Archive for Mars 4th, 2010
Manifestim i madh në Dorenaz
Medvegjasit në Zvicër, kremtuan dy vjetorin e pavarësisë
Zvicër 2 Mars 2010 (medvegja.net)
“Sot, kur ne kremtojmë 2 vjetorin e kësaj date të rëndësishme të historisë më të re të popullit tonë, në Luginë të Preshevës vazhdojnë burgosjet e shqiptarëve, maltretimeve. Sot, kur ne duhet të kremtojmë dy vjetorin e pavarësisë së Kosovës, në Medvegjë, flamuri kombëtar përdoret për të varrosur viktimat e politikës antishqiptare. Sot, kur e dijmë të gjithë që në Cepotin, në afërsi të Bujanocit dhe pak kilometra nga Medvegja, u ndërtua baza më e madhe ushtarake serbe.”-tha ndër të tjera z.Zenel Neziri, kryetar i shoqatës humanitare “Medvegja”

Shoqata Humanitare “Medvegja” me seli në Fully të Valisit, me datë 27 shkurt në Salle Polyvante La Rosiere, 1905 Dorenaz, mbajti manifestimin e madh festiv, kushtuar dy vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Kjo shoqatë njihet në tërë diasporën, njëra nga më të organizuarat dhe më unikja. Ishin mbledhur bashkatdhetarë të shumtë nga të gjitha trevat shqiptare, që jetojnë në Zvicër, për të qenë sa më afër medvegjasëve, për të kremtuar datëlindjen e dytë të shtetit të Kosovës. Si edhe herave tjera edhe kësaj here, organizatorët, kishin zbukuruar skenën me portretet e kryeheronjëve tanë, Skënderbeut, Ismail Qemajlit, Adem Jasharit dhe presidentit historik të Kosovës Prof.Dr.Ibrahim Rugova. Manifestimin e hapi SHKA “Medvegja”, të shoqëruar edhe nga nxënësit e shkollës plotësuese shqipe të kësaj ane me përgatitje të veprimtarit të njohur Sefedin Krasniqi i ndihmuar edhe nga bashkëshortja e tij, kënduan hymin kombëtarë dhe ate të Kosovës.

Si edhe herave tjera, z.Zenel Neziri, kryetar i shoqatës humanitare “Medvegja”, e mori fjalën dhe e hapi këtë manifestim, ku ndër të tjera tha: “Përshëndetje e nderuara kryesi e shoqatës, të nderuar anëtarë, zonja dhe zotërinjë, miqë të respektuar zviceranë, ju shqiponja të Shoqërisë kulturoro artistike Medvegja, zonja e nderuar ikona e artit muzikor shqiptar Shkurte Fejza. Kaluan disa ditë nga datëlindja e dytë e shtetit të Kosovës, këtë e dimë të gjithë, por ne medvegjasit e kemi lënë që ta festojmë sot, që të jenë të lirë të gjithë dhe të na bashkohen, që të festojmë së bashku. Sonte ne medvegjasit, të përkrahur edhe nga bashkëkombasit tanë nga Kosova, Maqedonia dhe Bujanoci e Presheva, jemi mbledhur për të festuar dy vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Na vjenë era e vendlindjes sonë atje në Medvegjë, atje që sot nuk vendoset lirshëm flamuri kombëtarë, nga atje që presin ditë më të mira, presim që flamuri kombëtarë të valojë ashtu si duhet. Me zemër dhe shpirt e di se të gjithë jeni në Medvegjën tonë, por ne do të jemi edhe në të ardhmen krenarë për Medvegjën tonë, nuk do ti shesim tokat tona atje, por do ti ruajmë. Ndiej kënaqësi të veçantë që, në emër të kryesisë së shoqatës humanitare “Medvegja” dhe në emrin timin personal, t’ju uroj të gjithëve këtë festë si dhe të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen, me dëshirë që kjo ditë e shënuar të jetë ditë e gëzuar për popullin shqiptar, një rast për kremtim për njerëzit liridashës, mekanizëm ky i cili na siguron ardhmërinë, vetëdijësimin, na siguron që ta duam dhe respektojmë më shumë njëri tjetrin.

