21Nëntor2017

Klubi ,, Trojet’’ organizon tribunë politike me rastin e Referendimit të 1 dhe 2 marsit


Ju informojmë se për nder të shënimit të 24 vjetorit të Referendumit gjithë popullor të mbajtur më datën 1 dhe 2 mars të vitit 1992,do të organizohet një Tribunë politike në sallën e Komunës së Fushë Kosovës më datën 28 shkurt 2016 duke filluar nga ora 12:00 .

Arkiv i medvegja.net/vendvotimi ne Tupalle dhe Svirce/

Në takim do të ftohen subjektet politike dhe organizatat joqeveritare në Kosovë dhe nga Medvegja,Bujanoci dhe Presheva gjithashtu edhe Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, z.Qemajl MINXHOZI. Ky organizim do të bëhet nën patronatin e Klubit të Vendlindjes ,,TROJET’’, që vepron në Kosovë që nga viti 1991dhe që tani shënon vitin jubilar një çerek shekulli të punës dhe veprimtarisë që nga themelimi.

 

Me nderime! 
Kryesia e Klubit ,,TROJET’’
Kryetari i Klubit z.Ismajl MUHARREMI
Kryetari i Kuvendit z.Ajet DULI

Prishtinë,24 Shkurt 2016

Lugina e Preshevës, jo më një vend i harruar

Tri komunat: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, që përfshihen në territorin që njihen si Kosova Lindore apo Lugina e Preshevës, janë sot, territoret shqiptare me përkrahjen më të pakët politike, ekonomike dhe sociale në rajon.

Medvegja 

Ndërkohë që, politika vendore, kryesisht e 15 viteve të fundit në Luginë është ngritur mbi bazën e interesave të ngushta personale të drejtuesve të tyre, se për interesa publike, as që flitet. Kjo vërtetohet lehtësisht me mungesën e vazhdueshme të politikave zhvillimore për këtë rajon shqiptar.

Në bazë të censusit të vitit 2002 në Serbi, në tri komunat: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, jetojnë 61.647 shqiptarë ose 0.82% e popullsisë totale. Duke qenë se censusi i vitit 2011 është bojkotuar nga pjesa më e madhe e shqiptarëve, nuk kemi një rezultat të ri dhe të saktë të popullsisë shqiptare në këto troje, ndërsa faktet flasim për një rënie të numrit të popullatës shqiptare në këto 14 vite, kryesisht në Medvegjë, që është edhe komuna më e rrezikuar.

Në mënyrë metaforike, mund të themi se sot Medvegja është muri rrethues mbrojtës i këtyre tri komunave. Nëse ky mur rrëzohet, rreziku ndaj dy komunave të tjera (Bujanoc dhe Preshevë) është i pashmangshën dhe e ardhmja e mesme mund të sjellë atë çka nuk do të donim dhe nuk do të mundnim më ta ndryshonim…

Në të tri komunat, ushtrojnë veprimtarinë e tyre politike 10 parti ose 1 parti për 6.000 banorë. Një mesatare kjo që e “lakmojnë” edhe vendet më të zhvilluara. Prej tyre, vetëm një parti ka përfaqësi në Parlamentin e Serbisë me 2 deputetë, ndërsa 8 parti, kanë përfaqësuesit e tyre në këshillat komunal në të tria komunat.

Ky inflacion partish dhe aktiviteti i tyre, dëshmon se ato nuk po punojnë në funksion të demokracisë në Luginë, mirëqenies së popullatës atje, apo në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve, që ju kanë dhënë votën duke marrë në këtë mënyrë të drejtën ligjore të përfaqësimit të tyre. Kjo gjendje shërben si një fakt i arsyeshëm dhe i logjikshëm, për nevojën e madhe që ka kjo zonë për mbështetje dhe përkrahje reale politike nga Tirana dhe Prishtina, ndihmesë, e cila nuk duhet dhënë vetëm se është një detyrim kushtetues për politikanët në Shqipëri dhe Kosovë.

