RSS

Tërnava: Më në fund PO ndërtimit të Qendrës Islame në Prishtinë

22 Gusht 2011

-Lajmet-

 

Zvicer,22 gusht(medvegja.net)
“Më në fund, u dha drita jeshile për ndërtimin e Qendrës Islame, dëshirë kjo dhe kërkesë e kahmotshme e besimtarëve me në krye institucionin e tyre që i përfaqëson, pra Bashkësinë Islame të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, edhe mësimi besimi fetar, është lejuar dhe pritet që të konfirmohet edhe kjo këto ditë”-na tha ndër të tjera për portalin tonë, z.Naim Tërnava. 

Se diaspora shqiptare ka qenë arteria kryesore e zhvillimeve të ndryshme, që ka kaluar atdheu ynë, këtë e dijnë thuajse të gjithë bashkëkombasit e të gjitha trevave shqiptare, por këtë realitet e kanë “vulosur” edhe politikanët e ndryshëm të atdheut tonë, intelektualë dhe veprimtarë, nëpër intervista e prononcime, që kemi pasur mundësi ti realizojmë, por edhe ti lexojmë nëpër mediat e shkruara, apo ti shohim në ato vizuele. Vërtetim i freskët i gjithë kësaj, është edhe një mbrëmje e madhe Kur`anore, që u mbajt mbrëmë në Grenchen të Solothurnit/Zvicër, ku ishin mbledhur mbi 1000 bashkatdhetarë, të të gjitha trevave shqiptare, me një qëllim fisnik dhe njëherit historikë, për të kontribuar dhe për ti dhënë përkrahje inicuesve për të ndërtuar projektin e madh Qendrën Kulturore Shqiptare Islame në mes të Grenchenit. Janë këta bashkatdhetarë, edhe të tjerë, që çdo herë që kërkohet nga atdheu diçka, këta janë të gatshëm, e themi këtë, sepse nga xhamitë kanë dalur me mijëra e mijëra franga për të ndihmuar atdheun dhe sot e kësaj dite, qendër e ndihmave janë edhe xhamitë në bashkëpunim me disa shoqata humanitare, që zbusin varfërinë në atdheun tonë. Nuk duhet të zgjerohemi për këtë shumë, kur shohim shpesh në TV kronika të ndryshme, që nga Zvicra, Gjermania, Norvegjia, e nga e gjithë bota, shqiptarët, ndihmojnë atdheun. 

Kryesia e xhamisë së Grenchenit, me në krye me Ferid Sulejmanin, i ndihmuar nga disa bashkatdhetarë të kësaj pjese të Zvicrës, me vite, janë duke punuar për të ndërtuar xhaminë në këtë vend, edhe ate jo pa vështirësi, duke parë kërkesën e madhe të bashkatdhetarëve, sepse kushtet momentale që janë për të kryer obligimet fetare në xhami, nuk janë edhe të mira, prandaj, ky grup bashkatdhetarësh, e shohin më se të nevojshme, që xhamia, kjo shtëpi e Allahut, të hapet sa më shpejt dhe të kontribuojë për të mirën e të gjithëve. Trualli i xhamisë është blerë në Grenchen dhe pritet dita ditës që edhe të fillojë puna e ndërtimit, por tash, bashkatdhetarët kanë nevojë për ti përkrahur edhe personalisht me mjete, sepse objekti në fjalë, do të kushtojë rreth 1 milion e dyqind mijë franga zvicerane. Për të lehtësuar, sado pak këtë shifër të madhe të mjeteve, organizatorët, punuan jo më pak se një muaj, që të organizojnë një manifestim të madh, e për ti ftuar personalitete të larta nga të gjitha trevat shqiptare dhe nga katër anët e Zvicrës, për të bashkëbiseduar dhe për ti njoftuar në lidhje me projektin dhe natyrisht, për të marrur mbështetjen. Ishte Ferifd Sulejmani, me disa bashkatdhetarë, që nuk i zinte vendi vend, sepse ishin mikëpritësit e mbi 1000 bashkatdhetarëve në këtë manifetsim dhe donin, që gjithçka të shkojë ashtu, si është paraparë. 

