RSS

Abazi: Shpresën e kemi nga Tirana e Prishtina

9 Nëntor 2010

-Lajmet-

Abazi: Shpresën e kemi nga Tirana e Prishtina

Pas disa intervistave që i kemi realizuar para pak ditësh me liderë të Luginës së Preshevës, me aktualitetin që po mbretëron në këto treva shqiptare, nuk mundemi të anashkalojmë medvegjasit. E kësaj radhe, jo që Medvegja nuk ka edhe veprimtarë të tjerë, por u ndalëm për të bashkëbiseduar me një personalitet të çmuar, një burrë të urtë, fjalë pak, burrë që shikon gjithmonë bashkimin nëmes njerëzve, burrë që dëshiron të shtrëngoj duart e pajtimit, jo zhurmaxhi, besimtarë, besnikë dhe mbi të gjitha edukatorë i shkëlqyer, që ka dëshmuar me përvojën e tij tek gjeneratat që i ka arsimuar.

Prof.Rexhep Abazin e njohim para disa viteve personalisht, por edhe nga medvegjasit që jetojnë dhe veprojnë në diasporë e konkretisht në Zvicër. Kësaj here, po i iki disa rregullave profesionale të intervistuarit me shkrim, pasi që po mundohem të bëjë një parahyrje për këtë personalitet, sepse fatkeqësisht, pak është intervistuar nga mediat tona, apo thënë hiq.

Prandaj, është e pamundur të përshkruhet me pakë fjalë karakteri i Prof.Rexhep Abazit, po ai si gjithmonë edhe kësaj here, me një buzëqeshje të lehtë, me një shikim të drejtpërdrejtë në sy, mundohet të bashkëbisedojë, por e kishte të vështirë të fliste për veten e tij, sepse siç na tha: “Nuk është e lehtë të flasësh në njëjës”. Ndoshta x, y apo z, i pengojnë këto intervista, me që po realizohen nga një bashkëkombas i Preshevës, por që jeton larg fizikisht Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, por shpirtërisht është i mishëruar me aktualitetin atje.

Prandaj, nuk dua të paragjykojmë, por ushtrojmë profesionin tonë, në mënyrën më të mirë të mundshme, duke mos i cenzuruar të intervistuarit asnjë fjalë apo shminkuar përgjigje, por të jenë të tijat dhe të daluara nga shpirti. Këtë të drejtë na japin edhe shoqatat e gazetarëve profesionistë IFJ me seli në Bruksel, Reporterëve pa Kufinjë në Paris, SSM në Zvicër, në Shqipëri e kështu me radhë, pra të shkruash drejtë dhe pa anuar.

Prof.Abazi, na flet për situatën në Medvegjë, se si është realisht atje, sa shtëpi janë shqiptare, sa banorë, a po shiten realisht shtëpitë atje, a janë shtitur trojet shqiptare, nga i ka sytë Medvegja e për shumë gjëra tjera. Protagonisti i kësaj interviste, e bënë jetën në Medvegjë, vitet e pleqërisë i kalon atje dhe nuk ia kthen shpindën Medvegjës, por dëshira e tij e madhe është që të vijnë ditët e dikurshme, që gjallëronte Medvegja me rrethinë, nga banorët e saj, por është optimist, se ajo ditë do të vije gjithsesi. Edhe nëse vdes, na tha para intervistës Prof. Abazi, sytë i kam nga Prishtina, i kam tek Tirana, Drenica, Tetova, Tërnoci e Presheva. Edhe në varrë nuk do të jem rehat, që nëse gjeneratat e reja, nuk do të investojnë në Medvegjë. Prandaj, shpresojmë, se do të kaloni disa momente interesante, nga kjo intervistë, që po ua servojmë. Ju lëjmë të lirë, për të lexuar këtë intervistë.

Prof.Abazi, fillimisht ju falënderojmë që pranuat dhe gjetët kohë për këtë bashkëbisedim. Kemi pasur këto ditë disa intervista me liderë të ndryshëm nga Lugina e Preshevës, prandaj jemi shumë mirë të informuar me situatën andej. Por, ne do të bashkëbisedojmë edhe për tema tjera që sigurisht nuk janë diskutuar. Na thoni, i kujt jeni më shumë i Medvegjës apo i Prishtinës, sepse herë andej e herë këndej po jetoni?

