RSS

28 Nëntori u kremtua edhe në Medvegjë-Flamuri kuq e zi u shpalos në Banjë të Siarinës

30 Nëntor 2010

-Lajmet-

28 Nëntori u kremtua edhe në Medvegjë

Flamuri kuq e zi u shpalos në Banjë të Siarinës

Lugina duhet të mbrohet pikërisht në Medvegjë, tha njëri ndër diskutuesit në akademinë solemne për nder të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit, e cila për herë të parë si e tillë u organizua në Banjën e Siarinës, nën patronatin e Degës së Unionit Demokratik Shqiptar në Medvegjë

Medvegjë, Banjë e Siarinës, 28 nëntor (medvegja.net)

- Pikërisht ora 12.00 e ditës së diel, më 28 nëntor, shënoi fillimin e akademisë solemne për nder të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit, e cila për herë të parë si e tillë u organizua në Banjën e Siarinës, nën patronatin e Unionit Demokratik Shqiptar, Dega në Medvegjë.

Me këtë rast, përveç organizatorit, kishin ardhur mysafirë edhe nga Presheva, si dhe qytetarë nga vendbanimet shqiptare të Medvegjës, të cilët me praninë e tyre i dhanë kuptim dhe vlerë këtij organizimi. Meqë një manifestim i tillë u organizua për herë të parë në Ditën e Flamurit, i cili në mënyrë publike dhe institucionale shënoi festën më të madhe të kombit tonë, natyrisht se kishte edhe emocione të veçanta dhe përjetime shpirtërore nga të pranishmit, të shoqëruara madje edhe me lot gëzimi, të gërshetuara me krenari kombëtare.
Kjo ditë patjetër se do të shkruhet me shkronja të arta në historinë modeste të shqiptarëve të Medvegjës, meqë në përcjellje të shpalimit të flamurit kuq e zi gjithashtu për herë të parë u intonua publikisht edhe Himni Kombëtar mu në Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, si dhe u recituan vargjet më të fuqishme për flamurin.

Akademinë e hapi kryetari i Degës së Unionit Demokratik Shqiptar për Medvegjë, z. Rexhep Abazi, i cili, ndër të tjera, tha: “Pikërisht në këtë ditë të 1912, i madhi Ismail Qemali, në Vlorën heroike dhe historike, e ngriti Flamurin shqiptar, duke e shpallur pavarësinë e shtetit shqiptar, jashtë të cilit mbeti një pjesë e madhe e kombit të ndarë. Erdhi dita që ne sot të tubohemi këtu dhe ta shënojmë këtë festë të madhe kombëtare, sa për të treguar se edhe Medvegja e vogël është tokë shqiptare. Prandaj, meqë një manifestim i tillë në Medvegjë organizohet për herë të parë, normalisht se edhe urimi buron nga zemra – Zoti e bekoftë popullin dhe flamurin shqiptar!”.

Ndër të pranishmit, fjalë përshëndetëse dhe urimi shprehu edhe z. Rahmi Zylfiu, kryetar i Unionit Demokratik Shqiptar, i cili ndër të tjera e theksoi nevojën e bashkëpunimit dhe mbështetjes, si dhe faktorizimin e çështjes shqiptare, veçanërisht në Medvegjë, ndërkaq doktori Sabit Sahiti, ndër të tjera theksoi se shihet që në Medvegjë rron shpirti shqiptar dhe se ky aktivitet duhet të shërbejë si një fillim i mbarë. “Lugina duhet të mbrohet pikërisht në Medvegjë”, porositi ai.

Fjalë rasti dhe përshëndetje me urime në Ditën e Flamurit mbajtën edhe kryetari i Forumit Rinor të UDSH-së, z. Faton Mehmeti; pastaj veterani i arsimit në Medvegjë – historiani Ferat Hyseni, i cili shpalosi detaje historike rreth kësaj ngjarjeje të madhe historike; Gani Krasniqi, Hamdi Halimi, Fadil Mustafa, Veli Jaha etj.

Emocione të veçanta zgjoi telegrami i urimit që arriti mu në këtë kohë nga SHHB “Medvegja”, me seli në Fully të Zvicrës, i nënshkruar nga kryetari z. Zenel Neziri, duke bërë që të rrjedhin edhe lot mallëngjimi, meqë ata nga atje e përcillnin me kërshëri çdo detaj të rrjedhës së manifestimit në Banjë të Siarinës.

