Lideri dhe deputeti i Partisë për Veprim Demokratik (PVD) në Luginën e Preshevës, Riza Halimi ka drejtuar kritika të ashpra në adresë të ministrit të brendshëm serb, Ivica Daçiq.
Ky i fundit deklaroi se në rast se situata do të vijoj e pandryshuar në vendkalimet Jarinjë dhe Bërnjak në veriun e Kosovës, atëherë sipas tij, Serbia si masë reciproke do të bllokojë vendkalimet tjera midis Kosovës dhe Serbisë që shfrytëzohen më së shumti nga shqiptarët.
“Ky është një qëllim i rrezikshëm që mund të destabilizojë situatën në rajonin tonë. I bëjë pyetje kryeministrit të Serbisë se a qëndron edhe ai pas këtyre paralajmërimeve. Kërkojë nga Qeveria, kryeministri dhe presidenti të japin përgjigje se për çfarë plani bëhet fjalë, cilat janë qëllimet dhe strategjia e këtij pushteti ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, ka pyetur Halimi në seancën e sotme parlamentare të paraparë për parashtrimin e pyetjeve nga deputetët për Qeverinë dhe institucionet e tjera.
Pas këtyre deklarimeve të pushtetit serb në Luginën e Preshevës po mbretëron situatë e tensionuar. Ndërkohë, nesër në Preshevë do të mbahet protesta e radhës me moton “Stop diskriminimit të shqiptarëve”. (R.Demiri/INA)


21 Shtator 2011
-Lajmet-