Prof.Rexhep Abazi: Përshëndetje Juve dhe gjithë bashkëkombasit tanë kudo që janë. I përshëndes edhe mërgimtarët, që jetojnë me shpirt nga atdheu i tyre. Sigurisht, që zgjohen në mëngjes me mallin e atdheut dhe bijnë për të fjetur, duke u lutur, që një ditë të kthehen. Diaspora jonë ka bërë shumë për atdheun, është duke bërë dhe do të bëjë. Edhe pse jetoni larg atdheut fizikisht, e kam parë, se mërgimtarët ishin shumë të informuar me çdo gjë që kalon në Medvegjë, Prishtinë, Preshevë, apo Tiranë e Tetovë. Kësaj pyetje do ti përgjigjem shkurt, që të mos filozofojë, sepse nuk e kam përvojën e filozofisë politike, sepse politika ime është e sinqertë dhe dua të sjell ate që e meriton Medvegja, së bashku me miqtë e mijë që i kam rreth vetes si në Medvegjë, Kosovë, Shqipëri, Preshevë, Bujanoc, Maqedoni dhe diasporë. Rexhep Abazi është i Shqipërisë së Gjergj Kastriot Skënderbeut, Ismail Qemajlit, Hasan Prishtinës, komandantit tonë legjendarë Adem Jasharit, presidentit historik të Kosovës Prof.Dr.Ibrahim Rugova,pishtarit të demokracisë Azem Hajdarit, komandant Lleshit, e heronjëve të shumtë që kanë dhënë jetën për atdhe. Jap ate që kërkohet për flamur, histori e gjuhë.

Medvegjën e kam pak më shumë në zemër, sepse në zemër dhe shpirt e kam të ngjitur një tokë të saj, që kudo që shkojë e mbajë me vete, kur jam në Prishtinë, dua të bashkojë, kur jam në Tiranë gjithashtu, kur jam në Tetovë poashtu e kështu me radhë. Zemra më dhemb për Medvegjë. Edhe flokët po më zbardhen më shumë, edhe pleqëria po më vjen më shpejt, kur po e shoh në këtë situatë si është ajo. Shpresoj, se rrezet e diellit të lirisë do na vijnë.

“Dita e rrënimit të këtij muri do të vijë, si domosdo e historisë”

Sa është e vështirë të bëhet politikë në Medvegjë?

Prof.Rexhep Abazi:Fjala e lashtë shqipe është treguar më e fuqishme se sa kërcënimet që i janë bërë gjatë shekujsh, por i lumtur populli shqiptar ende nuk është. Thuhet se popujt e mëdhenj janë Ajo që i kanë bërë vetë prej historisë, por Ne, si popull i ndarë, ende jemi Ajo që historia ka bërë prej nesh. Duke na ndarë si popull, na kanë cenuar lirinë tonë, e ka përgjysmuar mirëqenien tonë dhe e ka shtyrë lumturinë tonë. E kem mbijetuar marshin vrastar të historisë, por na ka mbetur një mur i madh në mes. Dita e rrënimit të këtij muri do të vijë, si domosdo e historisë.Politika globale kombëtare do më kënaqte dhe nëse vdes, atëherë do ti them vetes, mjaftë, tash gjeneratat e reja të ecin me unitetin. Të bësh politikë të mirëfillt në Medvegjë nuk është edhe shumë e rëndë, sepse duhet bërë të kundërtën e asaj që është bërë deri më tani.Shpresojë se jam i kuptueshëm në këtë pyetje.

Jeni tradhëtuar ndonjëherë?

Prof.Rexhep Abazi: Gjithmonë e kam thënë të vërtetën dhe do ta them, edhe pse më dhemb. Po, fatkeqësisht shumë herë edhe ate nga vetë bashkëkombasit tanë.

Po në politikë a ke shpëtuar pa u tradhëtuar?

