RSS

Dashnim Hebibi ambasador i paqes

20 Mars 2011

-Lajmet-

Federata e Paqes Universale ia ndau çmimin:

Dashnim Hebibi ambasador i paqes

Prishtinë,20 Mars(medvegja.net)

Dashnim Hebibit, gazetar, publicist, poet e veprimtarë i dalluar i diasporës sonë, i jepet Titulli: “AMBASADOR PËR PAQEN” – “AMBASSADOR FOR PEACE” nga organizata UPF, (Federata e Paqes Universale), një Organizatë me status të veçantë në Këshillin Ekonomik dhe Social të Kombeve të Bashkuara (OKB). Ky takim u organizua me rastin e punimeve të Asamblesë së Këshillit Kombëtar të Federatës së Paqes Universale në Kosovë, të premten më 18 mars 2011, në hotel Victoria në Prishtinë. Federata e Paqes Universale është një aleancë globale e udhëheqësve të jetës politike, akademike, fetare, të shoqërisë civile, individëve dhe organizatave që i dedikohen ndërtimit të një bote të paqes në të cilën të gjithë mund të jetojnë në liri, harmoni, bashkëpunim dhe prosperitet të përbashkët. Federata e Paqes mbështet projekte edukimi që synojnë zhvillimin e karakterit, dashurinë e pastër, të forcojë martesën dhe familjen, parandalimin e SIDAs, zhvillimin e qëndrueshëm dhe arsimin, si edhe një program të gjerë me projekte shërbimi dhe ndihme. Përpjekjet për të krijuar një qeverisje të mirë përfshijnë mbështetjen e krijimit të një Këshilli ndër-religjioz pranë OKB-së dhe një seri samitesh botërore me këtë tematikë.Konferencën e nderuan me pjesëmarrjen e tyre; Kryetari i Federatës së Paqes Universale Botërore Dr. Chung Hwan Kwak dhe Sekretari i Përgjithshëm i saj Prof. Dr. Tomas Walsh. Konferenca përfshiu fjalë nga personalitete të larta, një seri prezantimesh informuese.

Gjithashtu në këtë veprimtari morën pjesë shumë personalitete nga fusha të ndryshme e jetës politike e publike, nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, çamëria, Mali i Zi, etj, si Hajredin Kuçi zv.kryeministër i Kosovës, Bajram Rexhepi ministër i brendshëm i Kosovës, Adem Demaçi, veprimtar i njohur i çështjes shqiptare i cili njihet si Mandela i Evropës, Hydajet Hyseni Kryetar i Federatës së Paqes – Kosovë, Bardhyl Mahmuti kryetar i Bashkimit Demokratik Shqiptar në Maqedoni, rektor Universitetesh, Kryetari i Akademisë së Shkencave të Kosovës, deputet, gazetarë, shefi i policisë së Kosovës dhe shumë veprimtarë të tjerë. Ceremonia u çel me një minutë heshtje, duke nderuar dëshmorët e rënë për liri dhe pastaj vazhdoi me dokumentar të shkurtër që bën fjalë për rolin që ka luajtur dhe luan “UNIVERSAL PEACE FEDERATION” në rafshin global. Punimet e kësaj Konference i përshëndeti z. Gaqo Apostoli – Anëtar i Këshillit Global të Paqes, Bardhyl Mahmuti, Hydajet Hyseni Kryetar i Federatës së Paqes – Kosovë, zv.Kryetar i Federatës së Paqes për rajonin e Ballkanit, z.Jang Dug Bong – Drejtori i Federatës së Paqes për Rajonin e Ballkanit. Kryetari i Federatës së Paqes Universale, Dr. Yong Chel Song, pasi përshëndeti të pranishmit diskutoi në temën: “Federata e Paqes Universale dhe Vizioni i saj për Paqen Botërore. Në fund të veprimtarisë u zhvillua ceremonia e emërimit të Ambasadorëve të Rinj të Paqes.