Akademinë e begatuan edhe nxënësit Armend Fetahu dhe Arianit Beqiri, të cilët me deklamimet e tyre artistike, i pari me poezinë e Fan Nolit “Himni i Flamurit”, ndërkaq i dyti me skicën “Nëntori i Tretë”, i dhanë shije dhe përmbajtje këtij manifestimi, i cili shpresojmë të bëhet tradicional, ashtu siç është vetë Dita e Flamurit, dhe të begatohet nga viti në vit. Moderator i akademisë ishte Ramadan Beqiri, i cili mjaft natyrshëm dhe me pedanteri e skicoi rrjedhën e tërë manifestimit.

Ajo që mbeti enigmë e pasqaruar dhe misterioze është se pse asnjëra nga partitë tjera politike të Luginës së Preshevës nuk mori pjesë në këtë manifestim, edhe pse, sipas organizatorit, të gjitha atyre u ishte dërguar ftesë zyrtare nëpër selitë e tyre, madje një javë përpara. Kjo mungesë pranie me qëllim injorimi apo çfarëdo arsye qoftë tjetër, madje në festën më të madhe kombëtare, shtron dilemën e pazgjidhur: PSE DHE DERI KUR DO TË IKIM NGA VETVETJA?!
Sidoqoftë, URIME 28 NËNTORI – DITA E FLAMURIT të gjithë atyre që bukës i thonë bukë e ujit ujë!

Jonuz Fetahu/medvegja.net/

Subscribe

Subscribe to our e-mail newsletter to receive updates.

8 Responses to “28 Nëntori u kremtua edhe në Medvegjë-Flamuri kuq e zi u shpalos në Banjë të Siarinës”

  1. goldian Says:

    respekt e krenari
    hallall ju qofte medvegja.net per raportin

  2. Fadil Selmani Says:

    Diaspora e Medvegjës në krye me SHH Medvegja në Zvicër ç’do herë përcjellin në afërsi proçeset në Medvegjë.Edhe kësaj radhe përcollëm Manifestimin historik për nder të 28 nëntorit mbajtur në Banjë të Sjarinës për herën e parë 29 vite pas ndalimit të përdorimit të Flamurit Kombëtar Shqiptarë nga autoritetet e asaj kohe.
    Ky Manifestim pikërisht në Datën e shpalljes së Pavarsisë të Shtetit Shqiptarë dhe Ditën e Flamurit Kombëtar,pikërisht në Medvegjën Iliro-dardane ka rëndësi të veçant. Me rrespektin më të madhë përkulemi pran organizatorve dhe u shprehim përkrahje të gjithanëshme në kët drejtim. Pos tjerash mbajtja e një Manifestimi të tillë në Medvegjën e martirizuar ka domethënje të veçant. Zoti ju bekoft Bashvendasë të ndërgjegjëshëm për kët akt historik dhe mos u brengosni fare se historia dhe bota e logjikshme do t’ju begatoi. Paqit urimin e të madhit Zotë,ju prift shëndeti së bashku me Familje, se keni bërë një akt historik. Pos tjerash ju të nderuar keni mposht utopin e mendim-veprimit të cilën e kanë instoruar në Medvegjë Drashkoviqianët vite të tëra,të ciles me ose pa vetëdije të plotë deri më tani i kanë kontribuar disa mendjelehtë, mendjelehtësi në të cilën fatëmirësisht s’kanë aderuar shumica apsolute e Shqiptarve të Medvegjës kudo që jetojnë. Në kët kontekst Diaspora Medvegjase është e kfjellt si uji i pastërt i burimeve tona që rrjedh i pastërt si loti i ndjersës,të cilën nai lanë ta trashigojmë paraardhësit me aq mund e sakrifica,andaj akti i juaj pikërisht rekompanson dhe qetëson shpirtin e pastërt të ç’do Shqiptari(kuptohet edhe tonën në Diasporë). Ne si komunitet tejet i organizuar dhe i respektuar këtu në Zvicër,për ç’do vitë kremtojmë lirshëm Festat tona Kombëtare 28 nëntorin dhe tani edhe 17 shkurtin,dhe jo që s’pengohemi nga autoritetet e këtushnme por përkrahemi dhe falëminderohemi që e ruajm kulturën dhe traditën tonë. por kur po shohim anomali të kohës mesjetare që po ndodhin në Medvegë të sponcorizuara drejtpërdrejtë nga autoritetet Komunale e më gjërë,vetëvetiut po ja shtrojmë pyetjen identike”Për ç’ka dhe deri kur”?!…edhe pse të gjitha këto pyetje i kuptojmë paraprakisht ende pa i shtruar. Bashkvendas të nderuar,Medvegja s’është e harruar dhe e mbetur anash siç pretendon dikush,ajo asnjëher më parë s’ka pas aq shumë miqë dhe mirëkuptim si n’aspektin Kombëtar dhe ndërkombëtarë, për ç’ka ju garantojmë utopistëve eventual se deshtën apo jo, proçesi i Medvegjës është në rrugën e duhur.Duke ju uruar edhe një herë për aktin historik, pranoni përshëndetjet vëllazërore. Me nderime Fadil Selmani,Gjenevë-Zvicër.