Prof.Rexhep Abazi: Jo në politikë nuk ka të tillë që nuk tradhëtohen, andaj nuk ka përjashtim as tek unë.

“Një gjë është e sigurt, se gjeli do t’i bije një ditë dhelprës në gojë”

Nga kush frigohesh më shumë?

Prof.Rexhep Abazi: Nga perendia dhe nga ata që nuk punojnë dhe flasin. Nga ata që ditët duken dikushi dhe natën janë askushi. Nga ata që janë si pasqyrat e berberit. Nga ata që mashtrohen me pak, nga ata që e kanë syrin e unët për pushtet. Nga ata që shesin edhe veten për bajraktarizëm. Nga ata që flasin pas shpine. Nga ata që çojnë ujë në kufirin e armikut. Sa lezetshëm do të jetë për ata që janë në këto ekipe, do të thonë, profesori qenka frikacakë. Le të mendojnë kështu sa të dojnë. Një gjë është e sigurt, se gjeli do t’i bije një ditë dhelprës në gojë, sepse pulat do ti harxhohen, që ia dërgon natë për natë, e një natë harxhohen dhe dhelpra do ti kërkoje prap, e gjeli i gjorë i thotë nuk ka më, e tash, radha është e gjelit.

Keni përkrahje nga politikanët tanë të Preshevës dhe Bujanocit?

Prof.Rexhep Abazi: Më tepër deklarative se sa të sinqerta. Nuk dua të ndalem në këtë pyetje edhe aq shumë, sepse dihet se si është politika andej dhe si bëhet. Me ata që më përshtatet programi im, bashkëpunojë dhe u jam mirënjohës.

E vizitoni shpesh Preshevën dhe me kend pini kafe më me dëshirë?

Prof.Rexhep Abazi: Preshevën e vizitoj më së shumti kur duhet të shkoj për punë konkrete, ndërsa kafe me dëshirë pijë me ata të cilët kanë vizion, ide dhe veprime serioze për çështjen e shqiptarëve të Medvegjës, Preshevës dhe Bujanocit.

A është e përçarë politika shqiptare në Luginë të Preshevës?

Prof.Rexhep Abazi: Mozo ma keq, po si nuk është e përçarë.

Kemi informacione, se janë shitur tokat dhe shtëpitë me të madhe në Medvegjë?

Prof.Rexhep Abazi: Jo ta them sinqerisht, se në Medvegjë nuk janë shitur pronat shqiptare. Ka pasur këmbime të ca shtëpive me serbët e Kosovës, por jo shumë. Fatmirësisht deri më tani nuk është shitur asnjë toke e shqiptarëve.

Keni ndonjë strategji të rikthimit të medvegjasve në Medvegjë?

Prof.Rexhep Abazi: Blerja u tentua t’u ndalohet shqiptarëve në regjimin e Millosheviqit me ligjet diskriminuese, por as atëherë nuk u ndal plotësisht. Sot, shitblerje ka pak, sepse e ka bërë të veten kriza e tanishme, por edhe krizat në vazhdimësi si ato ekonomike, ashtu edhe ato politike dhe të sigurisë. Shqiptaret nuk i kanë pronat në shitje.
Që të rikthehen shqiptarët e dëbuar nga Medvegja, duhet së paku tu krijohen kushtet që ata i kishin në vitet 1999/2000, kur u dëbuan nga regjimi i Millosheviqit. Ky është minimumi që duhet të bëhet për ta, sepse atyre u janë rrënuar ekonomitë familjare dhe pasuria.

Sa familje janë në Medvegjë?

Prof.Rexhep Abazi: Në Medvegjë sipas regjistrimit të fundit të popullatës më 2002 i kemi të regjistruar 2880 banorë. Mirëpo ky regjistrim është i falsifikuar në dëm të shiptarëve. Një pjesë e tyre nuk jetojnë në Medvegjë. Rregullisht këtu i kemi rreth 150 familje, me afro 900 anëtarë.

“I bëjmë thirrje faktorit ndërkombëtarë, SHBA-së, BE-së, që të shikojnë më shumë për Medvegjën”

Keni përkrahje nga mediat e shkruara dhe ato vizuele, që veprojnë në Kosovë?