Shërbimet komunale si dhe infrastruktura e qyteteve, lënë shumë për të dëshiruar në Luginë. Ndërkohë që në Preshevë, qyteti më i madh i shqiptarëve, të bie në sy errësira e gjatë përgjatë rrugës kryesore, se ndriçimi mungon; ajo nuk ka një park dhe kjo për një arsye sa të thjeshtë po aq dhe banale, sepse zona me pamjen më të bukur në Preshevë, po kryen funksionin e një fushe mbeturinash qytetase dhe zonës përreth saj. Kur vjen nga Prishtina dhe hyn në Preshevë, mbeturinat e shumta që kanë marrë gjerësi dhe terren, janë e para gjë që sheh. Ato janë si një përshëndetje e keqe dhe paralajmërim i shëmtuar për gjendjen që të pret.

Ekonomia në Luginë është e ngritur mbi bazën e biznesit të vogël apo atij familjar. Investimet mungojnë, kjo edhe sepse i kanë larguar apo se pushteti lokal e ai qendror nuk kanë zbatuar politika për përthithjen e tyre. Edhe ata pak investitorë që kanë patur dëshirën e mirë për të investuar,  nuk iu është dhënë mundësia dhe hapësira, ku edhe korrupsioni ka një ndikimin themelor në tkurrjen e investimeve.

Pak ditë më parë, nën kujdesin e veçantë të kompanisë “Medita Development”, me qendër në Venezia, Itali, dhe të biznesmenëve të komunës, që zhvillojnë aktivitetet e tyre ekonomike në Itali, Zvicër dhe Austri etj., u organizua Forumi i parë Rajonal për Zhvillimin  Ekonomik të komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Në qendër të tij, ishte prezantimi i pesë projekteve konkrete për investime në rajon, të cilat janë: (i) ndërtimi i një impianti për përpunimin e mbetjeve; (ii) për prodhimin e peletit; (iii) për zhvillimin e bujqësisë, përmes rivitalizimit të terrenit që do të sjellë kultivimin e produkteve sezonale, të vreshtarisë dhe më tej zhvillimin e blegtorisë; (iv) për prodhimin e energjisë përmes gjeo-termisë; (v) dhe prodhimin e ujit të pijshëm duke qenë një zonë shumë e pasur, kryesisht Baja Siarina, Medvegjë. Këto projekte u prezantuan profesionalisht nga investitorët italianë, të cilët theksuan në mënyrë të drejtpërdrejtë: “Ne jemi gati të investojmë. Na jepni hapësirën e nevojshme dhe mbështetjen ligjore”, gjë të cilën duhet ta bëjë administrata lokale. Sesa do të realizohen këto projekte, kjo varet edhe nga votat e qytetarëve të Luginës në zgjedhjet e afërta vendore dhe mbështetja që do të japin drejtuesit e rinj.

E veçanta e këtij forumi, ishte se u mbajt përtej politikës. Çfarë do të thotë  kjo? Që nuk ishin drejtuesit e qeverisjes vendore që e organizonin, siç logjikisht duhet të ndodhte, por biznsmenë shqiptarë nga këto troje dhe që i ushtrojnë aktivitetet e tyre ekonomike në vendet e Evropës Perëndimore. Investitorët nuk ishin vetëm të qartë në ide, por shumë konkretë me projektet e tyre.

Kur bisedoje ne organizatorët, ata u shpehën të sigurt se tashmë janë të gatshëm të investojnë në Luginë, duke patur burimet e nevojshme financiare, por kërkojnë vetëm mundësinë ligjore të veprojnë. Edhe reagimi i qytetarëve ndaj projekteve, ishte shumë pozitiv. Të dukej sikur të thonin me një gjuhë të thjeshtë trupi dhe fjale: “Sa mirë që ja arritëm kësaj dite”. Gëzimi i tyre ishte besimdhënës, se ata nuk ndiheshin më të harruar dhe të braktisur. Shpresa ishte rikthyer pas një mungese të gjatë.

Ndërkohë në prag, kemi një tjetër forum që do të zhvillohet në javën e parë të muajit prill. Kësaj here do të zhvillohet në Medvegjë. Synimi i të cilit do të jetë hedhja e themeleve për aplikimin e një strategjie unike të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm të komunave Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë.

