RSS

Intensifikohet uniteti dhe bashkëveprimi brendashqiptar në Luginën e Preshevës

25 Tetor 2009

-Lajmet-

Intensifikohet uniteti dhe bashkëveprimi brendashqiptar në Luginën e Preshevës

Të bashkuar më të fuqishëm

Unioni Demokratik Shqiptar (UDSH) nga Bujanoci, Lëvizja Demokratike për Integrim (LDI) nga Medvegja dhe Grupi i Qytetarëve “Rahmi Zylfiu” nga Presheva e nënshkruan marrëveshjen për formimin e një subjekti të përbashkët

Bujanoc, 25 tetor (medvegja.net)

- Tri subjekte politike nga Lugina e Preshevës, Unioni Demokratik Shqiptar (UDSH) nga Bujanoci, i udhëhequr nga Dr. Mejdi Zeqiri; Lëvizja Demokratike për Integrim (LDI) nga Medvegja, e udhëhequr nga Prof. Rexhep Abazi, dhe Grupi i Qytetarëve “Rahmi Zylfiu” nga Presheva, i udhëhequr nga inxhinieri Rahmi Zylfiu, të shtunën, u dakorduan që bashkërisht ta nënshkruajnë marrëveshjen për formimin e një subjekti të vetëm dhe unik, i cili do ta intensifikojë dhe bashkërendojë veprimtarinë politike në ruajtjen e identitetit shqiptar në këtë pjesë të trojeve etnike shqiptare. Kështu, sipas marrëveshjes së nënshkruar nga tre liderët e këtyre subjekteve, kjo formë e re e organizimit, e para e këtij lloji, do të jetë një shtysë e re e proceseve të ngecura në rajon dhe e dështimit të politikës aktuale në realizimin e synimeve shekullore shqiptare. Nënshkruesit madje shpresojnë se subjekti i ri, i cili emrin definitiv do ta marrë në kuvendin e parë zgjedhor, do të bëhet forcë kryesore dhe prijatare e zgjidhjes së çështjes shqiptare në këtë pjesë të Kosovës Lindore.

Në tekstin e marrëveshjes, ndër të tjera, theksohet se subjekti i përbashkët, veç tjerash, formohet si nevojë e një freskie në jetën politike, që nënkupton një infuzion të domosdoshëm për përmirësimin e jetës së qytetarëve në këto treva. Në parimet themelore programore theksohen demokracia, ndershmëria, partneriteti, transparenca e toleranca që do ta karakterizojnë subjektin e ri, ndërkaq që do të angazhohet për bashkëpunim dhe bashkëveprim brendashqiptar në të gjitha nivelet, duke përfshirë subjektet politike që veprojnë në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e Shqipëri, me qëllim të realizimit të të gjitha të drejtave të qytetarëve në përgjithësi, e të shqiptarëve, në veçanti. Preokupim i këtij subjekti do të jetë edhe shkollimi në gjuhën amtare, përdorimi i simboleve kombëtare, angazhimi për jetësimin e vendimeve të 1 dhe 2 marsit 1992, si zbatimi i platformës politike nga tri kuvendet shqiptare nga janari 2009.

Këto tri subjekte aktuale përfaqësohen me nga tre këshilltarë komunalë në tri kuvendet komunale përkatëse, ndërkaq bashkimin e forcave të tyre politike e bëjnë në raport proporcional.

Jonuz Fetahu

No comments yet.

Leave a Reply