Intervistë me këngëtarin e mirënjohur Arian Agushi,apo siq njihet në opinion GOLD AG
-
GOLD AG: Dashtë Zoti që dëshira të më realizohet e të vizitoj Medvegjën
Medvegja.net: Fillimisht, faleminderit që e pranuat ftesën nga revista “Zëri i Medvegjës” dhe portali Medvegja.net!
GOLD AG: Ju faleminderit edhe juve për ftesën…
Medvegja.net: Na tregoni diçka nga fëmijëria juaj… ku keni lindur dhe ku jeni shkolluar?
GOLD AG: Kam lindur më 28 korrik 1986, në Prishtinë. Dhjetë vjet të fëmijërisë sime i kam kaluar në Preshevë, pra në vendlindjen e babait, gjyshit, stërgjyshit etj. etj… U rrita dhe jetova si çdo fëmijë tjetër shqiptar i asaj ane. Babai më vdiq kur i kisha 6 vjet dhe që atëherë e deri tash jetoj me nënën time, të cilën e kam gjënë më të shtrenjtë në botë. Shkollën fillore e kam filluar në Presheve, ndërsa në vitin 1997, kur erdhëm në Prishtinë për të jetuar, e vazhdova këtu nga klasa V, pastaj shkollën e mesme elektroteknike, ndërkaq tani jam në Fakultetin e Dizajnit.
Medvegja.net: Keni marrë pjesë në shumë festivale. Do ta veçonit ndonjë që ju ka bërë më së shumti përshtypje?
GOLD AG: Festivalet i përkasin secilit artist të ri, i cili shfaqet në skenë, por këtu te ne nuk ia vlen ta cekësh asnjë, sepse të gjithë të krijojnë përshtypjen e hajnave.
Medvegja.net: Arian, tekstet tuaja karakterizohen dhe janë shumë të veçanta në krahasim me tekstet e të gjithë këngëtarëve tjerë. I shkruani vetë ato, apo…?
GOLD AG : Çdo fjalë në çdo tekst të këngëve të mia buron nga zemra ime dhe shkruhet nga dora ime. Kjo d.m.th. se të gjitha këngët e mia i kam shkruar vetë. Nuk është asnjë këngë që e këndoj vetëm sa për të mbledhur fansa, apo për para. Të jeni të bindur të gjithë “gojliget” se kënga ime bëhet për të jetuar, e jo vetëm sa për t’u paguar, e pastaj për t’u harruar brenda një muaji.
Medvegja.net: Keni shumë këngë, që në fakt ia kushtoni Preshevës, vendit ku ju lindët, por nuk i harroni as Medvegjën e Bujanocin. Çka ju inspiron që t’i shkruani ato tekste, të cilat mund të themi se janë histori në vete, si dhe cilën nga këngët tuaja kushtuar këtyre komunave do ta veçonit?
GOLD AG: Pasi Zoti ma dhuroi këtë talent dhe e kam këtë mundësi për të shprehur diçka që të tjerët e kanë harruar, atëherë hatri i të parëve të mi, e me së shumti babait dhe babagjyshit, nuk mund pa i kënduar deri në momentin kur nuk do të jem më. Më inspiron realiteti i hidhur, nëpër të cilin po kalojmë të gjithë si në Luginë në Kosove dhe në çdo vend ku po realizohen lojëra të fëlliqura ndaj kombit tonë. Këngët nuk mund t’i ndaj njëjtë si gishtat e dorës, secila e ka vendin e vet dhe nuk mund t’i veçoj, sepse në secilën e kam lëshuar zemrën në funksion.
Medvegja.net: A e vizitoni shpesh Preshevën, dhe kur e keni vizituar herën e fundit?
GOLD AG: E vizitoj aq sa mundem dhe më merr malli për të. Tani janë bërë tre muaj që nuk kam qenë andej, por ne fund të dhjetorit do të shkoj për një vizitë, për njerëzit dhe tokën, të çmallem me erën e rrugëve ku u rrita.
Medvegja.net: Po Medvegjën e keni vizituar ndonjëherë? Nëse jo, e keni ndërmend ta bëni këtë, dhe a keni dëshirë t’i vizitoni edhe këto troje shqiptare?