Sipas ideatorit të krijimit të kësaj strategjie, përmes “Medita Development”, ‘fitues nuk janë ata që nuk kanë humbur kurrë, por ata të cilët nuk janë dorëzuar asnjëherë. Prandaj nëse duam të mbijetojmë këtu, nuk guxojmë asnjëherë të dorëzohemi’. E gjitha kjo të çon në një përfundim, tashmë mund të themi se Lugina nuk është më rajoni shqiptar i harruar. (Marrë nga Mapo). (Teuta Nunaj-Autorja është pedagoge në Universitetin Evropian të Tiranës)

Reportazh: Medvegja, qyteza që po shuhet me ëndrrën për t’iu rikthyer shqiptarëve

Në veri-lindje të Kosovës, e shtirë pranë lumit Jabllanica, një qytezë shqiptare ndonëse e ngulfatur që moti nën administrimin serb, po vuan pasojat më të rënda të historisë së bujshme.

 

E banuar dikur nga fisi iliro-dardan, sot komuna e Medvegjës rrezikon të humb çdo shenjë të shqiptarëve. Një pllakë qe të uron mirëseardhje vetëm në gjuhën serbe të fton të hysh në territorin e banuar nga vetëm 450 shqiptarë. Tridhjetë e katër fshatra piktoreske, nuk kanë arritur të mbajnë gjallë banorët shqiptarë në këto treva nga agresioni serb që u është bërë, përderisa në vitin 1999 përfundimisht shumica prej tyre lëshuan vendin.

Po të hysh në territorin e Medvegjës je i dënuar të dehesh nga bukuritë e shumta të cilat natyra ia ka dhuruar kësaj komune. Ndonëse historia arriti t’i marr  asaj shumëçka, asnjë stuhi nuk arriti të shlyej dot as edhe një ngjyrë nga piktura magjike e këtij vendi malor. Vargmale të shumta të cilat vetëm natyra ka ditur t‘i rendis  me kaq precizitet janë shoqëruesit besnik të çdo udhëtari. Nga bukuria e tyre nuk kursehet madje as edhe një fshat i komunës së Medvegjës. Në mes maleve të shumta aty-këtu ngre kokën ndonjë shtëpizë që ka arritur t‘u mbijetoj ende kthetrave të kohës. Nga dritarja e veturës mund ta ndiej ajrin e pastër që depërton brenda përderisa jashtë saj, strukur diku mes lisave të gjatë zogjtë thurin meloditë nga më të bukurat.

Fusha të gjera, të punuara me lloj-lloj kulturash bujqësore na hapin edhe më tej rrugën drejt qytezës së Medvegjës. Shtëpi të vogla, pothuajse të gjitha njëkatëshe por me kopshte të rregulluara si në përralla zënë vend në të dy anët e rrugës. Disa përshëndetje të mëngjesit nga banorët serbë  ma largojnë vëmendjen përderisa me ngulm kërkoj të dëgjoj një zë shqiptari. Zakonisht mëngjeset e Medvegjës janë të mbushura përplot me shqiptarë që vijnë qoftë nga Kosova apo edhe nga fshatrat përreth për t’u kthyer në fund të ditës duke e mbyllur kështu qytetin përsëri nën perden e heshtjes. Kureshtja të shtyn të mësosh diçka më shumë për të kaluarën dhe shqiptarët në këtë vend por praninë e tyre e vëren vetëm në përmendoren e vendosur tash e sa vite në qendër të Medvegjës në të cilën ata quhen terroristë, përderisa përballë saj një pllakë fton për bashkëjetesë  në gjuhën serbe dhe atë shqipe.

