22Korrik2017

Intervistë me ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Beograd, Shpëtim Çaushi.

Intervistë me ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Beograd, Shpëtim Çaushi.

Medvegjë më 28 Prill(medvegja.net)

Zotëri ambasador, çfarë ishte qëllimi i vizitës suaj sot në Medvegjë?

Shpëtim Çaushi:Vizita ishe jo vetëm interesante për të parë Medvegjën që natyra i ka dhuruar shumë bukuri dhe avantazhe por ajo ishte e rëndësishme për të vëzhguar se si popullata shqiptare punon, jeton bashkë me pjesën serbe, si është bashkëjetesa mes tyre, si komunikojnë me njëri tjetrin, çfarë vështirësish ka, si respektohen të drejtat e shqiptarëve në këtë pjesë, çfarë mundësi ka për zhvillimin e Medvegjës që të ketë një motivacion që popullata shqiptare të qëndrojë dhe të ketë satisfakcionin e vetë në punë dhe në jetë. Gjithashtu e ka rëndësinë edhe pjesa e bashkëjetesës me palën serbe që jetojnë në një komunë e cila ka përjetuar çaste të vështira në të kaluarën por që mendojmë se në çështjet integruese europiane secila nga palët është e ndërgjegjshme që përveç bashkëjetesës së tyre duhet të shikojnë perspektivën, duhet të bashkëpunojnë në këtë proces të integrimit europian.

 

Ju mes tjerash keni vizituar shkollat në komunën e Medvegjës, jeni të njoftuar se viteve të fundit shumë familje nga komuna e Medvegjës janë zhvendosur, numri i nxënësve nëpër shkolla është gjithnjë më i vogël, se ky problem po bëhet evident dhe se disa shkolla janë në prag të mbylljes? Çfarë është vlerësimi juaj?

Shpëtim Çaushi:Kjo është një çështje shumë e madhe dhe është për të ardhur keq. Në shkollën që vizitova sipër në Tupallë ku nga 250 nxënës që ajo ka pasur, që është pjesa më kulmore, më e lartë e Medvegjës, më malore do të thoja, tani kanë mbetur vetëm 24 nxënës. Kjo sigurisht brenda vetëvetës përmban një dramë por që mësuesit, të gjithë edhe vetë nxënësit ishin të angazhuar për të mësuar gjuhën e tyre amtare, kulturën por në kushte të një zvogëlimi evident të shqiptarëve apo nxënësve që kanë banuar në këtë zonë.

Çfarë mund të presin shqiptarët që jetojnë këtu nga shteti amë, çfarë mbështetje lidhur me zgjidhjen e këtij problemi?

Shpëtim Çaushi:Shqipëria i përmbahet një politike shumë të qartë. Sigurisht se ajo duhet të jetë më prezente dhe se është prezente veçënarisht në komunat Bujanoc, Preshevë duke ndihmuar veçënarisht për çështjen e arsimit. Sikurse jeni informuar në këto dy komuna është me rëndësi që jo vetëm po punohet me librin në gjuhën shqipe duke filluar nga abetarja dhe tekste të tjera shkollore të klasave të ndryshme, por këtë duhet bërë edhe në Medvegjë. Medvegja duket si një vend i harruar. Kryetari i Këshilli Nacional Galip Beqiri më shoqëronte sot në këtë vizitë dhe preokupimi i këtij këshilli që merret shumë me edukimin ishte që edhe këtu të ketë po të njëjtin indikacion që ka edhe në komunat e tjera. Ne si Shqipëri do të jemi më pranë, në problemet që përballohen këtu, me respektimin e të drejtave sipas konventave europiane, të drejtat e njeriut, të drejtat e minoriteteve. Ne ia shprehëm kryetarit të Këshillit të komunës së Medvegjës që Shqipëria i përmbahet pikëpamjes që minoritetet dhe maxhoritetet kudo që ndodhen të kenë satisfakcionin e tyre deri në procesin e integrimit europian. Prandaj duhet kooperuar edhe me Qeverinë në Beograd për të përballuar këto probleme, ne jemi gati për të bërë një marrëveshje shtetërore midis dy vendeve Shqipëri-Serbi për çështjen e librave, për çështjen e teksteve shkollore dhe mësimore, sepse dihet që prej vitesh ato kanë munguar në zonat ku banojnë shqiptarët.

Jemi në prag të zgjedhjeve lokale dhe parlamentare. Çfarë është qëndrimi Juaj për pjesëmarrjen e shqiptarëve në këto zgjedhje?

Shpëtim Çaushi:Qëndrimi i Shqipërisë është i qartë, neve si dhe i demokracive të mëdha europiane, që shqiptarët në vend të bojkotit të ofrojnë pjesëmarrjen aktive në zgjedhjet e 6 majit. Ka një shembull të mirë që Koalicioni ka përkrahur këtë pjesëmarrje dhe unë mendoj që të gjithë shqiptarët duhet të futën, sepse nëpërmes fjalës së tyre, nëpërmes votës së tyre ata kanë mundësi edhe të jenë prezentë në administratë edhe të mbrojnë të drejtat e tyre brenda institucioneve të shtetit të Serbisë. Parullat me karakter ekstremist dhe bojkoti nuk i shërbejnë pikërisht këtij qëllimi që shqiptarët të shprehen në mbrojtjen e të drejtave të tyre. Ata do ti shprehin brenda institucioneve, brenda ambienteve ku jetojnë, brenda standardeve të konvetave europiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut./Intervistoi : Fidan Kosumi – medvegja.net/