Prof.Rexhep Abazi: Më së tepërmi nga RTK dhe TV 21, të cilët i falënderojmë, ndërsa nga ato të shkruarat janë Koha ditore, me gazetarin Nexhat Buzukun, Lajm dhe Epoka e Re, të cilëve u jemi mirënjohës, por dua ta them edhe këtë, se mediat nuk janë duke e bërë realisht punën e tyre sa duhet, duke ditur, se Medvegja në çfarë situata është. Mirë do ishte të kemi më shumë kronika nga Medvegja për jetën e shqiptarëve në këtë pjesë dhe të motivohen medvegjasit që të rikthehen në tokat e të parëve dhe të investojnë. Kur ishte më se e nevojshme të luftohet për çlirim në Kosovë, tashë është më se e nevojshme të investohet në Medvegjë dhe të rikthehet jeta e Medvegjasve. Me këtë rast, i bëjmë thirrje faktorit ndërkombëtarë, SHBA-së, BE-së, që të shikojnë më shumë për Medvegjën, sepse serbët kanë të gjitha të drejtat e tyre në Kosovë e neve na ndalohet çdo gjë që është e jona, përveçse të marrim frymë lirshëm.

I duhet Medvegjës një parti autoktone?

Prof.Rexhep Abazi: Sikur çdo vendi tjetër që i duhet faktori politik, i cili vepron në vend, ashtu edhe Medvegja ka nevojë për subjekt politik autokton, por është problemi se vështirë të mbahet subjekti në vendin e vogël siç është Medvegja.

Si ju shkojnë punët me pushtetin lokal të Medvegjës?

Prof.Rexhep Abazi: Në pushtetin lokal në Medvegjë participojmë me tre këshilltarë komunal të dalur nga zgjedhjet e fundit. Jemi një opozitë e fortë, serioze dhe shumë konstruktive. Mirë do ishte të ishim të bashkuar me partinë tjetër shqiptare PVD, por kjo nuk po ndodh dhe nuk do të ndodhë siç po shihej, arsyet dihen. Nuk është mirë që ata që i thonë vetes, se janë të fortë në politikë e të vijnë nga Presheva, vetëm që të hajnë kumbulla, e dredhza, e të pijnë verë, por të bëjnë më shumë për Medvegjën, të ngrejnë zërin për Medvegjën e kështu me radhë.

Keni raporte të mira me kryesinë dhe anëtarësinë e gjerë të shoqatës humanitare “Medvegja” me qendër në Zvicër?

Prof.Rexhep Abazi: Po, kemi një bashkëpunim shumë korrekt me SHPH “Medvegja” në Zvicër, sepse na përputhen qëllimet dhe synimet, e ajo është që të punojmë për Medvegjën. Por, ata po bëjnë më shumë se ne. Po ndihmojnë nga djersa e tyre, skamnorët, ata të cilët kthehen për të jetuar në Medvegjë, nxënësit dhe studentët shqiptarë, si edhe aktivetet tjera. Mua më bëri përshtypje edhe veprimi i sukseshëm edhe i shoqatës “Lugina e Preshevës” me qendër në Gosau të St.Gallenit, e sidomos bashkëpunimi vëllazëror i këtyre dy shoqatave simotra. Ishte shumë mirë i përgaditur dhe i realizuar manifestimi kushtuar dëshmorëve të UÇPMB-së në maj të këtij viti në Zvicër. Kurse SHPH “Medvegja”, në bashkëpunim me veprimtarët e UDSH-së, në fillim të gushtit organizoi një takim madhështorë dhe të mrekullueshëm të mërgatës shqiptare të Medvegjës ne Livadhin e Halilit. Une do t’ju propozoja këtyre dy shoqatave, që vetëm në Medvegjë të organizojnë takimet e mërgatës së tri komuneve tona, të bëjnë këtë aktivitet të bashkuar vëllazëror. Shoqata humanitare “Lugina e Preshevës” dhe SHH “Medvegja” të bashkuara drejt qëllimeve të mëdha humanitare, do vlejnë si shembull i mirë për ne, që të jemi të bashkuar dhe të mos punojmë për mullirin e armikut.