Në mes të ndërtimeve të varfra bie në sy objekti i komunës së Medvegjës  në hyrje të së cilit përballë shkronjave shqipe valon vetëm flamuri serb. Brenda mureve të bardha të këtij objekti të vendosura vend e pavend, me lloj-lloj gabimesh drejtshkrimore saqë të vjen turp që shkronjat e bukura shqipe qëndrojnë aty, mijëra zyrtarë serbë krekosen për respektim të dygjuhësisë. Fehmi Beha, këshilltar komunal në këtë komunë shpjegon problemet e shumta me të cilat përballen banorët shqiptarë të Medvegjës si pasojë e diskriminimit që iu bëhet dhe varfërisë së madhe. Sipas tij numri i të punësuarve shqiptarë në Medvegjë nuk e kap as shifrën prej 1 %. “Në këtë aspekt shqiptarët janë shumë të diskriminuar”, shprehet ai teksa përmend edhe aspektin e dygjuhësisë i cili sipas tij nuk po respektohet aq sa është e paraparë me statut.

Disa metra larg objektit të komunës ndodhet shkolla e mesme teknike “Nikolla Teslla” brenda së cilës tash e nëntë vite funksion paralelja në gjuhën shqipe. E ngjyrosur e tëra në të bardha dhe me një infrastrukturë të mirë, fati i kësaj shkolle jo vetëm tash por edhe më parë kur mësimi zhvillohej shqip, ka qenë që të përcjell gjenerata të tëra të cilat asnjëherë nuk janë kthyer në vendlindje për të dhënë kontributin e tyre. Brenda mureve të shkollës që dikur gumëzhinin nga nxënësit shqiptarë, tani aty në një vitrinë të vjetër zënë vend vetëm fotografitë e tyre të cilave pluhuri vetëm sa nuk ua ka mbuluar fytyrat. Me vetëm 26 nxënës shqiptarë, pa kaluar më shumë se 3-4 vite kjo shkollë rrezikon të mbyllet tërësisht. Dhe nëse mbyllet atëherë rrezikon të mos hapet më kurrë.

Albulena Syla këtë vit ka përfunduar shkollimin në gjuhën shqipe këtë shkollë. Shtatshkurtër, me flokë të gjata dhe një vajzë shumë inteligjente ajo ka arritur të mundë  katër paralele serbe dhe të dal më e mira në gjeneratën e saj. Në duar mban shpërblimet që i ka marrë nga shkolla, gjersa flet për problemet e shumta në të cilat ka hasur derisa e ka marrë këtë çmim. “Për serbët ka qenë e papranueshme që një shqiptare të dal më e mira në shkollën e tyre andaj edhe janë munduar në të gjitha mënyrat që ta parandalojnë këtë“, është shprehur ajo. Teksa shpjegon në detaje ajo është shumë e qetë dhe shumë  e matur në fjalët e saj. Me atë zë të butë  ka fituar edhe disa shpërblime në garat e recitatorëve. Por, fatkeqësisht të ardhmen e saj nuk e sheh në Medvegjë. Ajo është larguar  për të vazhduar studimet në një nga universitetet në Kosovë. “Po të qëndroj këtu unë do të mbetem pa punë, pa një edukim të mirë dhe pa mundësinë për të krijuar një karrierë të mirë. Politika serbe nuk i do të shkolluarit këtu në Medvegjë. Ajo i largon ata në çdo formë duke vendosur në vend të tyre njerëz të pashkolluar me të cilët mund të manipuloj sa më lehtë”, shprehet ajo.

Fatin e Albulenës për të vazhduar studimet në Kosovë nuk e kanë të gjithë të rinjtë e Medvegjës. Gjendja e rëndë financiare i lë shumicën prej tyre me një barrë të rëndë të cilën do të duhet ta bartin për tërë jetën. Jo larg nga kjo shkollë ndodhet dega e Universitetit të Nishit me drejtimet ekonomi dhe juridik tashmë në gjuhën shqipe, e hapur  vite më parë. Në vitet kur ishte hapur shumica e studentëve shqiptarë e kishin konsideruar si një mundësi të mirë për të mbetur gjallë në vendlindje, por tani po të njëjtit po e konsiderojnë atë si të keqen më të madhe që u është bërë. E kjo për faktin së ky universitet planifikohet të mbyllet duke i lënë studentët pa ndonjë zgjidhje. Me synimin për të respektuar dygjuhësinë në hyrje të këtij universiteti kokulur qëndrojnë përsëri shkronjat shqipe. Në mesin e gabimeve të shumta, për ta madje edhe fjala “Universitet“ është bërë “Univerzitet“.