Le të shërbejë kjo festë si mesazh i paqes, lirisë dhe përpjekjes së përbashkët në realizimin e synimeve tona.Kjo ditë e bekuar dhe e shënuar për të gjithë ne ka qenë dhe të mbetet simbol i bashkimit, unitetit, lidhjes, krenarisë, qëndresës dhe vendosmërisë së popullit shqiptarë. Data e 28 nëntorit dhe 17 shkurti do të jenë data emblematike në memorien e kombit tonë na shërben që asnjëherë mos i harrojmë gjurmët e së kaluarës sonë të lavdishme.
| YouTube Video | |
Me krenari të madhe dhe besim të plotë uroj që këtë ditë ta kremtojmë në paqe dhe të ardhme më të mirë për të gjithëve. Përkulem me nderim dhe respekt të veçantë para kujtimit të atdhetarëve të mëdhenj të kombit tonë, nga të gjitha viset shqiptare, të cilët, në themelin e shtetit vendosën jetën, dijen, pasurinë dhe gjithçka që kishin, të atyre atdhetarëve që sakrifikuan dhe luftuan me pushkë dhe me pendë për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Kujtojmë të gjitha luftërat dhe heronjtë e kombit tonë, ata njerëz që e bënë historinë tonë nga veprat e të cilëve jemi frymëzuar e do të frymëzohemi. Sot, kur ne kremtojmë 2 vjetorin e kësaj date të rëndësishme të historisë më të re të popullit tonë, në Luginë të Preshevës vazhdojnë burgosjet e shqiptarëve, maltretimeve. Sot, kur ne duhet të kremtojmë dy vjetorin e pavarësisë së Kosovës, në Medvegjë, flamuri kombëtar përdoret për të varrosur viktimat e politikës antishqiptare. Sot, kur e dijmë të gjithë që në Cepotin, në afërsi të Bujanocit dhe pak kilometra nga Medvegja, u ndërtua baza më e madhe ushtarake serbe me shumë ushtarë dhe armatim të rëndë, tregon qartë para faktorit ndërkombëtarë, se Serbia ende është me ideologjinë e kryekriminelit Millosheviq. Të nderuar të pranishëm, me Kosovën tonë të pavarur dhe me shtetin tonë amë Shqipërinë, shpresojmë, se një ditë do të bëhet mirë edhe në Luginë të Preshevës, do ti vije dita e lirisë një ditë, ashtu siç e meriton atdheu ynë. Nga ky vend, nga ky shtet mik i vendit tonë, u jemi mirënjohës komunës së Fully, shtetit zviceran, që na ka përkrahur dhe po na përkrah, perendia e bekoftë. Falënderojmë përkrahjen e madhe që na ka dhënë gjithmonë ambasadori i shtetit shqiptar në Zvicër Mehmet Elezi dhe i cili ka përshëndetur këtë manifestim. Të respektuar të pranishëm, manifestimi ynë ka karakter edhe humanitarë, me marrjen e biletave që jeni ju prezent sonte, do të participoni në ndihmë Shkodrës sonë, që është djepi i kulturës kombëtare dhe një pjese të qytetit të Lezhës, që me krenari mbanë në banesën e fundit kryeheroin kombëtarë Skënderbeun. E kemi parë të gjithë se në çfarë situata është Shkodra, e kështu me ndihmën tuaj, do ti kujtojmë vëllezërve tanë, se Medvegja është pjesë e pandarë shpirtërore. Dy vjet shtet, dy vjet liri, lutemi që Kosova jonë të shëndrris, të hapen vende të reja të punës, të luftohet korrupcioni, krimi dhe të avancohemi drejt BE-së dhe NATO-s.