  3. diar_di Says:

    Ndër lajmet më të këndshme e më të mira ditore që mësova sot e që ma gëzuan zemrën. Edhe pse shovinistët serbë e cilësuan këtë si një provokim nga ana e shqiptarëve, prapëseprapë nuk mund t`u mohohen të drejtat kombëtare dhe përdorimi i simboleve e festimi i festave kombëtare. Ajo që nuk është e jotja natyrisht, kurr nuk të kënaq e nuk të qetëson, përderisa konsiderohet si imponim e dhunë. Ky diskriminim duhet të mbaroj.

    Kosova Lindore, herdokurë duhet të bashkohet me pjesët e saj kombëtare.

    Urime motra e vëllezër shqiptarë medvegjas e përgjithësisht në Kosovën Lindore!

  4. Prishtina.C Says:

    Medvegja esht deshmija e gjalle e tragjedis me te madhe te kombit shqiptar Medvegja dhe shqiptaret atje deshmojn vijimsine e ekzistences dhe shtrirjen e trojeve shqiptarve deri te molla e kuqe afer Nishit sps ka ende fshatra me shqiptare ne komunen e Medvegjes te cilat kufizohen me rajonin e toplices kazan e lebanes dhe kazan e leskovcit dhe rajonin e sangjakut te NISHIT.

    Rajone kto te cilat dikur banoheshin krye kput me shumic apsolute shqiptare ndersa thuhet se ne keto ane ishin mbi 700 rajone me popullsi shumice shqiptare prej te cilave mbeten vetem 11 ne rajonin e MEDVEGJES .

    Ndersa te tjerat u zhduken nga faqja e dheut nga masakrat dhe gjenocidi i hordhive sllavo-ruso-serbe

    Medvegja esht len pas dore nga shqiptaret ne pergjithsi ndersa dihet se rajonet e medvegjes te banuara ende me shqiptare jan deshmi e gjalle e tragjedise me te madhe te kombit shqiptar njeherish dihet fakti se gjysma e kosoves e ka prejardhjen pikerisht nga keto rajone dhe po ashtu edhe disa miliona shqiptare te cilet sot gjenden ne TURQI

  5. Rina_87 Says:

    Me miliona urime nga une! Ne fakt ky lajm ishte me i miri per festen e 28 nentorit. Shpresoj se Medvegja nuk do te jete edhe nje vend “i harruar” i shqiptareve! Shume shume urime!

  6. nete Says:

    Urime 28 Nentorin Medvegja.net…

  7. Gurbetqari Says:

    Urime- Festa me e madhe dhe me e dashur e Shqiptareve- 28 Nentori.
    Dhe, ashtu eshte: Lugina duhet te mbrohet pikrisht ne Medvegje.Sepse, ne Medvegje, ashtu si edhe ne Bujanoc e Presheve, mbrohet dhe ruhet Shqiptaria dhe cdo gje qe eshte Shqiptare: trojet Shqiptare, gjuha e bukur Shqipe, kenga e bukur Shqipe, doket dhe zakonet Shqiptare.

  8. nostalgjia Says:

    me mire dikush se kurkush

Leave a Reply