Shpesh kjo shoqatë humanitare nga veprimtarë të diasporës quhet si ministre e jashtme e Luginës së Preshevës. Jeni të kënaqur me punën që ka bërë kjo shoqatë?

Prof.Rexhep Abazi: Po, kjo shoqatë është Ministria më e fortë, me ambasadorët medvegjas më të mirë në botën e jashtme, të cilët në mënyrën më të mirë e kanë prezentuar popullin shqiptarë në vendet ku jetojnë dhe punojnë, qoftë me ndershmëri, qoftë me aftësi dhe të arritura në punë dhe profesione të ndryshme, qoftë me bashkëpunim dhe integrim në vendet ku jetojnë dhe veprojnë, në prezantimin e kulturës dhe vlerave kulturoro historike shqiptare, me të arriturat në sport dhe me aktivitetet humanitare e shoqërore.

“Edhe situata e kulturës është në gjendje të mjerueshme”

Cila është gjendja arsimore, kultuore dhe fetare në Medvegjë?

Prof.Rexhep Abazi: Është e rëndë dhe e ngarkuar me pasoja të së kaluarës. Numri i nxënësve në shkollat shqipe është tepër i vogël dhe në zvogëlim e sipër. Kushtet materiale të shkollave janë të vështira. Por çka është më e keqja, mungon kuadri i kualifikuar për punë edukativo-arsimore në një përqindje të lartë. Tekstet shkollore përdoren edhe nga vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, të përkthyera me shumicë nga gjuha serbe. Planet dhe programet shkollore të Republikës së Serbisë, sidomos nga lëndët Natyra dhe Shoqëria, Historia, Gjeografia, Kultura Muzikore, Kultura Figurative, për shqiptarët janë joadekuate dhe jo kualitative.

Situata e kulturës është në gjendje të mjerueshme. As një shkronjë në gjuhën shqipe, errësirë totale informative, me një program të cenzuruar dy orë në ditë të radios lokale.Kemi dy xhami, në Siarinë dhe në Kapit, me pak xhemat, por mbahen disi. Është për të qajtur situata në Medvegjë. Alarmi është për të gjithë që kanë zemër shqiptari, që të intervenojnë, se me dy lule nuk qel pranvera. Të ngritet zëri për këto probleme, të shikojnë miqtë tanë ndërkombëtarë, se në Medvegjë është mjerim. Në Kosovë, serbëve u rregullohen shtëpitë, u jepen banesa të reja, e traktora të rinjë, e neve këtu, po na japin libra të vjetër, që të mësojmë për historinë serbe.

Shpesh shkoni në Kosovë nga Medvegja. Keni probleme në kufirin Serbi-Kosovë?

Prof.Rexhep Abazi: Në Kosovë nganjëherë ndodhë që të shkoj edhe dy herë brenda një dite, por brenda javës patjetër. Këto gardhiqe shpresojmë se një ditë nuk do të jenë, ato do të rrëzohen. Kohët e fundit medvegjasit që kanë të regjistruara makinat në Republikën e Kosovës, nuk mund të shkojnë me ato në Medvegjë, e as me të ashtuquajturat tabela “Proba” dhe as me pagesën e taksave. Edhe këto pengesa tregojnë se ku është barazimi i formulës së atyre që përgatisin. Leje Medvegjën e shko në Kosovë.

“Nuk bën të heshtim e as të hezitojmë më”

Para pak ditësh në Tiranë u mbajt Tubimi i Shqiptarëve nga te gjitha trojet tona ku u Promovua Lista për Shqipërinë Natyrale me në krye udhëheqësin Koço Danaj e në këtë takim edhe Ju prezentuat. Komenti Juaj?

Prof.Rexhep Abazi: Po, çështja kombëtare shqiptare na bie hise edhe neve. Mora pjesë në këtë eveniment kombëtarë me disa miqë e bashkëpunëtorë të Medvegjës dhe nga Bujanoci e Presheva. Ishte një nga opcionet e mundshme apo të themi të nevojshme për kombin shqiptarë. Duhet lëvizur gjërat në këtë drejtim edhe ate me inkuadrimin e të gjithë faktorëve dhe tërë potencialit politik shqiptarë. Nuk bën të heshtim e as të hezitojmë më. Nëse të dhemb krahu, i tërë trupi dhemb.

