RSS

BE-ja diskuton problemin e mosnjohjes së diplomave të Kosovës nga Serbia

10 Shkurt 2011

-Lajmet-

BE-ja diskuton problemin e mosnjohjes së diplomave të Kosovës nga Serbia


Bujanovc,Medvegje,Presheve, 7 shkurt


– Bashkimi Evropian është duke e ndjekur problemin e mosnjohjes së diplomave të Universitetit të Prishtinës nga shteti i Serbisë, dhe këtë çështje do ta shtrojë në kuadër të procesit të Serbisë për Stabilizim-Asociim.
Një letër e zyrtarëve të BE-së drejtuar Këshillit të të Drejtave të Njeriut në Beograd ka ngritur çështjen e refuzimit të shtetit të Serbisë për të njohur diplomat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës të marra në Universitetin e Prishtinës apo në universitete të tjera, private, në Kosovë.
Letra, siç shkruan sot “Koha Ditore”, vjen si përgjigje kërkesës së shtruar Brukselit nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut për të trajtuar çështjen e diplomave.
“Raporti më i ri i Komisionit të Evropës për Serbinë tregon se nuk është bërë një zgjidhje e qëndrueshme lidhur me njohjen e diplomave që lëshon Universiteti i Prishtinës”, thuhet në letrën e BE-së, të nënshkruar nga Pierre Miller, drejtor i Drejtorisë për Ballkanin Perëndimor në Komisionin e Evropës, dhe nga Gunnar Vigand, përfaqësues i KE-së për Evropën Lindore dhe Rusinë.
Në letër shtohet: “Duke e pasur parasysh se kjo (mosnjohja e diplomave) ndikon në të drejtat e njeriut dhe të pakicave, ne përsëri do ta nisim këtë çështje në organet relevante në kuadër të procesit të Stabilizim-Asociimit”.

Në letër, po ashtu, thuhet se procesi i dialogut mes Serbisë dhe Kosovës pritet të nisë së shpejti dhe se kjo do të duhej të zgjidhte probleme të shumta, përfshirë edhe atë të njohjes së diplomave të lëshuara nga Universiteti i Prishtinës.
“Në këtë kuadër, ne do t’i nxisim të dyja palët që të kenë cak zgjidhjen e shpejtë të problemit, konform standardeve evropiane”, thuhet në letrën e Brukselit. “(Komisioni Evropian) do të vazhdojë të ndjekë përpjekjet e pushtetit në Serbi për të zhvilluar arsimin në gjuhë amtare në Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë”.

Komisioni Evropian është i njoftuar se një grup punues ka arritur të zhvillojë plane për hapjen e një fakulteti multietnik në Bujanovc në tetor të këtij viti.
Dyzet e katër organizata joqeveritare, aktive në fushën e të drejtave të njeriut, kanë nënshkruar një apel, përmes të cilit kanë kërkuar nga shteti i Serbisë njohjen e diplomave të lëshuara në Kosovë.

Sipas përfaqësuesit të Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Bujanovc, Ragmi Mustafa, përgjigjja nga Bashkimi Evropian ka ardhur pas iniciativës së përfaqësueses së BE-së për Politikë të Jashtme, baroneshës Catherine Ashton, dhe komisarit për Zgjerim të BE-së, Stefan Fuele.
“Ata theksojnë edhe nevojën mes dialogut të Prishtinës dhe Beogradit që janë në gatishmëri të ndihmojnë edhe në çështjen e diplomave, të cilën e kanë ngritur edhe përmes protestave, e pritet që në këtë standard të zgjidhet edhe ky problem mes këtyre dy vendeve”, ka theksuar Mustafa.
Gjithashtu, në përmbajtje të letrës, sipas Mustafës, ata vënë theks të posaçëm se ngritjen e institucioneve të larta në Luginën e Preshevës janë duke e monitoruar me ngritjen e këtyre institucioneve, përkatësisht të disa fakulteteve në Preshevë, apo në Bujanovc, e cila është paralajmëruar nga Republika e Serbisë./kohaditore/

Subscribe

Subscribe to our e-mail newsletter to receive updates.

One Response to “BE-ja diskuton problemin e mosnjohjes së diplomave të Kosovës nga Serbia”

  1. Gurbetqari Says:

    Natyrisht, BE e diskuton problemin e mosnjohjes se diplomave te Kosoves nga ana e Serbise.Sepse, me kete, ky shtet ben nje shkelje te rend te te drejtave njerezore te Shqiptareve te Medvegjes, Bujanocit e Presheves.

    Te drejtat njerezore nuk jipen, nuk falen,por, as nuk merren.Ato jane te natyrshme, andaj, cdo rregullim shoqeror, cdo shtet, cdo regjim ato duhet t’i respektoje dhe mbroje.T’i mbroj nga njerezit qe i rrezikojne por edhe nga vet shteti.Serbia nese deshiron te jete shtet demokratik- te drejtat e Shqiptareve nuk guxon as t’i mohoj as t’i shkele. Te drejtat njerezore jane kategori qe nuk mund t’i mohoje asnje shtet, asnje qeveri, asnje parti politike dhe asnje individ (sundues).

    Me mosnjohjen e diplomave te shkollave dhe te Universiteteve shume kualitative te Kosoves Shqiptareve te Lugines, Qeveria aktuale e Serbise, ne fakt, shkele dhe mohon dy te drejta themelore te Shqiptareve- TE DREJTEN PER SHKOLLIM DHE PUNESIM. “Te rritureve u jep pune, kurse, te rinjeve shkollim”, eshte nje nder formulat themelore te barazise se njerezve.

    Sic duket cdo regjim Serb eshte kunder arsimimit te Popullit Shqiptar.Nese jo ne Kosove, atehere, ku mund te shkollohen Shqiptaret e Lugines? Me mosnjohjen e ketyre diplomave qeveritaret e tanishem ne Serbi, edhe nje here po deshmojne se ky shtet nuk i don Shqiptaret e shkolluar e arsimuar, por, te pashkolluar, te nenshtruar, pa dije, bujqe e punetore krahu.Mirepo qenja Shqiptare, per vetembrojtje dhe per mbijetese, perndryshe, per nga natyra popull intelegjent, eshte arsimdashes. Askush si Shqiptari nuk i kushton rendesi me te madhe shkollimit te femijve, sepse, kjo eshte parakushti per prosperitet individual dhe si Komb.Mos- njohja e diplomave eshte shkelje e rend e te drejtave njerezore, andaj, bota e civilizuar reagon ne menyre adekuate- se pari e diskuton problemin a pastaj,me siguri, vijojne edhe masa tjera.

    Mendoj se ky eshte rezultat i reagimit te organizuar mire te subjekteve politik dhe te liderve Shqiptare te Lugines. Natyrisht edhe te protestes se Shqiptareve te Lugines.

Leave a Reply