RSS

Konkluzion rreth debatit: Si ta rikthejmë librin në jetën tonë

6 Gusht 2011

-Lajmet-

Konkluzion rreth debatit: Si ta rikthejmë librin në jetën tonë

Preshevë,5 gusht(medvegja.net)

Ashtu siç ishte planifikuar organizimi i debatit me temë: “Si ta rikthejmë librin në jetën tonë”, filloi në orën e paraparë nga organizatorët e debatit. Anëtarët e panelit apo siç është parapëlqyer të quhen si  “nxitësit e debatit” ishin: z. Nehat Hyseni, z. Zeqirja Fazliu, z. Alixhemal Salihu dhe z. Latif Mustafa.  Publiku përbëhej nga profesorë, shkrimtar, dashamir të librit dhe studentë.

Debatin e hapi moderatori i debatit Enis Hyseni, duke bërë një hyrje të shkurtër për rëndësinë e këtij debati.

Konkluzion rreth debatit: Si ta rikthejmë librin në jetën tonë

Fjala iu dha Drejtorit të bibliotekës “Mehmet Jusufi” në Preshevë, z. Vaxhid Mehmeti, i cili bëri një prezantim të shkurtër të vijueshmërisë së leximit të librit dhe frekuentimit të bibliotekës së qytetit.  Ndër të tjera u theksua se biblioteka e qytetit disponon me afër 70 mijë ekzemplarë librash, në vitin 2009-2010 ka pasur 1870 lexues, 20, 495 libra të lexuar, që nënkupton 11 libra për kokë lexuesi. Lokalet e reja të bibliotekës ofrojnë kushte shumë të volitshme pune, por siç u cek numri i lexuesve mbi moshën 18 vjeçare është relativisht i vogël. Biblioteka me mbartjen në lokalet e reja disponon edhe me fondin shkencor të librave, relativisht të pasur. Përkundër kushteve më moderne dhe funksionale numri i lexuesit në Preshevë në proporcion me numrin e banorëve është i vogël, sipas drejtorit të bibliotekës.

Në vazhdim, fjala iu dha ligjëruesit të parë z. Zeqirja Fazliut, profesor i shkollës së mesme, tash më i pensionuar  i cili shpjegoi pjesëmarrësve në debat rëndësinë e librit dhe nevojën permanente të njeriut për librin. Ai po ashtu potencoi edhe rëndësinë e librit për civilizimet e vjetra si: civilizimin e Mesopotamisë, civilizimin Egjiptian dhe civilizimin Kinez.  Ai i sugjeroi lexuesve që të bëjnë edhe përzgjedhjen e librit, duke zgjedhur librat të cilat janë të këndshëm dhe atraktiv, vetëm e vetëm për të stimuluar vetveten. Ai po ashtu përmendi edhe peripecitë që i kishte përjetuar librit shqip, peripeci të cilat edhe sot e kësaj dite janë prezentë. Ai iu drejtua edhe të rinjve duke i porositur ata që të jenë të përkushtuar dhe serioz në nxënien e dijes dhe shkencës.

Më pastaj fjala iu dha z. Alixhemal Salihut, profesor akoma aktiv në shkollën e mesme njëkohësisht kryetar i ‘Komisionit Zonal për Shkollat Shqipe në Luginë të Preshevës’. Ky komision në bashkëpunim me komisionet e tjera të trojeve shqiptare angazhohet për unifikimin e plan-programeve dhe teksteve mësimore. Duke qenë i kyçur në këtë proces z. Alixhemal Salihu theksoi nevojën e ripërtëritjes, reformimit dhe avancimit të teksteve shkollore. Ai theksoi po ashtu se në mungesë të programeve dhe teksteve adekuate, iu është imponuar që nxënësve në të shumtën e rasteve t’iu jepen shënime, metodë kjo e cila e ka bërë mjaft të mërzitshëm si  për mësimdhënien po ashtu edhe për mësim-nxënien.  Ai po ashtu ilustroi përmes shembujve praktik, duke sjellë vetë librat në sallë dhe duke ofruar modelet e librave në Shqipëri, se si ato ofrojnë informacione dhe dije shumë efikase, pa qenë të ngarkuara me tekst të shkruar. Tekstet ishin në formë të enciklopedive të sintetizuara me foto. Librat e llojit të këtillë, që është përvojë e kamotshme edhe në vendet e zhvilluara janë shumë të përshtatshëm, imediat për nxënësit e Luginës së Preshevës, në vend të librave klasik që përmbajnë vetëm rreshta të shkruar dhe asgjë tjetër.