Jeni i kënaqur dhe çka prisni nga Këshilli nacional?

Prof.Rexhep Abazi:Nga Këshilli Kombëtarë i shqiptarëve do prisja shumë, por shqiptarët nuk kanë Këshill kombëtarë ende, andaj nuk kam çka të pres. Një Këshill partiak po provon ta bëj PVD e Riza Halimit, për interesa të Beogradit, por ai nuk është Këshill Kombëtar, prandaj është e kuptuar se çka mund të pritet nga ai.

Nëse do të ftohet faktori politik shqiptarë i Luginës në bisedimet Kosovë-Serbi, a do të kërkoni edhe Ju, që një përfaqësues të jetë i Medvegjës?

Prof.Rexhep Abazi: Patjetër, sepse problemet e Medvegjës dallojnë nga të tjerat në rajon.Në bisedimet Kosovë-Serbi duhet të jetë edhe tema e Luginës së Preshevës.

Pse sipas jush Medvegjën nuk e ka vizituar ndonjë lider qoftë nga Shqipëria apo Kosova?

Prof.Rexhep Abazi: Nuk e dij pse, për këtë duhet pyetur ata, por e di se kanë gabuar që se kanë bërë një gjë të tillë deri më tani. Ne kemi nevojë për ta, e si duket ata nuk po kanë nevojë për ne. E dhimbshme është pra, Tadiqi shkon në kisha, e liderë të tjerë serbë, e të tanët, shikojnë se çka po bëhet me ne dhe thojnë rrini, se mirë jeni. Ka edhe nga ata liderë, që presin, se një ditë do të bëhet mirë. Të mos na shikojnë si jetima, sepse historia do ti gjykojë.

Tek kush shpresoni më shumë për ndihmë Medvegjës, nga Shqipëria apo Kosova?

Prof.Rexhep Abazi: Realisht presim që më shumë të bëj Shqipëria, sepse Kosova është ende shtet i ri me shumë probleme të saja që i ka, si të brendshme, edhe pse një Medvegjë e vogël nuk duhet të jetë e rëndë për dy shtete shqiptare. Ne sytë i kemi nga Tirana dhe Prishtina dhe kërkojmë ndihmë e ata nëse nuk na japin, do të shkruajë historia. Shqipëria në NATO dhe tash drejt BE-së, do të jetë më mirë për ne edhe Kosova jonë, shpresojmë se nuk do të na harrojë dhe kemi shumë besim se nuk na harrojnë, do ti vijnë ditët, që ne të kuptojmë, se po punohet në këtë drejtim.

Po afrohet 28 Nëntori dhe flitet se flamuri kombëtarë do të valvojë në mes të Medvegjës. Sa janë të vërteta këto burime?

Prof.Rexhep Abazi: Edhe neve në Medvegjë na takojnë festat kombëtare dhe mendoj se do të festojmë sikur të gjithë shqiptarët. Është mirë që ai flamur gjendet në zemrën e çdo shqiptari medvegjas.

Na thoni drejtë. Fëmijët e tu, mendojnë se perspektiva është në Medvegjë?

Prof.Rexhep Abazi: Po, bile pas përfundimit të studimeve në Tiranë, më 2002, tre fëmijtë e mi me profesione shëndetësore erdhën në Medvegjë për të punuar, por pasi që nuk ju bë vendi, atëherë u kthyen në Kosovë. Kjo është realiteti dhe këtë pe dëshirojnë ata që natën punojnë dhe ditën egzekutojnë plane shfarorëse.

Cilin lider shqiptarë qoftë nga Shqipëria, Kosova apo Maqedonia, do ta pritni me më dëshirë?

Prof.Rexhep Abazi: Dr. Salih Berishën dhe z.Arbër Xhaferin. Kryeministrin tonë, apo liderin e kombit Sali Berisha e kemi në shpirt.

Medvegja është e njohur edhe me ujëra të ndryshëm shërues. I shijoni ndonjëherë ato?

