në këto biseda dhe mungesa e pjesëmarrjes së përfaqësuesve të Luginës së Preshevës në këto biseda po reflektohet me gabime që po reflektohen shumë dëmshëm në terren. Së paku të jemi pjesë e konsultimeve, nëse jo drejtpërdrejt do të kishim sygjeruar që polisat e sigurimit për këtë kohë janë të papranueshme. Janë aq të larta sa që nuk i ka askush në botë, mirëpo ka gabime që shkaktojnë probleme edhe më të mëdha, momentalisht ato po i pësojnë Presheva dhe Medvegja meqë vetëm dy pikat në veri, Merdarja dhe Konçuli janë paraparë për qarkullim të plotë. Po e shohim se autobusat me targa të Kosovës nuk mund të hynë në vendkalimin kufitar në Mutivodë, nuk mund të hynë as në Preshevë dhe këtu duhet të bëhet një lëvizje prej 250 kilometrash për t’u shfrytëzuar Konçuli apo Merdarja. Kjo është e papranueshme. Kjo duhet shumë shpejt të zgjidhet por tani janë problem zgjedhjet në Serbi dhe pritet që pas zgjedhjeve të vazhdojë një cikël i ri i bisedave në Bruksel dhe shpresoj që të përmirësohen gabimet e deritanishme dhe që së paku qarkullimi i lirë të mos pengohet dhe mandej të shikohet për çështjet tjera jetike për të cilat ka nevojë dhe urgjencë që të zgjidhen, në radhë të parë në Medvegjë. Medvegja është në prag të spastrimit te madh etnik, edhe atë në shekullin XXI.

Sa i përket bisedimeve Beograd-Prishtinë, a mendoni se marrëveshjet e arritura do të zbatohen në të ardhmën?

Riza Halimi : Ka telashe të mëdha. Po e shohim se sa është vështirë të arrihet marrëveshja edhe probleme më të mëdha dalin në zbatim. Ma merr mendja se pas zgjedhjeve në Serbi nuk do të ketë asnjë arsyetim që ajo që është arritur në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, rezolutë që ishte shkaktare për fillimin e bisedave, e ajo ka të bëjë me atë që të dy palët duhet të ulen dhe t’i zgjidhin problemet praktike të njerëzve në terren. Ndër ato probleme janë më të rëndësishmet ato që ne i kemi dhe besoj se në këtë drejtim do të ketë një ndjesi dhe përgjegjësi më të madhe edhe nga qeveria në Beograd por edhe në Prishtinë që edhe çështjet tona të zgjidhen më seriozisht.

Jemi në prag të zgjedhjeve. Çfarë është mesazhi juaj për pjesëmarrjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në zgjedhjet e 6 majit?

Riza Halimi : Ne kemi listat e shumë partive për zgjedhje lokale edhe në Preshevë edhe në Bujanoc. Këtu në Medvegjë është vetëm lista e Partisë për Veprim Demokratik por kemi edhe listën e Koalicionit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës ku nuk kemi arritur ti tubojmë të gjitha partitë mirëpo 4 subjekte që tubojnë në Luginë të Preshevës mbi 60% të elektoratit dhe atëherë unë jam i bindur se do ta përsërisim rezultatin në nivel qëndror që kemi pasur dy zgjedhjet e fundit ku kishim një përfaqësues, por do të ishte shumë më mirë ti kishim dy po të ishim unikë. Do të ishte reale ti kemi dy përfaqësues por ma merr mendja që edhe me një përfaqësues në foltorën e një parlamenti shtetëror ka mundësi të vazhdohet me senzibilizimin e çështjes shumë të rëndë të shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Medvegja këtu është një kaptinë e veçantë se këtu një kohë të gjatë po ushtrohet thjeshtë një presion, një shpërngulje që ka përmasat e spastrimit etnik dhe këtu duhet në mënyrë urgjente të ndërmirren masat për ndërprerjen e këtij procesi dhe për krijimin e kushteve për jetë normale./Shkruan: Fidan Kosumi – medvegja.net/