Në këtë manifestim të madh, ishin paralajmëruar, që do do të marrin pjesë musafirë të çmuar nga Kosova, Maqedonia dhe Lugina e Preshevës, si Naim Ef.Tërnava, Sulejman Ef.Rexhepi, Dr.Shefqet Krasniqi, Dr.Adnan Ahmedi, Adem Ramadani, Hfz.Aziz Alili, Hfz.Xhemajl Nuhiu, Arsim Fazlia, Sara Tujani, Avni Sulejmani, por disa munguan për shkaqe të panjohura për të pranishmit, si Sulejman Ef.Rexhepi, por këtë e zëvendësoi zëvendësi i tij dhe njëherit ishte në detyrën e dekanit të Fakultetit të Shkencave Islame në Maqedoni, Shefqet Krasniqi nuk mori pjesë, gjithashtu edhe Dr.Adnan Ahmeti, sido që të jetë, programi ishte shumë i pasur.  Manifestimin e nderuan edhe përfaqësues të ambasadës së Maqedonisë, kryetari i Bashkësisë Islame të Shqiptarëve në Zvicër Halit Haliti, veprimtarë të shumtë, si dhe teologë nga e gjithë Zvicra. Manifestimi filloi ashtu siç ishte paralajmëruar. Në fillim u kënduan disa ilahi nga Adem Ramadani, Hfz.Aziz Alili, Hfz.Xhemajl Nuhiu, Arsim Fazlia, Sara Tujani, Avni Sulejmani, ku u mirëpritën mirë nga të pranishmit, ndërsa e moderoi gjithë këtë eveniment të madh fetar, moderatori nga Shqipëria Ermir Hoxha. Në fjalën hyrëse të mirëseardhjes, Ferid Sulejmani, kryetar i xhamisë së Grenchenit, falënderoi kryetarin e BI të Kosovës z.Tërnava, zv.kryetarin e BI të Maqedonisë, zv.ambasadorin e Maqedonisë, Fazli Musliun kryetar i SHH “Lugina e Preshevës” në Goosau të St.Gallenit, Mr.Dashnim Hebibin, ambasador të paqes, të gjithë teologët, përfaqësues të xhamive dhe të gjithë të pranishmit, që kanë ardhur dhe që po tregojnë gatishmërinë e bashkëpunimit dhe u jemi mirënjohës. Gjithashtu, para të pranishmëve z.Sulejmani, falënderoi edhe donatorët, që kanë ndihmuar që të shtrohet iftari dhe për të arritur deri tek ky moment i realizimit të kësaj mbrëmjeje të madhe Kur`anore. 

Fjala iu dha edhe kryetari të Bashkëisë Islame të Kosovës, Myftiut Mr.Naim Tërnava, i cili pasi përshëndeti organizatorët dhe gjithë të pranishmit, ai mbajti një fjalim shumë domethënës, duke qëndisur tema të shkëlqyera, që i prekupojnë gjithë muslimanët sot dhe në veçanti shqiptarët në diasporë e konkretisht në Zvicër. Myftiu Naim Tërnava, ndër të tjera, i tha të pranishmëve, se: “Ju të nderuar bashkatdhetarë, jeni ambasadorët më të denjë të vendit tuaj largohuni nga veprat që shkojnë në dëm të kombit tonë shqiptar. Përgëzoj nismëtarët e ndërtimit të xhamisë së Grenchenit dhe falënderoj autoritet komunale, të cilët kanë lejuar ndërtimin e këtij objekti fetar dhe padyshim, se ndërtimi i kësaj xhamie do ta zbukurojë këtë pjesë. Nuk është me rëndësi, sa do të jetë e gjatë minarja, por e rëndësishme të jenë themelet e forta dhe domethënëse, ku do të edukohen brezi i ri. Në rrethanat në të cilat jetoni, ju keni përgjegjësi të madhe t’i ruani dhe t’i edukoni fëmijët tuaj në frymën e fesë islame dhe në frymën e atdhedashurisë Kudo që jeni, në fabrikë, në rrugë apo në shkollë, ju përfaqësoni vendin tuaj, kulturën e vendit tuaj, qytetërimin e lashtë që ka populli shqiptar, prandaj, të jemi shembull i së mirës. Falënderojmë edhe shtetin zviceran, këtë shtet mik të kombit tonë, e cila ka pranuar menjëherë shtetin e Kosovës, e cila ka ndihmuar edhe para luftës dhe pas luftës, ne u jemi mirënjohës. 

