Hagë, 22 korrik – Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) në Hagë ka shpallur vendimin këshillëdhënës, sipas të cilit deklarata e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, meqë e drejta ndërkombëtare nuk ndalon deklaratat e tilla, ka thënë sot kryetari i gjykatës, Hisashi Owada.
Mendimin mbi Kosovën në GJND në Hagë e kanë marrë 15 gjyqtarë, nga të cilët 9 vijnë nga vendet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, duke përfshirë edhe vet kryesuesin, japonezin Hisashi Owada.
Dhjetë gjyqtarë të GJND-së kanë vlerësuar se deklarata mbi pavarësinë e Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, ndërsa katër kanë votuar kundër.
Owada ka pohuar se kjo gjykatë ka kompetencën juridike të shpallë mendimin këshillëdhënës, në bazë të kërkesës me rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të KB-së, për atë se a është shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Ai ka sqaruar pyetjen nëse shpallja e pavarësisë së Kosovës është në pajtim me të drejtën ndërkombëtare se ajo bën pjesë në çështje juridike, është në pajtim me statusin e gjykatës dhe me Kartën e KB-së.
Owada ka theksuar se gjykata ka bërë qartë të ditur se duke shqyrtuar kompetencën juridike, nuk udhëhiqet nga motive politike në çështjet e tilla dhe nuk e merr në konsideratë.
Gjykatësi Owada poashtu ka thënë se mendimi këshillëdhënës nuk është detyrues për shtetet, të cilave gjykata më e lartë e Kombeve të Bashkuara u përgjigjet në pyetjet e Asamblesë së Përgjithshme të KB-së: “A është deklarata e njëanshme mbi pavarësinë nga ana e institucioneve të përkohshme të qeverisjes në Kosovë në pajtim me të drejtën ndërkombëtare?”
Kjo është hera e parë në historinë e organit më të lartë gjyqësor të KB të deklarohet rreth një përpjekje për ndarje. Çështja e legalitetit të aktit të njëanshëm të institucioneve të qeverisjes në Kosovës para GJND-së është shtruar nga Asambleja e Përgjithshme e KB në tetor të vitit 2008 me iniciativën e Serbisë.
Gjatë shqyrtimit gojor që në gjykatën e Hagës ka zgjatur nga 1 dhjetori deri më 11 dhjetor të vitit 2009, 14 shtete, krahas autoriteteve të Prishtinës kanë vlerësuar se deklarata e miratuar më 17 shkurt 2008 ka qenë legale, ndërsa 12 vende të tjera, bashkë me Serbinë, pohuan se me deklaratën u shkel e drejta ndërkombëtare. Deklarata e Burundit nuk u përgjigj drejtpërdrejt në pyetjen.
Hisashi Owada u zgjodh kryetar i GJND-së në shkurt të vitit të kaluar, dhe përveç tij në përbërje të panelit ishin edhe nënkryetari, Peter Tomka, nga Sllovakia, Abdul Koroma (Sierra Leone), On Shokat al-Kasone (Jordani), Tomas Burgental (SHBA), Bruno Sima (Gjermani), Roni Abraham (Francë), Keneth Kit (Zelandë e Re), Bernando Sepulveta Amor (Meksikë), Muhamed Benjuna (Marok), Leonit Skonitkov (Rusi), Antonio Agusto Kankado Trindade (Brazil), Abdul Kavi Jusuf (Somali), Christopher Grinwood (Britani e Madhe) dhe Shee Xhu Jong (Kinë).
Reagime nga Presheva :
Kuvendi Komunal Preshevë
I nderuari Z.Kryeministër,
Sot është edhe një ditë e randësisë së vecantë për Republikën e Kosovës ,por dhe për gjithë shqiptaret jasht saj! Sot Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dha mendimin e saj shumë të kjartë për shpalljen e ligjshme të pavarësisë së Kosovës të cilin mendim gjithë shqiptarët e kemi pritur me padurim ,por dhe me një dozë frige se mos edhe kësaj radhe bashkësia ndërkombtare do te veproj padrejtësisht ndaj nesh shqiptarëve.
Ky mendim, në mënyrë eksplicite, rikonfirmoi fuqishëm se shpallja e pavarësisë së Republikës së Kosovës ka qenë vendim në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe në të drejtën e popullit të Kosovës për liri dhe vetëvendosje.
Duke pas parasysh këtë vendim me randësi jetike për shtetin e Kosovës , Ju Z.President dhe gjithë qytetarëve të Kosovës, në emër të qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës ,antarëve të Bashkimit Demokratik të Luginës dhe në emrin tim personal ju uroj këtë fitore të madhe dhe ju dëshiroj që Kosovën ta uhëheqni edhe ma fuqishëm drejt proceseve demokratike dhe atyre evrointegruese.
Preshevë
22.korrik.2010
Kryetari i Bashkimit Demokratik të Luginës
dhe i Kuvendit Komunal të Preshevës
Dr.Skender Destani


23 Korrik 2010
-Lajmet-