AMBASADOR PËR PAQEN

Titullin “Ambasador për Paqe” e marrin ata individë, jeta e të cilëve reflekton dukshëm idealin e të jetuarit për hir të të tjerëve dhe që i përkushtohen me punën e tyre promovimit të vlerave morale universale, krijimit të një familjeje të fortë, bashkëpunimit ndërfetar, harmonisë në marëdhëniet ndërkombëtare, rinovimit të kulturës politike deri në nivelet më të larta kombëtare, rajonale dhe globale, për një masmedia të përgjegjshme dhe vendosjen e një kulture globale të Paqes. Duke kapërcyer barrierat racore, kombëtare dhe fetare, Ambasadorët për Paqen japin kontributin e tyre në krijimin e asaj që për njerëzimin ka qenë dhe mbetet shpresa e të gjitha kohërave, “Një Botë e Bashkuar në Paqe”. Dashnim Hebibi, ky publicist nga Presheva, pas marrjes së çmimit “Ambasador i Paqes”, bashkëbisedoi me kryetarin e Federata e Paqes Universale z.Dr. Yong Chel Song, ku e njoftoi me situatën aktuale në komunat shqiptare Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, në këndin e një publicisti i cili jeton dhe vepron në diasporë, si dhe për punën e madhe që po e bëjnë bashkatdhetarët në diasporë për të mirën e përgjithshme. Ndërkohë, z.Hebibi, pati takime të shumta si me zv.kryeministrin e Kosovës Hajredin Kuçi, ministrin e brendshëm Bajram Rexhepi, Bardhly Mahmuti kryetar i Bashkimit Demokratik Shqiptar në Maqedoni, Adem Demaçin veprimtar i njohur i çështjes kombëtare, Hydajet Hyseni kryetar i Federatës së Paqes – Kosovë, Mujë Rugova rektor i UT-së, kryetarin e Akademisë së Shkencave të Kosovës z. Besim Bokshi dhe disa veprimtarë të tjerë të pranishëm, ku i njoftoi gjithashtu me punën që po bëjnë bashkatdhetarët në diasporë e konkretisht në Zvicër dhe kontributin e pazëvendësueshëm të bashkatdhetarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit në senzibilizimin e nyjes së pazgjidhur të këtyre tre komunave shqiptare, të cilat gjenden në një situatë të njohur për të gjithë. Z.Hebibi, me punën e tij në fushën e medias, për këto dhjetë vjetë ka realizuar shumë shkrime, shumë takime të rëndësishme, duke u nisur nga SHBA dhe në tërë diasporën, me Wesli Clark, Calmy Rey, por si takim i rëndësishëm i tij në Zvicër është kur z.Hebibi, mblodhi të gjithë subjektet politike që veprojnë si degë në Zvicër e shoqata humanitare dhe i dërgoi së bashku tek ambasadori i Shqipërisë në Bern Mehmet Elezi, për të përshëndetur nënkshkrimin e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në NATO, pra në ate kohë, gjest të cilin e vlerësuan shumë veprimtarë në diasporë e më gjerë. Me një fjalë z.Hebibi, është shumë modest, veprimtar i unitetit dhe i pandalshëm në punën e tij profesionale, i cili edhe ka realizuar shumë ide të mira për organizime të mirëfillta në diasporën tonë. Edhe z.Hydajet Hyseni, e vlerësoi z.Hebibi, si veprimtarë të shquar të diasporës sonë. Z.Hebibi me të marrur këtë çmim iu tha shumë të pranishmëve, se këtë çmim e ndanë me bashkatdhetarët, sepse janë ata që kanë kontribuar shumë për atdheun dhe nuk ndalen së vepruari në asnjë mënyrë. E në këtë rast, e sheh të arsyeshme shumë, që të lobohet edhe për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, ku z.Hebibi, këto treva i quan Peoni Dardane.
Z.Hebibi në këtë takim bashkëbisedoi edhe me kryetarin e Asamblesë komunale të Bujanocit Jonuz Musliu, i cili njëherit është edhe lider i Lëvizjes së Progresit Demokratik për rajonin e Luginës së Preshevës, ku u nderua me këtë çmim dhe më pastaj zgjatën dorën e urimit njëri me tjetrin.