Të integroheni në këtë shoqëri, por duke ruajtur natyrshmërinë tuaj, që bartni nga vendet që vini, të ruani fenë islame, ngase integrimi nuk do të thotë largim nga feja, por do të thotë forcim të identitetit fetar, andaj dhe nuk guxojmë ta lejojmë që në çfarëdo situate të bëjmë vepra të tilla, të cilat shkojnë në kundërshtim direkt me interesin e përgjithshëm të kombit, e në veçanti të shtetit të ri të Kosovës. Sallat dhe xhamitë, ku janë të pranishëm bashkë gra e burra, djem dhe vajza, na bën të qëndrojmë stoik në rrugën tonë, prandaj, prezenca e këtillë edhe sonte, na gëzon dhe e dëshmon më së miri këtë realitet. Nuk është islami i njërës gjini, por i dy gjinive, në mënyrë të barabartë, nuk guxojmë ta shtrembërojmë fenë, që e kemi për më shumë se 620 vjet në trojet tona, të cilën e kanë kultivuar hoxhallarë. Atyre iu kishte lakmi e gjithë bota mbarë, ata e kanë shpjeguar islamin si duhet, ngase ishin dijetarë të mëdhenj”. Pas Kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, fjalën e morën dhe përfaqësuesi i Bashkësisë Islame të Maqedonisë, njëherit dekani i Fakultetit të Shkencave Islame në Maqedoni z.Fahredin Ebibi, i cili përgëzoi organizatorët për këtë projekt dhe ndër të tjera potencoi, se: “Ndërtimi i kësaj xhamie është lajm i mirë jo vetëm për shqiptarët që jetojnë në Zvicër, por për gjithë ne kudo që jemi, sepse xhami është shtëpi e Allahut, ku aty falen besimtarët, luten dhe nga aty lindin vepra e mira për një shoqëri të tërë. Xhamia është një tempull i pazëvendësueshëm i dijes, sepse në këtë xhami, do të dalin edhe nxënës të rinjë, që do të mësojnë për fenë islame dhe natyrisht, do të ruajnë me dinjitet edhe gjuhën tonë të lashtë e të ëmbël amtare dhe kulturën tonë të lashtë. Vetë prezenca juaj tregon shumë dhe ne do ta përkrahim me shumë zemër dhe perendia i shpërbleftë të gjithë ata që kanë punuar dhe do të punojnë që të ndërtohet sa më shpejtë ky projekt dhe ne një ditë të vijmë dhe të falemi dhe të lutem tek Allahu për të mirën tonë dhe të gjithë njerëzimit”. Edhe zëvendës ambasadori i Maqedonisë në Zvicër, z.Ekrem Ebibi, me disa fjalë para të pranishmëve, përgëzuan iniciatorët e këtij projekti. 

Pas këtyre fjalimeve dhe një programi të bukur me ilahi, erdhi momenti i kohës së iftarit, ku u shtrua edhe iftar për të gjithë të pranishmit, e këtu duhet vlerësuar punën e madhe vullentare të të rinjëve mërgimtarë të kësaj pjese të Zvicrës, të cilët me shumë mund shtruan me shpejtësi të gjitha të mirat që ishin përgatitur nga kuzhinierët. Ishin këta djemë, që vullentarisht, dëshiruan, që të japin kontributin e tyre për shtruarjen e darkës, ku vërtetë ishte një punë e mundimshme, kur dihet, sepse edhe atmosfera ishte shumë e nxehtë në këtë sallë dhe jashtë dihet, se ishte temperatura 32 gradë. Prandaj, për çdo kompliment ishte darka dhe të gjithë të pranishmit ishin të kënaqur. Pjesa e dytë e manifestimit dhe tribunës islame, filloi me poezi islame, ilahi dhe duke përcjellur edhe një film të realizuar para pak ditësh nga aktorë shqiptarë në lidhje me fenë islame. Atëherë, kur edhe pritej të përfundonte ky manifestim, iu dha prap fjala kryetari të Bashkësisë Islame të Kosovës z.Naim Tërnava, i cili ndau edhe një mirënjohje këshillit organizativ, pra z.Ferid Sulejmanit, për gjithë këtë punë të madhe që e ka marrur përsipër me shumë veprimtarë të tjerë dhe për t`ia bërë me dije, se BI e Kosovës, e përkrah këtë projekt. Edhe pse ishte pritur, që arka modeste, të paraqitej më herët për të pranishmit, për të participuar për ngritjen e kësaj xhamie, organizatorët si duket nga modestia e madhe, vendosën që në fund të jetë e pranishme arka dhe disa nga të pranishmit dhanë shuma të ndryshme për ndërtimin e xhamisë, ndërsa kryesia e  një xhamie, publikisht doli me shumën 3000 Sfr që do ta ndihmojnë dhe një donatorë me një shumë modeste. Sido që të jetë, organizatorët, presin që të ndihmohet ky projekt i madh, sepse dihet, që nuk është e lehtë të ndërtohet, por shpresojnë shumë, se do të përfundohet me sukses, ashtu si është paraparë, sepse qëllimi është fisnik. Ne në fund të këtij takimi, patëm mundësi të bashkëbisedojmë edhe me Myfytiun Tërnava, me Përfaqësuesin e BI të Maqedonisë, zv.ambasadorin e Maqedonisë në Zvicër, teologë dhe kryetarin e xhamisë së Grenchenit, ku të gjithë presin dhe kanë besim të madh, se bashkatdhetarët edhe kësaj here, nuk do të ngurrojnë për të ngritur këtë xhami. 