GOLD AG: Për fat të keq, nuk kam qenë asnjëherë në Medvegjë. Por, nëse jam gjallë e shëndosh, dashtë Zoti që dëshira të më realizohet, e të mos shkoj vetëm si vizitor për t’u mërzitur nga situata e krijuar atje, por të shkojmë bashkë me ata që e duan bashkimin kombëtar dhe ta mbrojmë ashtu si na ka hije.
Medvegja.net: I keni përkrahur dy koncerte që i organizoi Forumi “Medvegja.net” në Fushë-Kosovë, dhe atë më 3 gusht 2009 dhe më 8 gusht 2010, gjë për të cilën ju falënderojmë përzemërsisht. Na tregoni pak, çfarë përshtypjesh keni për medvegjasit, në përgjithësi, e për publikun medvegjas, në veçanti?
GOLD AG: Këndoj çdo kund kur kërkohet ndihma ime, e veçanërisht kur bëhet fjale për Luginën dhe trojet shqiptare. E di që janë të shumte ata që kanë dashuri për Gold AG nga ana e Medvegjës dhe do të jem me ta deri në pikën e fundit.
Medvegja.net: A do të vazhdojnë Medvegja, Presheva e Bujanoci të jenë të pranishme në këngët e Gold AG?
GOLD AG: Do të jenë të pranishme deri sa të jam gjallë dhe i pranishëm me këngët e mia, pos nëse vdes apo tërhiqem nga muzika. Për një jam i sigurt, deri në ditën e fundit të jetës sime nuk do t’i ndryshoj fjalët që i kam thënë nëpërmjet këngës.
Medvegja.net: Çfarë ka të re te Ariani, ndonjë këngë, videoklip apo ndonjë album të ri?
GOLD AG: Albumi del në janar, videoklipe do të ketë patjetër, e atëherë do të shihen cilat dhe çfarë janë.
Medvegja.net: Publiku ju njeh edhe si besimtar të devotshëm, shpeshherë edhe ju rastisim në xhami. Sa e praktikoni fenë në jetën e përditshme?
GOLD AG: Aq sa kemi mundësi myslimanët të bëjmë për hatër të Allahut, nuk arrijmë ta bëjmë, por shpresojmë në mëshirën e Krijuesit që të na falë gabimet, pasi jemi krijesa që gabojmë. Mundohem së paku ditën e xhumasë të mos e humbë asnjëherë dhe t’i përulem Zotit për falënderim, për të kërkuar falje dhe për të me udhëzuar në rrugën që ai e dëshiron. Nuk shkoj në xhami sa për sy e faqe, ose për të më parë dikush. Pra, kjo do të thotë që ia kam frikën Allahut dhe askujt tjetër dhe shihet se këtë e praktikoj edhe në jetën e përditshme.
Medvegja.net: Cili është hobi juaj, si e kaloni kohën e lirë? Cili është sporti që e pëlqeni?
GOLD AG: Së fundi nuk po kam edhe aq shumë kohë të lirë, por pasi i braktisa alkoolin dhe cigaren para 2 vjetësh, tash jam më aktiv dhe nganjëherë kohën e lirë e kaloj në fitnes. Prej sporteve, e preferoj më shumë notin.
Medvegja.net: Cila është porosia juaj për rininë tonë?
GOLD AG: Jetoje rininë në atë mënyrë që pleqëria të të zërë të qeshur, mundohu tash e mos provo atëherë kur nuk mundesh as të ngrihesh!
Zëri i Medvegjës: Zotëri Agushi, ne të falënderojmë shumë për kohën e ndarë për simpatizuesit tuaj, për lexuesit e revistës “Zërit i Medvegjës”, si dhe ueb-faqes Forumi “Medvegja.net”.[/I]
GOLD AG: Me nder qofshit, ndërkaq respekti kthehet me respekt.
Zëri i Medvegjës: Për fund?
GOLD AG: Allahu Ekber.
Intervistoi: Ilir Arifi / medvegja.net



27 Janar 2011
-Lajmet-