Po japim edhe ftesën e dërguar:
Ftesë

I nderuar z.Dashnim Hebibi

Me kënaqësi të veçantë ju parashtrojmë këtë ftesë për të marrë titullin Ambasador për Paqen që do të jepet gjatë punimeve të Asamblesë së Këshillit Kombëtar të Federatës së Paqes Universale në Kosovë, të premten më 18 mars 2011, në hotel Victoria në Prishtinë.
UPF (Federata për Paqe Universale) është një aleancë globale e udhëheqësve të jetës politike, akademike, fetare, të shoqërisë civile, individëve dhe organizatave që i kushtohen ndërtimit të një bote të paqes në të cilën të gjithë mund të jetojnë në liri, harmoni, bashkëpunim dhe prosperitet të përbashkët. E themeluar në Nju Jork, në vitin 2005, nga Reverend Dr.Sun Myung Moon, Federata e Paqes mbështet projekte edukimi që synojnë zhvillimin e karakterit, dashurinë e pastër, të forcojë martesën dhe familjen, parandalimin e SIDA-s, zhvillimin e qëndrueshëm dhe arsimin, si edhe një program të gjerë me projekte shërbimi dhe ndihme. Përpjekjet për të krijuar një qeverisje të mirë përfshijnë mbështetjen e krijimit të një Këshilli ndërfetar pranë OKB-së dhe një seri samitesh botërore me këtë tematikë.
Gjatë asamblesë ju do të keni rastin për të kuptuar motivin e krijimit dhe konceptet themelore të Federatës së Paqes Universale që do të prezantohen nga personalitete vendase dhe të huaja. Asambleja do të vazhdojë përgjatë tre seancave ku, në seancën e fundit do të ketë emërime të reja të Ambasadorëve për Paqen mes të cilëve jeni përzgjedhur edhe juve për kontributin e çmuar që keni dhënë në promovimin e kulturës së paqes në Kosove dhe më gjerë.
Shpresojmë se do të pranoni ftesën dhe do të rezervoni kohën tuaj të çmuar për të na nderuar me pjesëmarrjen tuaj.
Zoti ju bekoftë ju dhe familjen tuaj!
Sinqerisht Juaji,
Dr. Yong Cheol Song Kryetar i Federatës së Paqes – Evropë
Hydajet Hyseni Kryetar i Federatës së Paqes – Kosovë

Shkruan Faik Abazi

Subscribe

Subscribe to our e-mail newsletter to receive updates.

2 Responses to “Dashnim Hebibi ambasador i paqes”

  1. prof..Rexhep Abazi, Medvegje Says:

    Eshte kenaqesi kur nga gjiri i kombit shqiptar dalin djem si z.Dashnim Hebibi. Kjo kenaqesi eshte edhe me e madhe sepse ky veprimtar vjen nga Kosova Lindore te cilen e perbejne: Presheva,Medvegja dhe Bujanoci. Andaj nga zemra i uroj ndarjen e titullit: Amabasador i paqes dhe i deshiroj jete te lumtur, shendet te mire dhe suksese edhe me te medhaja ne punen e tij te ardhshme.
    Medvegje, 20 mars 2011 prof. Rexhep Abazi

  2. Fadil Selmani Says:

    Përshëndetje të përzemërta dhe Urime të sinçerta mikut të nderuar Z.dashnim Hebibi për titullin Ambasador i paqës. Është vërtet knaqësi e madhe kur nderohen njerëz të tipit Dashnim Hebibi i cili është i pazëvendësuar në shumë lëmi. Kënaqësia është shumëfish më e madhe kur vërtet nderohen ata që e meritojnë,dhe është pikërisht ai që e meriton një nderim të tillë. I dëshiroi jetë të gjatë, shëndet të plotë, harmoni të merituar dhe suksese të gjithanëshme Z.Dashnim Hebibi, duke i shprehë njëkohësisht falëminderimet e sinçerta për gjithë atë që ka bërë për Kombin Shqiptarë në përgjithësi dhe Kosovën Lindore në veçanti. Me nderime Fadil Selmani, Gjenevë – Zvicër .

Leave a Reply