Prof.Rexhep Abazi: Në të vërtet Baja e Siarinës ka 18 burime me ujëra të ndryshme minerale dhe shëruese. Një thesar të cilin ka mundur ta dhuroj vetëm Zoti, por që nuk shfrytëzohet sa duhet. Unë rrallë i përdori, vetem se kur nuk ka ujë të rëndomtë, nuk e dij përse, por janë pasuri e madhe. Dikur ishte e hareshme të afrohesh afër banjës, e sot është për gjunah, sepse ka pak shqiptarë, ose hiq. E këto bukuri dhe këto ujëra shërues, i shërbejnë serbëbe, që vijnë nga katër anët e Serbisë, e ne ia kemi lënë në dorë. Muzikë serbisht dëgjon gjithkah e ne si jetima ecim e shikojmë, e që dikur, ishte vetëm shqip, më duket, se edhe zogjët e malit, dinin shqip.

A shihni dallime mes Çamërisë dhe Medvegjës?

Prof.Rexhep Abazi: Dallimet janë, sipas mendimit tim këtu, se me çamër është historia më e hershme, e tek ne medvegjasit po përsëritet, duke ditur pasojat. Lirisht mundemi ti themi, se Medvegja është si Çamëria. Përmendet Medvegja, por asgjë nuk po bëhet në të mirë të saj. Por, është gabim të mendohet, se nëse në Prishtinë është mirë, Tiranë apo Shkup, e në Medvegjë me çizme robërie, kjo nyje e robërisë do të pëlcas një ditë, se nuk durohet vetëm robëri e robëri.

Ta bëjë një pyetje jashta politikës, për një relaks edhe për ju dhe për lexuesit tanë. Vitet po kalojnë dhe pleqëria po vjenë. Çka e kishe porositur gjeneratën e re të Medvegjës?

Prof.Rexhep Abazi: Përveç asaj që duhet ta duan më shume se çdo vend tjetër, duhet të punojnë që ajo të mos mbetet në situatën e tanishme, sepse do na mallkoj të gjithëve. Duani Medvegjën dhe mos i thuani të keqes e mirë. Medvegja po manipulohet.

Cili sport ju pëlqen më së shumti?

Prof.Rexhep Abazi: Shahu.

A do ta ndërroni veturën, sepse siç dihet moti e keni?

Prof.Rexhep Abazi: Unë do ta ndërroja, por ajo nuk don të më ndërroj mua.Veturat i ndërrojnë disa pushtetarë që kanë apetite karierizmi. Po ecë e deri sa të ecë mirë i kam punët. Është e vjetër, por mirë, në Prishtinë po shkoj, edhe në Preshevë e Shkup. Gjersa ecë mirë i ka punët dhe e kam çelësin tim, sa herë që po dua, po shkoj dhe po e dhezi e pastaj po e ngas. Të mos investojmë në vetura, por në projekte.

Prof.Abazi, çka është më kombëtare për momentin sa i përket kontributit drejt kthimit të jetës së dikurshme në Medvegjë?

Prof.Rexhep Abazi: Që të kthehen shqiptarët e saj, të jetojnë dhe të punojnë dhe veprojnë në Medvegjë.

Keni takime me Akademikun tonë Idriz Ajeti dhe me biznesmenin e mirënjohur Xhim Xhema, të cilët vijnë nga Medvegja?

Prof.Rexhep Abazi: Akademikun Idriz Ajetin e kam takuar herën e fundit në Konferencën Ndërkombëtare të Eposit shqiptarë për këngët e kreshnikëve, të mbajtur në Prishtinë, nga Instituti Albanologjik, në organizimin e prof.Dr.Zymer Nezirit, në verën e shkuar, ku isha edhe unë pjesëmarrës. Dukej mirë dhe mbahej mirë. Sa herë që kemi nevojë për ndonjë konsultim për Medvegjën gjithmonë me kënaqësi na pranon dhe na ndihmon. Ndërsa z.Xhemë Xhemën, i cili jeton në SHBA e kam takuar si nxënës i klasës së pestë, në vitet 1960/61 kur ai ishte mësues ne Tygjec.

