Halimi: Dacic provokon luftë
Preshevë,18 dhjetor(medvegja.net)
-Deputeti shqiptar në Parlamentin serb, Riza Halimi, ka vlerësuar se deklaratat e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Dacic, rreth kufijve janë provokuese dhe prodhojnë më shumë luftë sesa stabilitet.
Foto : Riza Halimi
Në një intervistë për agjencinë Presheva jonë, Halimi ka thënë se Qeveria e Serbisë ka një plan të fshehtë për Kosovën dhe Luginën e Preshevës, për të cilin nuk janë në dijeni as deputetët serbë.
Më tej, ai ka thënë se e ka përshëndetur fillimin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel rreth çështjeve teknike, e sidomos tani ai përshëndet rezultatet e para- marrëveshjet rreth diplomave dhe lëvizjes së lirë.
“Unë nuk jam për ndarjen e Kosovës, por për një politikë konstruktive, e kam fjalën për një reciprocitet mes dy shteteve- Kosovës dhe Serbisë, që shqiptarët në Serbi ta kenë as më shumë e as më pak të drejta se sa serbët e Kosovës. Sepse idetë për ndarjen apo këmbime territoresh janë hipoteza dhe të rrezikshme për stabilitetin në rajon, kur dihet struktura e banuar në Ballkan”, ka thënë kryetari i PVD-së./Indeksonline/



18 Dhjetor 2011
-Lajmet-