Po të shikosh anash në lindje të Medvegjës, malet e egra në mes të cilave banorët shqiptarë përpiqen të mbijetojnë  në mes të jetës së vështirë që ofron toka e Medvegjës mund të shihen shumë qartë. Pikërisht në ato male  ndodhet një ndër fshatrat më të mëdha në komunën e Medvegjës i cili ka arritur të mbaj rreth vetes pjesën më të madhe të banorëve shqiptarë. Dhe janë përsëri ato male në të cilat vështirë të mendosh se mund të zhvillohet jeta që kanë arritur të rikthejnë në gjirin e tyre pjesën më të madhe të banorëve shqiptarë që dikur ishin shpërngulur nga ky fshat. Në Tupallë edhe lisat e gjatë dhe shkurret që fshihen prapa tyre, dhe vesa që në mëngjes u hapë sytë luleve dhe gjithçka tjetër frymon shqip, ngase ka qenë gjithmonë etnikisht i banuar vetëm me shqiptarë. Toka pjellore dhe duart e njerëzve kanë bërë mrekulli në këto anë duke mbjellur laramani të kulturave bujqësore, shumica prej të cilëve e kanë të vetmin burim të ekzistencës.

Sokol Halimi,  banor i këtij fshati me krenari flet për vendlindjen e tij duke e quajtur Tupallën nënë të të gjitha fshatrave të Medvegjës. Sipas tij ky fshat para vitit 2000 ka pasur 1300 banorë. Sokoli asnjëherë nuk është larguar nga vendlindja  ndonëse e ka pasur shumë të vështirë që të rris të shtatë fëmijët e tij në mes të jetës së vështirë që ofron toka e Medvegjës.

Emri i heroit të popullit, Zenel Hajdini qëndron i varur në muret e shkollës së këtij fshati. Por ëndrra e tij për ta parë Medvegjën të bashkuar po përmbyset pikërisht brenda kësaj shkolle. Me vetëm 15 nxënës kësaj shkolle i kanoset rreziku që brenda mureve të çara të saj, zëri i butë i arsimtarëve e as të rrahurat e shpejtuara të nxënësit pasi të këtë përfunduar testin të mos dëgjohen më kurrë.

Megjithatë nuk është gjithçka terr në Medvegjë. Pasi të kesh kaluar rreth gjysmë ore nën rrugën e groposur e vëren më së miri se sa bujare është treguar natyra me këtë vend. Kur shikon peizazhin e bukur të Banjës së Siarinës të duket sikur piktorët nga e gjithë bota kanë shkrirë talentin e tyre mbi të. Ka mjaftuar një shpërthim uji shumë vite më parë që ky vend të shndërrohet në burim shërimi për shumë sëmundje.

Banja e Siarinës ashtu siç ua shtoi begatinë banorëve shqiptarë të kësaj ane njëherësh ajo u bë edhe synim i pushtuesve serbë  të cilët lakmonin natyrën e bukur dhe begatitë tjera që mbante në vete toka e këtij vendi. Mirëpo, ashtu siç u bo një ndër shkaqet e largimit të shqiptarëve nga ky vend, Banja e Siarinës ia del që së paku gjatë verës të rikthej aty pjesën më të madhe të tyre. Në territorin prej 2.3 km katror gjenden rreth 18 burime të ujërave minerale më përbërje të ndryshme fiziko-kimike, në temperaturë prej 32-72 gradë celsius, si dhe gejzerët me ujë të nxehtë, thellësia e të cilëve arrin lartësinë 8 metra. Kjo Banjë është e vetmja që posedon gejzerin natyror pas Zelandës së Re.