Dua të theksoj, se atëherë ishte aq i afërt dhe i kulturuar sa që neve fëmijëve-nxënësve na fliste për dore, që na dukej sikur të na jipte një dhuratë të madhe. Që nga ajo kohë nuk e kam parë më. Kam dëgjuar, se është shumë i sukseshëm në SHBA, por disi pak po i dëgjohet zëri për Medvegjën. E di se e ka në shpirt Medvegjën, por kam dëshirë ta takoj dhe ti flasim më shumë, sepse ka miqë shumë dhe besoj se do të jap kontributin e tij për vendlindjen e tij. Në një takim me z.Diogardi të mbajtur në Gjilan para dy vjetësh i dërguam përshëndetje, sepse ai na tha se janë miq të mire me të. Ai nuk u lajmërua kurrë. Shfrytëzoj nga rasti qe edhe Akademikun e edhe z. Xhemën ti përshëndes dhe t’u propozoj, që për Medvegjën të bëjnë më shumë, njëri me pendë e tjetri me investime.

Keni vizituar Zvicrën dhe keni takuar edhe veprimtarët medvegjas atje. Kur po vijnë pushimet verore, a do ishte më mirë ti bëjnë dasmat në Medvegjë, kur dihet, se shumica prejt tyre kanë shtëpitë në Kosovë dhe atje po mbarojnë dasmat?

Prof.Rexhep Abazi: Dëshira e çdo kujt është e ndryshme, por të gjithë medvegjasit e dijë, se e duan Medvegjën, prandaj, gjithsesi do të ishte mirë ti mbajmë në Medvegjë, sepse e kthen gëzim dhe harenë e dikurshme.

Na përshkruaj një mbrëmje në Medvegjë, kur terri është mbi Medvegjë?

Prof.Rexhep Abazi:Qetësi relative, me pakëz drita të ndezura, pa lëvizje njerëzish të cilët dikur nuk pushonin as natën, sikur kemi rënë në një gjumë shumë të nxehtë e të thellë.

Prof.Ju falënderojmë edhe njëherë që ndatë kohën tuaj të çmuar për këtë bashkëbisedim dhe ju dëshirojmë shëndet dhe mbarësi. Dashtë zoti, që ti lëmë inatet me një anë kudo që ndodhemi dhe tu japim hapësirë atyre që vërtetë ia duan të mirën atdheut dhe të përkrahen ata që punojnë dhe që nuk rrahin gjokse e trumbetojnë, e të mos na ikin të rinjtë dhe truri medvegjas.

Prof.Rexhep Abazi: Edhe unë ju falënderoj që u kujtuat për ne medvegjasit, siç po bëni punë të mëdha në profesionin tuaj për Medvegjën. Ne nuk e harrojmë vizitën tuaj me shokët dhe bashkëpunëtorët tuaj vitin e kalur dhe mikpritjen vëllazërore, sa herë që vijmë në Preshevë. U jemi mirënjohës. Ju kemi edhe juve medvegjas, sepse medvegjasit në Zvicër, ju njohin si më shumë medvegjas se sa preshevar. Por, unë e di, se ne jemi bashkë dhe do të jemi bashkë. Ata që trumbetojnë, do të humbasin një ditë, sepse kupa me gënjeshtra është mbushur dhe nuk shkon kungulli gjithmonë mbi ujë.Përshëndes gjithë bashkëkombasit kudo që ndodhen, ata që e duan medvegjën dhe ata që janë nga medvegja. SHH “Medvegja” në Zvicër suksese, punoni dhe mos u dorëzoni, kur ju shohim juve që jeni të bashkuar, edhe ne nuk do të ndalemi, për ti motivuar ata që nuk janë të bashkuar me ne, por që i shikojnë interesat personale.Perendia Ju bekoftë kudo që ndodheni bashkëkombas të mijë, mos e harroni Medvegjën./AMC-medvegja.net/

Intervistoi: Dashnim HEBIBI
Foto: medvegja.net

Subscribe

Subscribe to our e-mail newsletter to receive updates.

No comments yet.

Leave a Reply