Dialogu bilateral në të mirë edhe të « Luginës së Preshevës »
Shkruan:Muhamet Ilazi
Medvegjë,Preshevë,Bujanoc,21 mars(medvegja.net)
Dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, i cili filloj këto ditë, e sjellë prapë në spikamë « Luginën e Preshevës » në skenën politike rajonale; si një çështje të internacionalizuar më herët në marrëdhëniet ndërkombëtare, por e harruar nga bashkësia ndërkombëtare, me dashje apo pa dashje. Bashkësia ndërkombëtare, jo që ende nuk ka zgjidhë këtë problem përfundimisht, por ajo ka lënë edhe shumë çështje tjera të hapura (apo të pazgjidhura) kundrejt Serbisë dhe Kosovës. Gjithashtu, edhe dy shtetet e sipërpërmendura nuk kanë arritur deri sot të zgjidhin problemet e tyre praktike dhe fqinjësore, të cilat kanë të bëjnë direkt apo indirekt me jetën e njerëzve në këtë rajon. Prej lojërave të deritanishme multilaterale dhe unilaterale, iu erdhi koha edhe bisedave bilaterale, kësaj të fundit, në prag të zgjerimeve Euro-Atlantike, nuk mundet t’i iket.
Në këto lojëra politike ka qenë gjithnjë e involvuar edhe problemi i « Luginës së Preshevës », njëherë në interes të bashkësisë ndërkombëtar dhe Kosovës, por gjithnjë edhe në interes të Serbisë. Status quo-ja në « Luginës së Preshevës » ishte interes i Serbisë për paralelet e mundshme me Kosovën respektivisht me çështjen e Serbëve të Kosovës, e cila ishte dhe është një sfidë e madhe edhe për politikën e « Luginës së Preshevës ». Edhe kësaj radhe, politika dërmuese e « Luginës së Preshevës » thuajse si gjithmonë e pa organizuar dhe unifikuar, ka kërkuar kyçjen e tyre në këto bisedime, edhe pse bashkësia ndërkombëtare, respektivisht Bashkimi Evropian, në asnjë rast të vetëm nuk ka paralajmëruar kyçjen e « Luginës së Preshevës » në këto bisedime. Kjo tregon pafuqinë e tyre për të artikuluar dhe plasuar problemet e tyre në mënyrë adekuate te faktorët relevant vendorë e ndërkombëtarë. Në anën tjetër këtij pasiviteti të politikës në “Luginë” nuk mund t’i ikë bashkësia ndërkombëtare, Serbia dhe Kosova përballë një situate të rëndë politike dhe ekonomike në « Luginë të Preshevës », sepse këto probleme janë të lidhura ngushtë me rajonin dhe akterët aktiv në këto hapësira të Ballkanit Perëndimor.
Për herë të parë, në krahasim me historikun e bisedimeve të deritashme, dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, ka një rëndësi të veçantë. Do bëj përpjekje të shkoqis dy nga arsyet më të rëndësishme që flasin “pro” këtyre bisedimeve. Njëra është, se këto zhvillohen në paqe, nga dy qeveri të zgjedhura demokratikisht, të udhëhequr nga dy njohës të mirë të marrëdhënieve shqiptaro-serbe dhe me observim ndërkombëtar; që nënkupton, një dialog kryesisht në interes të palëve në bisedime pa afate të caktuara. E dyta është, se për herë të parë do të diskutohet kryesisht për çështje praktike, që si përmbajtje thelbësore kanë lehtësimin e jetës së qytetarëve në të dyja vendet. Edhe për qytetarët e « Luginës se Preshevës » ky dialog duhet të sjellë lehtësime, ku do të mundësojë një debllokim të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjes.
Pasi bëhet fjalë për dialog për çështje praktike, atëherë edhe ne duhet të përkufizohemi në çështje praktike, e jo gjeopolitike, historike, nacionale etj, ku patjetër «Lugina e Preshevës» nga delegacioni kosovarë duhet të diskutohet, sepse Beogradi deri sot nuk ka arritur ti zgjidhë këto probleme në mënyrë të mirëfilltë dhe afatgjatë. Kësaj radhe për fatin e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës i takon Prishtinës të flasë, sepse e izoluar dhe e diskriminuar siç është sot « Lugina e Preshevës », në sfondin afatgjatë është jo stabile dhe rrezikohet të zbrazet e tëra nga qytetarët e saj, të cilët kanë jetuar aty me shekuj. Këto çështje jetike dhe praktike, sipas meje, duhet të bisedojë Prishtina :
•Lehtësimin e lëvizjes pa pengesa, të qytetarëve dhe mallrave, nga « Lugina e Preshevës » në drejtim të Kosovës dhe anasjelltas. Ky standard është edhe një ndër standardet kryesore të bashkimit Evropian.
•Njohjen e menjëhershme dhe pa kushte të diplomave të Univerziteteve të Kosovës. Duke marrë parasysh mungesën dhe « brain drain » e kuadrove nga « Lugina e Preshevës »
•Zgjedhjen e kontesteve pronësore në vijën kufitare dhe kontrollin e dyanshëm të zonës kufitare vetëm me forcat policore kufitare respektivisht policinë multietnike.
•Hartimi i një strategjie afatgjate për kthimin në Medvegjë, Bujanoc dhe Medvegjë të të gjithë refugjatëve në territorin e Kosovës nga këto treva, të cilët dëshirojnë të kthehen.
•Amnestimin e pa kusht e ish pjesëtarëve të UÇPMB-ës të mbetur në territorin e Kosovës dhe vendet tjera.
Në fund mbetemi me bindje të fortë që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci do të përfitojnë nga bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës, sepse flitet për çështjet teknike, në kuadër të fqinjësisë së mirë, të cilat kanë të bëjnë edhe me këtë rajon. Me fillimin e dialogut do të përfitojnë pa dyshim Serbia dhe Kosova, në garën e tyre për Integrimet Euro Atlantike. Ta zëmë, se Serbia do të integrohet në Bashkimin Evropian më herët se Kosova, për shkak të shkallës më të avancuar të institucionalizimit dhe karotës se BE-së, mendoj, që Kosova mundet të integrohet më shpejtë se Serbia në strukturat e NATO-s, që nënkupton, një integrim më të shpejtë në BE përmes derës së NATO-s.



22 Mars 2011 at 4:48 am
Ju lumte, Z-ti Ilazi. Shihet se jeni mjeshter i pendes dhe analist e njohes i mire i ceshtjes se Lugines. Eshte me se e sigurte se dialogu bilateral ne mes Shtetit te Pavarrur e Sovran te Kosoves dhe atij te Serbise, do te jete edhe ne te mire te Lugines se Presheves.Ndaj mendimin tuaj se ceshtjet jetike dhe praktike qe Ju mendoni se duhet perfshi ne bisedime, me te vertete, jane ne te mire te Shqiptareve ne tri Trevat e shejta Shqiptare; Presheve, Bujanoc e Medvegje.Kisha dashur qe, edhe ne t’ardhmen, ne faqen e mediumit shume te cmuar dhe te dashur te Medvegjasve- te “Medvegja.Net”-it, te lexoj shkrimet dhe opinionet e Muhamet Ilazit.