z.Arsim Krasniqi,duke folur per librin e Bafti Krasniqit dhe z.Zenel Neziri,kryetar i Sh.H,,MEDVEGJA” ne Zvicer
Të përkulemi para dëshmorëve të kombit, që dhanë jetën për Kosovën tonë të lirë dhe nga ky vend, i drejtohem edhe qeverisë së Kosovës, që të mos e harrojë diasporën dhe ta vizitojë ndonjëherë Medvegjën tonë, të cilës, do ti jap edhe më shumë elan jete.
Ne shpresojmë, se Medvegja, do ta ketë musafirë ndonjërin nga qeveritarët tanë.
Të nderuar zonja dhe zotërinjë, perendia na bekoftë si komb në përgjithësi dhe i bekoftë miqtë tanë ndërkombëtarë. Prandaj, gëzuar edhe njëherë dy vjetorin e shtetësisë së Kosovës dhe dashtë zoti që të kemi njohje edhe më shumë nga shtetet që nuk na kanë njohur. Gëzuar”.
Me një program të shkëlqyer, prezentuan shkolla plotësuese shqipe, ku me recitime nga nxënësit madhështuan manifestimin.
Pas disa valleve dhe këngëve, nga fëmijët e shkollës plotësuese shqipe, filloi programi argëtues me SHKA “Medvegja”. Këngë pas kënge, valle pas valle, të përgatitura edhe nga grupi i folklorit nga bashkatdhetarët e Medvegjës, të pranishmëve u dha emocion edhe prezentimi i grupit teatral të SHKA “Medvegja”, ku u luajt shkëlqyeshëm roli i Adem Jasharit nga Samir Neziri. SHKA “Medvegja”, gjithashtu emocion i dha të gjithë të pranishmëve, kur marshuan nëpër sallë me veshje të ushtrisë, i shoqëruar nga artisti Neziri në rolin e Adem Jasharit. Manifestimin e përshëndetën me prezencën e tyre edhe përfaqësues zviceran të kësaj ane, deputet i kryesisë së komunës Fully i dërguar edhe nga kryetari i Fully z.Jaen Olivier Cayo, pastaj Leord Beder nga partia radikale, Beni Carron kryetar i partisë PDF. Ndërsa z.Olivier, me disa fjalë organizatorëve u dha fjalë të mira si dhe të pranishmëve ia uroi këtë dy vjetor. Z.Oliver, për hir të respektit që ka për bashkatdhetarët tanë, ai i përshëndeti edhe në gjuhën shqipe, “Rroftë Kosova, Rroftë Medvegja”.
| YouTube Video | |
Me disa fjalë modeste përshëndetëse, i përshëndeti edhe Murat Avdiu, përfaqësues i Shoqatës Humanitare “Lugina e Preshevës” dhe njëherit kryetar i Akademive Përkujtimore kushtuar dëshmorëve të rënë për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Musafire nderi i manifestimit ishte edhe artistja e madhe Shkurte Fejza, ku me këngë live, i këndoi Kosovës, dëshmorëve të kombit, bashkimit kombëtarë, ku të pranishmit me orë të tëra festuan këtë datëlindje të dytë të shtetësisë së Kosovës. Gjithashtu, këngëtarja Hydajete Miftari si dhe Arbeni për të pranishmit, kënduan këngë të ndryshme, për të krijuar dhe ruajtur atmosferën argëtuese festive deri në orët e para të mëngjesit. Ne siguruam edhe disa prononcime nga të pranishmit, ku u ndanë shumë të kënaqur me këtë manifestim festiv. Medvegjasit i nderuan edhe bashkëkombas nga Shqipëria që jetojnë në diasporë si veprimtari Asllan Karaj etj si dhe afarist të tjerë të kësaj pjese të Zvicrës. Ndërsa këngëtarja Shkurte Fejza me disa fjalë e përshkruajti këtë manifestim si një kongres argëtimi, ku e vlerësoi lartë punën që ka bërë kjo shoqatë. Medvegjasit, u ndanë të kënaqur, duke pritur, se edhe në të ardhmen, do të organizohen dhe do të përkrahen nga të gjithë.
Shkruan :Dashnim HEBIBI, Valis
Fotografit:Medvegja.net & Dashnim HEBIBI
Video :Medvegja.net


