Alarmante me Preshevën, rrezikon të shijoj realitetin e Medvegjës
Cyrih 20 shkurt 2010 (medvegja.net)
Realiteti është realitet edhe pse shpesh nuk na pëlqen ta pranojmë, ose nuk dëshirojmë ta tregojmë. Dëshira dhe mundësia edhe këto dyja në parim janë shumë larg njëra tjetrës.
Të shikosh në Aeroportin e Cyrihut, të shikosh në stacionin e autobusëve në Cyrih, apo në Bruksel, Dyseldorf…, përplot me bashkëkombas, të lodhur, të rraskapitur, dikend del dikush i afërt e pret për ta marrur, e dikushi mbetet me fatin e jetës, duke shikuar realitetin e ri dhe dëshirën e tij të ëndërruar me dekada. Ah, kjo varfëria dhe papunësia. ” O sikur ti kisha të sigurta 500 euro në Preshevë, kurr nuk kisha dalur në këtë dimër të ftoftë rrugës të evropës edhe ate me fëmijët e vegjël, por ja që fukarallëku, e dini se fukarallëku të dërgon në derën e hasmit.
Nuk ka punë, ose ke pak punë, por duhesh të jesh në partinë e atij apo këtij. Mjerim në Preshevë, nuk ka ndryshim, asgjë të re, por vetëm kafet plot me njerëz dhe bëjnë plane se si të dalin jashtë e të kenë një jetë më të mirë. Edhe unë dola kështu, do rri ndonjë ditë në Zvicër dhe pastaj do shkojë në Belgjikë, ose Francë, po thonë se atje po pranojnë refugjatë”-kështu na tha Bujari nga komuna e Preshevës, që kishte dalur nga Presheva. Heqja e vizave dhe e mira e saj?
Të bësh luftë, dihet se edhe mundesh të humbasësh edhe ushtarë, por nga mësimet e dështimeve, mësojnë ata që kanë ide për të pastruar etnikisht një vend.
Të largohet rinia nga atdheu ynë, atëherë çka pret nga vendi. Është alarmante situata me Preshevën dhe rrethinën e saj. Dihet se kush po përfiton nga këto largime. Dita ditës, përplot autobusat drejt evropës. Po mbetet Presheva e zbrazët, të dalësh në qytet, të mungon i afërmi, nuk e sheh shokun, kusheririn, dajën e kështu me radhë, ka udhëtuar, nuk e di se si i ka bërë 500 euro, me rëndësi paska shkuar në Belgjikë.
Armiqtë dinë se si të përfitojnë nga këto situata të dhimbshme. Edhe sa duhet të largohen, që të mbahet ndonjë tryezë debati në Preshevë, që të sqarojnë dhe ti jepet mundësi punësimi apo… A është duke mbajtur statistikë, se sa të rinjë e të reja po largohen nga Presheva. Edhe Medvegja ka filluar dalëngadal të largohet dhe sot është ajo situatë që është, që dëshirojmë ta kthejmë, si ka qenë, por Jo, nuk mundet të kthehet.
Situata e Medvegjës është krejt ndryshe, sepse largimi i tyre është në situatë tjetër, por kësaj radhe, nga Presheva, po largohen për një jetë më të mirë, por po zbrazet qyteti dhe rrethina.
Realitetet i dhimbshëm, përveç traumave të tjera, që kanë lidhje me problemet e shumta që i ka Presheva, vazhdojnë t’na ofrojnë edhe këtë realitet të idhët, po përjetojmë largimin e të rinjëve dhe tek tuk edhe familje të tëra. Ky largim e ka shumë të vështirë të frenohet, sepse hovi është i madh, sikur dallgët e mëdha të detit.
Prej ditës së parë të heqjes së vizave, pra më 19 dhjetor 2009, janë larguar dhe po largohen plot të rinjë dhe familjarë nga Presheva e me rrethin.
Jeta rinore është total e bllokuar në Preshevë, dëshiron të realizosh një ide të mirë për rininë e asaj ane, je i bllokuar, sepse jemi mësuar me hapje kafiqesh, bastoresh.
Presheva është e njohur me intelektualët e saj, me afaristë e saj e veprimtarët e situatave të ndryshme, por akulli i fortë e ka kapur me heqjen e vizave dhe askushi nuk e flet asnjë fjalë, por këto fjalë, diskutohen nëpër rrojtore dhe kafiqe.Janë bllokuar mundësitë nga politika dhe institucionet “nyje”, pra që nuk u hapin as rrugë veprimi, as u krijojnë mundësi për të dhënë kontributet.
Këta që po largohen, kanë qëllimin për të mos u kthyer më, sepse nuk mund të bashkëjetojnë me një realitet poshtërues. Presheva i gjason realitetit të dhimbshëm, je shumë i pasur ose i varfër.
