Muhoc/Bujanoc, 30 korrik 2010 (medvegja.net)
Me një ceremoni modeste, të organizuar nga banorët e fshatit Muhoc, Bashkësia Lokale, OVL e UÇPMB-së – Dega në Bujanoc, si dhe Shoqata “Lugina e Preshevës”, familjes së Kadri Hajrullahu nga Muhoci iu dorëzuan çelësat e shtëpisë së re, familje kjo gjashtanëtarëshe, e cila kishte jetuar në një gjendje jashtëzakonisht të rëndë.
Shtëpia është kryesisht donacion i Shoqatës “Lugina e Preshevës”, me seli në Zvicër, por me nga një shumë modeste kishin kontribuar edhe Kuvendi Komunal, Këshilli i Bashkësisë Islame në Bujanoc dhe donatorë të tjerë.
Të pranishëm në këtë festë të familjes Hajrullahu ishin z. Fazli Musliu, nënkryetar i Shoqatës “Lugina e Preshevës” në Zvicër; z. Zenel Neziri, kryetar i Shoqatës “Medvegja” në Zvicër; z. Zymer Ismajli, kryetar i Degës së OVL-UÇPMB-së; z. Shefket Ibishi, arkëtar i OVL së UÇPMB-së në Bujanoc, përfaqësues të UDSH-së nga Medvegja e Bujanoci, kryetari i Bashkësisë Lokale, imami i fshatit, përfaqësues të mediave të shkruara, në mesin e tyre edhe medvegja.net.
Projekti që kap shumën rreth 18 000 euro, prej të cilave rreth 12 000 janë ndarë nga Shoqata “Lugina e Preshevës” është implementuar nga OVL e UÇPMB-së në Bujanoc, në bashkëpunim me Këshillin e fshatit dhe Bashkësinë Lokale në Muhoc.
Edhe kësaj radhe nuk mungoi solidariteti i Shoqatës “Medvegja”. Z. Neziri, në emër të kryesisë së shoqatës, i dhuroi familjes Hajrullahu një ndihmë prej 500 frangave zvicerane.
Medvegja Forum


1 Gusht 2010
-Lajmet-