Ndër të tjera për portalin tonë, për herë të parë, pasi para pak orësh, iu kishte konfromuar Myftiut të Kosovës z.Tërnava, se më në fund, u dha drita jeshile për ndërtimin e Qendrës Islame, dëshirë kjo dhe kërkesë e kahmotshme e besimtarëve me në krye institucionin e tyre që i përfaqëson, pra Bashkësinë Islame të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, z.Tërnava na tha, se edhe mësimi besimi fetar është lejuar dhe pritet që të konfirmohet edhe kjo këto ditë. Më e rëndësishmja, është se, kjo Qendër Islame do të ndërohet dhe ne presim që në ditën e Bajramit ta paraqesim para gjithë popullit të Kosovës, që do ta mirëpresin të gjithë, do të ngritet kjo Qendër Islame, ku do të kenë mundësi, të falen e të luten besimtarët ashtu si e meritojnë dhe jo jashtë, në shi e kushte të rënda. Z.Tërnava, na dha edhe një koment për ngjarjet e fundit që ndodhën në Zvicër, ai ndër të tjera për portalin tonë tha: ” Feja në asnjë mënyrë nuk thotë të shuhet jeta e dikujt. Kurani na mëson se shuarja e një jete, do të thotë shuarjen e jetëve të tërë njerëzimit dhe dhënia e kontributit që të mbijetojë dikush do të thotë është shkaktar për të jetuar i tërë njerëzimi. 

Andaj, çdo vepër e tillë është e gjykuar dhe jonjerëzore dhe konsiderohet si kriminale. Feja nuk ka të bëjë asgjë me krimin dhe me dukuritë negative, por përkundrazi, feja është për një bashkëpunim të ndërsjellë ndërmjet popujve, pavarësisht gjuhës, racës dhe vendit ku jetojnë. Feja Islame është fe e paqes dhe nuk ka asnjë kthim prapa, të gjithë muslimanët shqiptarë që jetojnë në Zvicër, duhet ta praktikojnë ashtu si duhet dhe të jenë shembulli më i mirë në këtë shtet mik të kombit tonë, por gjithkund ku gjenden ata, pra besimtarët. Kosova ka raporte të mira me shtetin zviceran dhe ne padyshim se do ti ruajmë ato, rastet individuale nuk do të përfshihen në tërësi dhe ne do të përforcojmë edhe më shumë raportet miqësore me këtë shtet, ku janë jo më pak se 200.000 shqiptarë. Lajmi për lejimin e Qendrës Islame në Kosovë dhe lejimin e mësimit fetar në shkollat tona, padyshim se do të mirëpritet mirë nga të gjithë. Edhe bashkatdhetarët tanë i gëzova me këtë lajm. Urojë që gjithçka do të shkojë ashtu si duhet. Me që jemi në fund të muajit të Shenjtë të Ramazanit, lus perendinë, që të gjithë ata që e kanë agjëruar, perendia t’ ia pranoftë agjërimin dhe lutjet që i kanë bërë dhe që do ti bëjnë dhe lutem që të kemi unitet mes veti si popull dhe të fitohet gjithmonë e drejta. Bashkatdhetarët në asnjë mënyrë nuk do ti harrojmë, por do ti vizitojmë edhe më shpesh dhe do të bashkëpunojmë edhe Ministrinë e Diasporës së Kosovës me z.Ibrahim Makolli, që diaspora jonë, kjo pjesë e kombit tonë të jetë edhe më e fuqishme dhe ne u jemi falënderues për gjithë kontributin që e kein dhënë.” /Përgatiti dhe bashkëbisedoi: Dashnim HEBIBI, Grenchen

Subscribe

Subscribe to our e-mail newsletter to receive updates.

No comments yet.

Leave a Reply