Pas ligjëruesit të dytë, fjala iu dha z. Nehat Hysenit, aktivist i njohur, i cili shprehu përvojën e tij me librin dhe se si dita ditës librin po mundohet të zëvendësoj interneti si mënyrë dhe koncept më i lehtë i përfitimit të informacioneve. Në qendër të fjalimit të tij, z. Hyseni  vëri theksin mbi nevojën e librit si e vetmja mundësi e zhvillimit dhe progresit duke shprehur njëkohësisht shqetësimin për mos familjarizimin e fëmijës me librin që nga moshat e hershme.  Ai theksoi  edhe nevojën e përmirësimit të politikave të botimit, përzgjedhjes së librave për t’u përkthyer dhe domosdoshmërinë e sigurimit dhe ngritjen e fondit të bibliotekës së qytetit.  Me këtë rast ai përmendi shumë shembuj, të pasluftës në Kosovë me çrast janë botuar libra të shumtë ideologjik, që janë materiale të qëllimshme dhe tendencioze.

Panelisti i fundit i debatit ishte z. Latif Mustafa i cili konceptin e përgatitur për ligjërim e quajti “Libri si mundësi për të përjetuar lirinë”. Ligjërimin e tij e filloi me shpjegimin e prejardhjes së termit “libër” nga gjuha latine liber-njësi fletësh, por fjalë kjo që rastiste me antonimin tjetër të termit latin liber-liri. (liberta). Ligjërimi i tij u fokusua në shpjegimin e tri kategorike kryesore të këtij subjekti  dhe ndërlidhjen konceptuale të tyre, libër-dije-liri. Sipas tij, libri gjithmonë e ballafaqon njeriun me injorancën e tij, andaj dhe ky është shkaku për hezitim, frikë për ta lexuar librin. Por dëshira, për t’u zhytur në thellësinë e librit duhet ta tejkaloj “frikën” e ballafaqimit me injorancën e tij. Ky hezitim për tu ballafaquar me injorancën, do ta robëroj, do ta bëj peng individin. Individin në këtë rast më tepër e lodh obsesioni se “pse nuk po lexoj” pra mos-leximi, se sa ta lodhë procesi i leximit si proces i natyrshëm. Me tejkalimin e kësaj pengese njeriu do të “lirohet” dhe do të futet thellë në dituritë e librit, duke e fituar kështu sigurinë ontologjike, si pasojë e ndërtimit të tij sistematik intelektual.  Pra, ajo çka i duhet të riut preshevar ishte guximi për të ditur, guximi që i mundëson përjetimin e lirisë duke e lexuar librin.

Nga audienca u ofruan alternativa për motivimin dhe imponimin metodologjik për leximin e librit nga fëmijët si p.sh.:  duke i porositur prindërit që të lexojnë në prani të fëmijëve, ashtu që ata të jenë modeli më i mirë; vizitimin e librarive lokale me fëmijët; përzgjedhjen adekuate të librave për fëmijë; t’i shtyjmë fëmijët të lexojnë librat pas shikimit të filmave, p.sh. pas shikimit të filmit të Harry Pottery-t të lexojnë librin e tij dhe të lexojmë së bashku me fëmijët, t’i shpjegojmë atyre gjatë leximit. Po ashtu pat sugjerime që ambientet e bibliotekave të bëhen më atraktive, duke u zbukuruar me libra, video lojëra, DVD-filma të zhanreve të ndryshme.

Alternativat që u ofruan nga debati:

• Zhvillimi i debateve si ky, të cilat deri më sot i kanë munguar Preshevës. Insistimi i ligjëruesve konsistonte në atë që këto debate të bëhen tradicionale sepse vetëm në këtë mënyrë do të provokohej publiku, pa marrë parasysh subjektin e debateve që do të zhvillohen në të ardhmen.

• Organizimi i panaireve të librit, organizime këto që do të sjellin një frymë tjetër për librin si dhe shkëmbimin e përvojave dhe mendimeve.

• Këshilltarët psikologjik që janë të punësuar nëpër shkolla, (nëse nuk janë të punësuar, le të ofrohet në personel i tillë nëpër shkolla edhe bibliotekat lokale) të bëjnë fushatë për librin, duke u mbajtur leksione fëmijëve për librin dhe metodat e përdorimit të tij; punë aktive dhe sugjeruese me prindërit e fëmijëve.

• Trajnime pedagogjike për punonjësit e bibliotekës gjithçka rreth bibliotekës.

