RSS

Kuvendi komunal i Medvegjes mbanë seancën e 20

18 Qershor 2011

-Lajmet-

Kuvendi komunal i Medvegjes mbanë seancën e 20, të rregullt, Këshilltarët e UDSH për Medvegjë nuk e votojnë Llogarinë përfundimtare për vitin 2010 dhe kërkojnë angazhimin e Institucionit për kontrollimin e buxhetit të komunës për vitin kalendarik 2010

 

… në kryesinë e subjektit tanë politik, të mbajtur më 2 prill 2011 kemi vendosur që të kërkojmë mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Medvegjës të cilat janë të shkelura në cdo fushë, andaj kemi përgaditur një dokument të cilin do ti dërgojmë: Kuvendit komunal të Medvegës, Ministrisë së qeverisjes lokale të R.Serbisë, Qeverisë së Serbisë, Kryetarit të Serbisë, OSBE-së,Ambasadës së SHBA-së dhe Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Beograd, tha prof. Rexhep Abazi, kryetar i UDSH dhe këshilltar i këtij kuvendi…

Shkruan prof.: Rexhep Abazi

 

Medvegjë, 18 qershor 2011.  Të premten e 17 qershorit këshillarët e Kuvendit komunal të Medvegjës ishin ftuar në seancën e rregullt të njëzetën me rradhë, për të shqyrtuar një rend të ditës prej njëmbëdhjetë pikash, para se të shkonin në pushimet e verës së këtij viti.

 

Në pikën e parë, në propozimin e Llogarisë përfundimtare të buxhetit për vitin kalendarik 2010,  i pari reagoj dhe e kundërshtoj këshilltari prof. Rexhep Abazi, duke cekur se diçka këtu nuk është në rregull. Sipas propozimit zyrtar në fund të vitit kalendarik kjo komunë përfundon me 13.260.060,00 dinarë suficit, që do të ishte e mirë. Por, në vitin e shkuar kjo komunë u ka mbetur borxh shfrytëzuesëve të saj për hargjimet materiale që i ka në obligim, siç janë shkollat fillore e të tjerët, duke cekur se në vitin që shkoi në shkollën fillore në të cilën ai punon, shpesh kanë munguar edhe shkumësat e thjeshtë, e të mos flasim për mjete të tjera, ndërsa për harxhimet e rrugës punëtorëve u mbesin borxh që nga viti kalendarik 2009.

Këtë propozim buxheti e kundërshtoi edhe këshilltari prof. Mehmet Jashari, duke cekur se është i montuar dhe se kushtet e punës, sidomos në shkollat shqipe janë shumë të rënda dhe në gjendje të mjerueshme, ku mungojnë mjetet e konkretizimit (nuk ka hartë as glob në gjuhën shqipe e të mos flasim për gjëra të tjera).

Këshilltari z. Kadri Hyseni pati vërejtje në mjetet e dedikuara për nevoja të bashkësive lokale.

Vërejtje në këtë propozim patën edhe disa nga këshilltarët e opozitës serbe, por si gjithëherë ky propozim më në fund u aprovua me makinën e votimit, me shumicë votash të subjekteve në koalicion qeverisës të këtij kuvendi.

Edhe pika e dytë e kësaj seance nuk u kalua pa reagime nga ana e këshilltarëve të UDSH-së, duke kërkuar që për Llogarinë përfundimtare të buxhetit të posaaprovuar për vitin 2010, të angazhohet Institucioni i revizionit për të parë gjendjen reale, sepse sipas mendimit të këshilltarit R.Abazit, në hargjimin e mjeteve financiare ka keqpërdorime dhe hargjime jo të drejta, sidomos në dëm të popullatës shqiptare ( nuk ka ndarje të drejtë as në angazhimin e mjeteve për infrastrukturë e as në fushat e tjera, psh. një rrugë e fshatit Sfircë nuk punohet e as nuk kryhet kurrë me vite të tëra, me qëllim, vetëm pse kalon nëpër fshatin e banuar me shqiptar dhe kemi frikë se edhe shumë  vite të tjera do të jetë kështu, sidomos me këtë qeverisje të keqe, rruga në fshatin Tupallë dëmtohet me të madhe sepse nuk është punuar si duhet dhe nuk ndërmirret asgjë për tu rregulluar, rruga në fshatin Siarinë është shtruar me pak zhavorr dhe është lënë pa u kryer, dhe në tërësi në vendbanimet shqiptare nuk punohet sa dhe si duhet. Andaj është më se e nevojshme të bëhet Revizioni i buxhetit nga organet kompetente.

Kryetari i komunës z. Sllobodan Drashkoviq, reagoi duke thënë se kontrollimin do ta bëj një organ i Trupit Koordinues dhe kështu edhe kjo pikë e rendit të ditës u votua me shumicë votash, duke aprovuar vendimin për Mosangazhimin e Institucionit për revizionimin e Llogarisë përfundimtare të buxhetit të komunës për vitin 2011.

Këshilltari Abazi, nga ky kuvend kërkoi që të RIFILLOJNË BISEDIMET ME KOMUNËN E DARDANËS( ISH KAMENICËS) PËR MUNDËSINË E HAPJES SË KALIMIT KUFITAR NË VENDIN E QUAJTUR KAPI E SFIRCËS, bisedime këto të fillura në mes këtyre dy komunave që në vitin 2004, të inicura nga OJQ “Shpëtimi” Medvegjë dhe të ndërmjetësuara nga faktori ndërkombëtar,si nevojë për banorët e të dy komunave fqinje.

Njëherit z. Abazi i bëri me dije këtij kuvendi se për shkak të shkeljes së intaresave dhe të drejtave të shqiptarëve në këtë komunë në kryesinë e UDSH-së për Medvegjë të mbajtur më 2 prill 2011 është vendosur që me anën e një dokumenti për gjendjen e vështirë të shqiptarëve të njoftohen: Kuvendi komunal i Medvegjës, Ministria e qeverisjes lokale, Qeveria e Serbisë, Kryetari i Serbisë, OSBE, Ambasada e SHBA-së dhe e Republikës së Shqipërisë në Beograd, duke kërkuar që të ndërmirren hapa të duhur për të zgjidhur problemet jetike të popullatës shqiptare në komunën e Medvegjës, pasi që këto kërkesa nuk u dëgjuan kur u cekën nga këshilltarët e UDSH në këtë kuvend.

Subscribe

Subscribe to our e-mail newsletter to receive updates.

No comments yet.

Leave a Reply