22Korrik2017

Intervistë me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli

ISMAJLI: ÇDO QYTETAR DO TË TRAJTOHET NJËJTË NGA INSTITUCIONET

Prishtinë, 5 qershor(medvegja.net)

Z.Fadil Ismajli, ministër i Zhvillimit Ekonomik, ekskluzivisht për portalin medvegja.net flet për programin e AKR-së, për arritjet e tij si ministër, si dhe për planet e tij për të ardhmen

medvegja.net:nderuar ministër, na lejoni që në emër të lexuesve të revistës “Zëri i Medvegjës” dhe të organizatës “Medvegja Forum”, përkatësisht portalit medvegja.net, t’jua urojmë për zgjedhjen tuaj si nënkryetar i Aleancës Kosova e Re, si dhe për kandidimin tuaj për deputet në Parlamentin e Republikës së Kosovës. Ju jeni medvegjasi i parë me këto arritje. Si e ndieni veten me këtë fakt?

 Fadil Ismajli: Fillimisht dua t’ju falënderoj që arritjet e mia ju gëzojnë edhe ju si bashkëvendës të mi, sikur që çdo arritje timen e shoh pjesë të pandashme nga ju. Siç e dini, mua prej kohësh më janë besuar punë me përgjegjësi të mëdha, të cilave besoj ua kam dalë t’i drejtoj me sukses. Prandaj, edhe zgjedhja si zëvendëspresident i AKR-së dhe hyrja në garë për deputet në Parlamentin e Kosovës janë vazhdimësi e projekteve prej të cilave mendoj të realizoj punë të suksesshme, produktet këto të cilave do t’u gëzohen të gjithë qytetarët. Hyrja ime në politikë ka të bëjë me dëshirën që t’i ndihmoj të gjithë qytetarët dhe të ndikoj që mirëqenia e tyre të jetë më e mirë.

 medvegja.net: A mund të na e përshkruani në pika të shkurtra se çka përmban programi politik dhe ekonomik i AKR-së dhe çfarë dallon ky program nga ato të partive tjera ?

 Fadil Ismajli: Programi i AKR-së është një program gjithëpërfshirës socio-ekonomik, duke përfshirë edhe të gjitha fushat e jetës shoqërore dhe institucionale. Programi ynë dallon nga programet e partive tjera në atë se edhe është gjithëpërfshirës, por edhe në atë se është i realizueshëm dhe ambicioz, njëkohësisht. Mbi të gjitha, programi ynë është i fokusuar në zhvillimin ekonomik, sepse kur e kemi zhvillimin ekonomik krijojmë parakushte për zhvillim të të gjitha fushave tjera, siç janë arsimi, shëndetësia, kultura, arti, dhe fushat tjera shoqërore. Ne si AKR besojmë se themel i mirëqenies së qytetarëve janë investimet në të gjitha sferat e jetës, duke përfshirë arsimin, shëndetësinë, por me fokus në zhvillimin ekonomik, siç janë energjia, bujqësia, miniera dhe industritë përpunuese dhe shërbyese suportuese. AKR është parti origjinale që di ta harmonizojë besimin liberal me patriotizmin modern. Po ashtu, ne dimë që në harmoni më miqtë tanë ndërkombëtarë ta realizojmë ëndrrën tonë për një bashkim, i cili jemi të bindur se nis nga ekonomia dhe këtë AKR-ja tashmë është duke e realizuar dhe shembull për këtë është marrëveshja për treg të përbashkët të energjisë, si dhe nënshkrimi i linjës së intrekonjeksionit 400 kW me Shqipërinë.

 medvegja.net: Në rast të fitores së AKR-së, përkatësisht udhëheqjes së sektorit ekonomik, a mund të presin qytetarët e Kosovës rritje ekonomike më të lartë sesa gjatë periudhave të qeverive të kaluara?

 Fadil Ismajli: Ne jemi të bindur se qytetarët tashmë e kanë kuptuar se AKR-ja është e vetmja zgjidhje, e cila di ta drejtojë vendin drejt perspektivave të reja, të cilat do ta përmirësojnë jetën e qytetarëve, fillimisht.Programi ynë bazohet në zhvillim ekonomik dhe rrjedhimisht pritet një rritje e përshpejtuar ekonomike, që do të nxisë punësim dhe zhvillim më të hovshëm

 medvegja.net: Cilat do të jenë objektivat tuaja primare gjatë qeverisjes së ardhshme?

Fadil Ismajli: Prioritetet i mia janë finalizimi i projekteve energjetike, siç janë TC “Kosova e Re”, zhvillimi i projekteve të efiçiencës dhe burimet e ripërtërishme. Pastaj zhvillimi i kompanisë “Trepça”, si dhe zhvillimi i industrive përpunuese dhe shërbyese që lidhen me zhvillimin e industrisë minerare. Pasuritë natyrore të Kosovës do të mbeten pasuri e popullit të Kosovës. Gjithashtu, ristrukturimi i sektorit publik dhe i ndërmarrjeve publike, me shërbime sa më cilësore ndaj publikut. Një çështje kyçe është edhe privatizimi, ku do të bëhet rishikimi i këtij procesi dhe privatizimi do të vazhdojë të bëhet në bazë të vlerësimit të programit zhvillimor dhe punësimit që do të krijojë ndërmarrja e re, e jo vetëm privatizim kaotik dhe që nuk sjell rezultate e bëhet qëllim i vetvetes etj.

 medvegja.net: Si do ta zvogëlojë AKR-ja deficitin tregtar dhe çfarë planifikoni të bëni për ta zvogëluar normën e papunësisë, me theks të veçantë në mesin e të rinjve?