Me shumë bashkëkombas që po i takojmë në diasporë, po thonë se largimin e kanë bërë si një mundësi të detyruar, të vetëdijshëm se duhet ta hidhnin këtë hap, ose të rrinë në fukarallëk, sepse askush nuk mendon për të mirën e tyre. Jeta rinore është mjerim total. Nuk ka aktivitete rinore dhe situata gjithnjë e më shumë po rëndohet. Diskutimi primar është politika. Shumica që po largohen, mendojnë se do të gjejnë punë, por edhe mundësia tjetër është, që të martohen dhe ti bëjnë letrat apo të regjistrohen si refugjatë, bile ta bëjnë një jetë më të mirë.
Të drejtat e atyre që duan ndryshime radikale në Preshevë dhe që kanë ide prosperiteti vazhdojnë të mbeten monopol i zyrave të “kuadrit” të partive, të cilat nuk të pranojnë në punë, nëse nuk mban parullat e reklamës së partisë, nëse nuk bëhesh shërbëtor i llafosjes, nëse nuk bëhesh servil dhe bashkautor i heshtur i interesave të kapove të atyre që janë të fortë.
Kjo “hemorragji” po gërdit me të madhe rininë bile edhe më të vjetrit.
Përditë ikin, dhe nuk ka përpjekje të intelektualëve e specialistëve të vendit, për ta shëruar këtë eveniment të rëndë që po ndodh.Kush do ta merr përgjegjësinë, që nëse pas tre vjetëve, Presheva të jetë gati si Medvegja?
Këtë largim e diktojnë pagat e ulëta ose injorimi ndaj atyre që duan ndryshime dhe papunësia e madhe.
Politika po e sheh mirë këtë realitet që po ndodh, por nuk përpiqet ta parandalojë ose të krijojë kushte, të paktën minimale bindëse e konkrete, qoftë nga pozita apo opozita.
Shumica e të rinjëve që kryejnë studimet, shkojnë në Kosovë për një jetë më të mirë, sepse po mbete në Preshevë, je i kufizuar dhe provincial.
Është e natyrshme që të ikësh nga një shoqëri e cila udhëhiqet (jo vetëm sot) nga njerëz që politikën e shohin vetëm për të siguruar një pagë.Rinia është e ardhmja e çdo shoqërie dhe si të tillë ata duhet që të kenë të ardhura të mjaftueshme të përballojnë mënyrën e jetesës në vendet ku ata jetojnë dhe tu jepet hapësirë veprimi dhe jo të ngulfatet.
Nëse e kontrollojmë rininë për së afërmi, për ne do të jetë e mundur që të konkludojmë se rinia në përgjithësi është tri llojesh: Rinia e udhëzuar drejt, rinia e devijuar apo perverse, dhe rinia e cila është në konfuzion (në mes të mirës dhe së keqes).
Rinia, pjesa më e re dhe më vitale e atdheut, ndodhet në udhëkryq të rëndë. Ndodhet në udhëkryqin mundonjës të së ardhmes më të sigurt dhe kërkimit dëshpëronjës të një shprese optimiste.Realiteti ynë shqiptar nuk është në gjendje ti krijoj rinisë një hapësirë me horizonte e vizione krenarie, dinjiteti e perspektive.
Rinia e Preshevës është në një “burg të madh”, provincë, që po vazhdove të kërkosh realizim idesh, të dalin thinjat dhe dorëzohesh dhe sillesh nga qendra e qytetit e vjenë deri tek shkolla fillore, shikon dhe prap kthehesh prapa, ku me shku, një rrugë dhe një drejtim, monotoni.Burg i madh shpresash, ëndërra e jetëra të privuara që vërtiten dëshpërimisht rreth mureve të ftohta refuzuese të paternalizmit e nepotizmit më cinik. Nuk ka shpresë, nuk ka të ardhme dhe së fundi asnjë atdhe për këtë rini të drobitur e të brengosur nga sindroma e “ikjes nga sytë këmbët”, nga varfëria, papunësia…
Të debohet rinia është si të dëbosh të ardhmen dhe shpresën e një kombi.
Ky është realiteti i idhët, që dikujt nuk i shkon për huji, por lëkura e trashë duron dhe një ditë plas ose infektohet. Presheva në vend se të jetë një parajsë e lumtur, me gjithë atë energji idesh që ka rinia e asaj ane, presin ditë më të mira, por realiteti është realitet, është nyje e idhët, ose “burg”. Si të parandalohet kjo ikje e madhe nga këto treva?
A duhet të presim pa ngritur zërin e realitetit? Rinia e diasporës dhe qytetarët e kësaj treve, do të dijnë ti përballojnë kësaj që po ndodh, por natyrisht, duhet ngritur zërin e dhënies të mundësive prosperuese për këtë pjesë të atdheut të kësaj Albanie të vogël. Preshevë mbahu e fortë…
Nga Dashnim HEBIBI (Drejtues i Qendrës Mediale Shqiptare në Botë dhe agjencise se lajmeve kosovaere.ch)

20 Shkurt 2010
-Lajmet-