Te shitorja e Halilit, siç e quajnë të gjithë dyqanin e vogël të zotëriut Halil muret e së cilës mezi mbajnë peshën e rëndë që koha ka vënë mbi to, nuk ke si të mos ndalesh nga gumëzhima e zërave të banorëve shqiptarë të cilët mblidhen aty për t’i çarë hallet njëri-tjetrit. “Eh sikur të ishim gjithnjë kështu të bashkuar dhe ajo dorë shkau të mos na ndante“, thotë një plak, opingat e shqyera të së cilit mezi ia mbajnë trupin e rënduar nga alkooli, përderisa dhjetëra koka të bashkëbiseduesve të tij kthehen pas duke shpresuar që as hijet e tyre të mos kenë dëgjuar vërtetësinë e fjalëve të tij. ”Shuj o axhë se do me na fut  në telashe, nuk je në Kosovë këtu“, ia kthen një burrë i gjatë, gjersa rrudhat e thella luajnë lojë me fytyrën e tij.

Disa metra më tutje malet e Gollakut kanë lëshuar hijen e tyre mbi tri lloje të ujërave shëruese që gjenden njëri pas tjetrit, përderisa rrethi i gjatë i njerëzve rreth tyre ka krijuar një ylber ngjyrash. Një burrë shtatgjatë ankohet për dhembje të veshëve gjersa e shoqja e tij vuan  nga të ënjturit e syve, përderisa pranë tyre qëndron një fëmijë diku 8 vjeçar. Megjithatë të gjithë shërimin e kërkojnë vetëm në një vend.

Shërim për sytë e saj që tashmë mosha i kishte bërë të mos njohin as fytyrat e më të dashurve po kërkonte edhe Hida Llumnica. Teksa me ujin e Banjës shpërlante  me kujdes sytë në të cilët koha kishte lënë gjurmë të pashlyeshme, ajo tregon se çdo vit  ndonjëherë e vetme, e ndonjëherë e shoqëruar me familje vjen nga Prishtina në Banjë të Siarinës. “Pa ardhë nuk bën hiç“, shprehet ajo teksa tregon se edhe gjuhën serbe tashmë ka arritur ta mësoj. Një numër i madh i turistëve nga Kosova, gjatë stinës së verës e zgjedhin pikërisht Banjën e Siarinës për të kaluar pushimet. Nexhmi Oraca nga Podujeva po ashtu tregon se çdo verë së bashku me familje shkon në Banjë të Siarinës. “Me më thanë a po shkon në deti, a po shkon në Banjë, unë them në Banjë“, përgjigjet ai teksa tregon se edhe në Kosovë ka shumë Banja mirëpo asnjë nuk e ndërron me atë të Siarinës.

Dyert e Banjës së Siarinës janë të hapura edhe gjatë stinëve tjera. Natyra është po ajo e njëjta dhe vendi ruan po atë bukuri. Ndryshojnë vetëm piktorët, të cilët çdo stinë shkrijnë ngjyrat e tyre mbi malet shtatgjata dhe tokën pjellore. Megjithatë gjate dimrit të paktë janë sytë që shohin pikturat e tyre.

“Do të ishte më mirë sikur për shqiptarët e Medvegjës të ndalej koha“, thotë Brahim Dema, tashmë i moshuar, të cilin pikërisht ajo e kishte lënë të vetëm në fshatin Siarinë të Medvegjës, pa familje dhe pa dikë me të cilin do të mund të përballonte peshat e rënda  që kishin lëshuar vitet mbi të. “Jetoj më të lumin Allah”, thotë ai sa herë që dikush e pyet  për jetën e tij, ndonëse në sytë e tij të thellë vërehet që po ta kishte edhe një herë kohën në duart e tij do të rrëmbente çdo sekondë të saj.

Duke lënë prapa fjalët e plakut Brahim është pikërisht koha e keqja më e madhe nga e cila do të duhej të frikësoheshin shqiptarët e Medvegjës ngase ashtu siç shkul çdo gjë nga rrënja, nëse vazhdohet me këtë trend,  një ditë kthetrat e saj do të zhdukin edhe ata pak shqiptarë që kanë mbetur në Medvegjë dhe fshatrat e saj. Historia do të vazhdoj të shkruhet mirëpo ajo asnjëherë më mund të mos jetë në favor të shqiptarëve të Medvegjës./Egzona Krasniqi/