20Nëntor2017

Myftiu i Republikës së Kosovës merr pjese në manifestimin Medina Kryeqytet i Kulturës Botërore Islame për vitin 2013

Me ftesë të Princit të Medinës, Fejsal bin Selman bin Abdul Aziz, Myftiu i Kosovës, Mr. Naim Tërnava po merr pjesë në Manifestimin e organizuar me rastin e zgjedhjes së Medinës Kryeqytet i Kulturës Botërore Islame për vitin 2013.
Ky manifestim organizohet nën patronatin e Princit Selman bin Abdul Aziz Al Saud, ku po marrin pjesë personalitete të njohura nga shumë vende të botës si, Myftinj, Ministra të Kulturës, Ministra të Çështjeve Islamike, zv. Ministra, ish- president etj.

Në hapjen e manifestimit të pranishmëve iu drejtua me një fjalë përshëndetëse Trashëgimtari i Fronit, princi Fejsal bin Selman bin Abdul Aziz, i cili, veç tjerash, përgëzoi e falënderoi organizatën ISESCO për zgjedhjen e Medinës Kryeqytet i Kulturës Botërore Islame për vitin 2013, duke e cilësuar si vendim të qëlluar ngase Medina ka të gjitha parametrat e duhura për të qenë kryeqytet i kulturës islame, sepse, përveç të tjerash, këtu është edhe Xhamia e Pejgamberit a.s.
Në Medinë, Myftiu i Kosovës, mr. Naim Tërnava pati shumë takime me personalitete pjesëmarrës në manifestim si ministra, myfti e ish-udhëheqës të lart nga vende të ndryshme, si nga Turqia, Liberia, Tunizi, Egjipti, Brazili, Mauritania, Emiratet e Bashkuara, Palestina, Sudani, Indonezia, Malajzia, Estonia, Algjeria, Iranit, Gambia etj., ku Myftiu kërkoi nga bashkëbiseduesit që të ndikojnë tek qeveritë e atyre vendeve që ende s'e kanë njohur Kosovën, që të ndikojnë e t'i nxisin qeveritë e tyre ta njohin atë sa më parë.
Gjithashtu, Myftiu Tërnava pati takim me Princin e Medinës, të cilin e falënderoi për përkrahjen e Mbretërisë së Arabisë Saudite për Kosovën në organizmat ndërkombëtarë.
Ndërsa, Princi saudit shprehu interesim arritjet e Kosovës dhe njëkohësisht u premtoj që do e vizitoj Kosovën në një të ardhme të afërt. Në fund të Takimit, Myfti i dhuroi Princit Katalogun e dorëshkrimeve Arabe.
Pas Medinës, Myftiu Tërnava pritet të qëndroj edhe në Mekë, ku do e kryej Umrën./bislame/