Ripërsëritet:

“NJË FJALË E LA JETA, GURI RËND PESHON NË TROJE TË VETA”
Fushë Kosovë,08/01/2011(medvegja.net)
Me këtë moto fillon libri monografik: “Shqiptarët e Medvegjës nëpër shekuj” (Rrënjët e lëkundura), i autorit Ismail Muharremi, i botuar dhe i promovuar në Prishtinë, në maj të vitit 2010.
Libri ka dy vëllime (1 dhe 2), me gjithsej 808 faqe. Në të janë përfshirë të dhënat për shqiptarët e Medvegjës prej zanafillës, që nga parahistoria e deri në fillim të shekullit XXI, duke prezantuar të dhëna për periudhën dardane, atë romane dhe mbretërit e saj dardanë (me origjinë dardane nga trevat e Jabllanicës – Justiniani), dëshmitë e shumta nga ajo kohë, pastaj për periudhën bizantine, për ardhjen e sllavëve në këto vise dhe për gjenocidin, ndjekjen dhe asimilimin e arbërorëve nga këto treva, ardhjen e osmanëve dhe stagnimin e procesit të asimilimit (sllavizmit) të shqiptarëve në këto vise.
Gjatë të gjitha këtyre periudhave, etnosi shqiptar bëri përpjekje të mëdha për mbijetesë. Përkundër rrudhjeve e humbjeve të mëdha, zinxhiri i pranisë arbërore në këto vise mbeti i pa shkëputur deri në ditët tona. Një kaptinë e veçantë e librit i kushtohet Luftës serbo – turke, përkatësisht shqiptare të viteve 1876 – 1878, ndjekjes së shqiptarëve dhe qëndresës së një grupi të vogël të tyre në 11 fshatrat e tashme të Medvegjës (Llapashticë, Kapit, Tupallë, Dukat, Dediq, Siarinë, Svircë, Gërbac, Starabajë dhe Ramabajë).
Në libër, përveç ngjarjeve të ndryshme që përjetuan shqiptarët e mbetur në trojet e veta gjatë 130 vjetëve pas Kongresit të Berlinit (1878), përshkrimeve të natyrës hyjnore të Jabllanicës së Epërme (Rekës së Madhe), vend të veçantë i është kushtuar traditës familjare e kombëtare, që është specifike për shumë vise të tjera shqiptare, arsimimit dhe shkollës së parë për fëmijët shqiptarë (1898) në Siarinë, si dhe shumë ngjarjeve të tjera, në mënyrë që shqiptarët e këtushëm, nëse asgjë tjetër, të mos mbeten në harresë.
Periudha e pas viteve ‘80 e deri në tragjedinë e vitit 1999, nuk ka mbetur e paregjistruar. Recensentët prof. dr. Liman Rushiti, historian, dhe prof. Halim Hyseni, pedagog, e kanë vlerësuar lart këtë libër, duke e cilësuar si “vërtetim i autoktonisë shqiptare”, përkatësisht si “një mrekulli për një vend padrejtësisht të harruar”.
Përveç tjerash, libri është përcjellë edhe me shumë dokumente, fotografi të vendeve, të ngjarjeve e të personaliteteve të shumta, që janë dëshmi e një të kaluare të hidhur, por të lavdishme për brezat e tashëm dhe të ardhshëm.
Të interesuarit librin mund ta sigurojnë drejtpërdrejt në Fushë Kosovë.
Tel. 038 536 012 ose 038 536 123
044 249 336 ose 044 368 581
Në Zvicër: 0041765418124


8 Janar 2011
-Lajmet-