 Fadil Ismajli: Deficiti tregtar i Kosovës është shumë i lartë, ku eksporti e mbulon vetëm një pjesë të vogël të eksportit, që d.m.th. se ekonomia jonë është shumë e bazuar në import dhe në aktivitete tregtare, e shumë pak prodhuese. Prandaj, politikat tona zhvillimore janë të orientuara drejt forcimit të sektorit prodhues, zëvendësimit të importit dhe rritjes së eksportit. Në këtë mënyrë, duke bërë forcimin e ekonomisë sonë dhe duke e forcuar sektorin prodhues, ne jo vetëm krijojmë vende të reja pune, por edhe e ulim deficitin tregtar, që d.m.th. se krijohet më shumë pasuri në vendin tonë dhe për vendin tonë.

 medvegja.net: Çfarë politikash qeveritare do të ndërmerrni në të ardhmen për t’i përmirësuar aftësitë konkurruese të bizneseve kosovare dhe për ta rritur eksportin?

 Fadil Ismajli: Si e thashë më herët, ne jemi të vendosur që ta përkrahim ekonominë tonë, e në këtë rrafsh edhe bizneset tona. Prandaj, do të ndërmarrim një sërë masash për t’i mbështetur ndërmarrjet tona, qoftë në lehtësimin e barrës fiskale, qoftë me qasje më të lehtë në programet financuese zhvillimore, rritjen e shkathtësive të fuqisë punëtore, rritjen e cilësisë së produkteve të ndërmarrjeve tona, në mënyrë që ato të jenë në gjendje të jenë konkurruese edhe në cilësi, por edhe në çmim me produktet e importuara, por edhe depërtimin në tregjet e jashtme, pra eksport. Gjithashtu, do të punojmë vazhdimisht edhe në lehtësimin e procedurave burokratike ndaj bizneseve, e siç e dini, si rezultat i dikastereve që i ka udhëhequr AKR-ja, Kosova ka shënuar një përmirësim të dukshëm në raportin e Bankës Botërore.

medvegja.net: Në cilësinë e nënkryetarit të AKR-së, çfarë politikash sociale do të duhej të zhvillojë qeveria e ardhshme dhe a është në agjendën e AKR-së zvogëlimi i pabarazive sociale? 

Fadil Ismajli: Sigurisht që këtyre viteve pa dyshim që është rritur pabarazia sociale, e është dashur të jetë e kundërta. Ne jemi të vendosur dhe të bindur që mënyra më e mirë për zgjidhjen e problemeve sociale që ka popullata jonë është krijimi i mundësive të punësimit, në mënyrë që çdo qytetar të jetë në gjendje ta mbajë veten me punën e vet dhe ta ndërtojë të ardhmen dhe perspektivën e vet. Ne jemi për atë që çdo qytetar të trajtohet njëjtë nga institucionet dhe në ato raste kur punëkërkuesi nuk posedon me shkathtësitë e kërkuara nga tregu i punës, ne do t’u ndihmojmë në këtë drejtim duke i trajnuar dhe pajisur ata me ato shkathtësi. Me politikat tona, ne do të përkujdesemi që t’i zgjidhim të rastet sociale në Kosovë, ku asnjë familje kosovare nuk do të jetojë në kushte mjerimi.

medvegja.net: Gjatë një viti si ministër i Zhvillimit Ekonomik, cilat rezultate të punës tuaj do t’i veçonit si më të vlefshmet ?

Fadil Ismajli: Siç edhe e dini, e kam vetëm një vit në krye të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe për vetëm kaq kohë besoj kam arritur t’i finalizoj disa projekte. Për këtë kohë kam arritur ta sensibilizoj çështjen e gjigantit “Trepça”, e cila ka qenë nën administrimin e AKP-së, ndërsa hapi që kam ndërmarrë është ndryshimi i dy neneve, të cilat faktikisht aksionar të “Trepçës” e shndërrojnë shtetin dhe kjo është një e arritur e madhe. Kjo çështje ka kaluar në leximin e parë në Parlament dhe në dëgjimin publik në komision, ndërsa ka pasuar shpërbërja e Parlamentit, por jam i lumtur që kam arritur t’i jap rrugë të mirë. Si rezultat, konsideroj nënshkrimin e linjës së interkonjeksionit 400 kW ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, derisa në mars kam nënshkruar me homologun tim nga Shqipëria, Damian Gjiknuri, marrëveshjen për tregun e përbashkët energjetik. Po ashtu, kam arritur ta kthej besimin e investitorëve të huaj për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.

 

medvegja.net: A mendoni se gjatë qeverisjes së ardhshme do t’u mundësohet vizita zyrtare në Medvegjë, në cilësinë e ministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës? 

Fadil Ismajli: Dua t’jua bëj me dije se gjatë vitit sa e kam drejtuar MZHE-në, unë zyrtarisht kam qenë në Beograd në cilësinë e ministrit dhe kjo ka ndodhur në takimin e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, i cili është mbajtur atje. Kam besim se në vitet në vijim klima politike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të arrijë të relaksohet dhe se lëvizja nuk do te jetë temë e cila do të na shqetësojë dhe se në rolin e ministrit të Republikës së Kosovës do të realizoj vizita të ngjashme dhe me shumë dëshirë në Medvegjë.

 medvegja.net: Zotëri ministër, për fund ju falënderojmë për intervistën, ju urojmë shëndet dhe shumë sukses në punën tuaj!

 Fadil Ismajli: Besoj se do të takohemi më shpesh, kur do të mund të bashkëbisedojmë për të gjitha shqetësimet e përbashkëta që kemi, për të cilat do të angazhohem maksimalisht që ta jap kontributin tim në këtë drejtim.

 Intervistoi: Msc. Gëzim B. Zeqiri,

kryeredaktor i Revistës “Zëri i Medvegjës”