• Pajisjen e bibliotekave me librat e autorëve novelist dhe best-sellerëve (librave më të shitur).

• Bashkëpunim më të thellë me shtetin e Shqipërisë dhe avancim të politikave rreth qarkullimit të lirë të librit nëpër kufij, pengesë që është shumë serioze për bibliotekat e qytetit.

Pas përfundimit të debatit u shtrua një koktej rasti. Në audiencë vërehej mungesë e drejtorëve të institucioneve shkollore dhe punonjësve që të institucioneve edukative-arsimore, pra shkollave fillore, bibliotekave lokale dhe shkollës së mesme.

“Klubi i Studiuesve të Rinj”- (KSR) që për momentin është një iniciativë studentore Preshevar e rrjetit social Facebook-ut, falënderon bibliotekën dhe drejtorin e saj për bashkëpunimin e ngushtë, pjesëmarrësit e panelit dhe të audiencës. KSR-ja shpreh falënderim dhe mirënjohje për grupin qytetar  “PreshevART”-in dhe përzemërsisht falënderon radio televizionin “Aldi” (RTV Aldi) dhe “Presheva.com”-in për  përcjelljen dhe përkrahjen e aktiviteteve të KSR-së.

Klubi i Studiuesve të Rinj-KSR

05, Gusht 2011, Preshevë /Presheva.com/

Subscribe

Subscribe to our e-mail newsletter to receive updates.

One Response to “Konkluzion rreth debatit: Si ta rikthejmë librin në jetën tonë”

  1. Gurbetqari Says:

    Informata e gjere e gjitheperfshirse per Debatin “Si ta rikthejme librin ne jeten tone” deshmon se ne Lugine, pos temave politike, ka edhe ndodhi te dobishme dhe aktivitete interesante jetesore. Shihet se “nxitesit e Debatin” jane profesionaliste te medhej dhe njohes se kesaj lemie. At qe na mesuan mesimedhenesit tone te nderuar gjithemone, se “Libri eshte miku me i mire i njeriut”, eshte dhe duhet te jete aktuale edhe sot.

    Dihet se Libri u lajmerua para 4.000 viteve p.e.r, ne kohen kur njerezit e mendjes kishin ide te cilat permes dores i percillnin ne gure, me vone ne leter. Televizori (dhe mjetet tjera) u shpiken ne shekullin e XX-te. Pervec leximit te librit, eshte mire qe edhe keto te percillen, degjohen e shihen,por, ne kufi te caktuar. Eshte mire te shikohen emisionet shkencore, dokumentare filmat dhe serialet zbavitese- pra, te gjitha ato qe paraqesin libra dhe prej te cilave mund te mesojme. Natyrisht, eshte e nevojshme qe te percillen edhe lajmet por ne menyre te kufizuar.Ne vend se t’i ngulim syte ne ekranin e televizorit- eshte mire qe te ulemi e lexojme librin.

    Vetem librat jane persoseshmeri e Botes.Njerezit gjithemone kane qene te lidhur me librin dhe do te vazhdojne te jene. Nga libri mund te mesojme shume.Libri eshte pasuri dhe miku me i mire i njeriut.Leximi i librit eshte stervitja me e mire e trurit.

    Mjerisht, njerzit gjithenje e me pak lexojne libra. Per kete “fajsojme” tempon e jetes dhe teknologjite e reja sic eshte teknika digjitale e internetit.Sot ka gjithnje e me pak kohe per relaksim e qetesi me liber. Synimet tona drejte Botes se civilizuar dhe deshira per nje jete me dinjitoze dhe me te mire, kerkon me shume pune e gjithenje e me pak kohe per leximin e librit. Sidomos te rinjet me me endje perdorin internetin dhe filmat te cilet per nje liber flasin me shkurte por pa analize te thelle te problemit dhe njgjarrjes.

    Ne SHBA shume njerez lexojne libra. Bibliotekat e shumta, qe ka cdo pjese e quteteve, jane perplote dashamire te librit dhe at te te gjitha moshave. Vendet (sallat) per lexim gjate tere dites jane perplote me lexues. Libri lexohet shume edhe ne vendet tjera: ne shtepi dhe vendet publike sic jane parqet, restorantet e tje.

    S’do mend, realizimi i Konkluzave nga ky Debat shume i qelluar dhe kualitativ, do te ndikoi ne rikthimin e interesimit te njerezve, ne vecanti te te rinjeve, per LIBRIN.

Leave a Reply