RSS

LB: Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, tri komunat me shumicë shqiptare në jug të Serbisë ti bashkohen Kosovës

14 Shtator 2010

-Lajmet-

Prishtinë 14 shtator(medvegja.net – presheva.com)

Lëvizja për Bashkim, subjekt politik që afirmon të drejtën e shqiptarëve që të jetojnë në një shtet të vetëm, propozon atë që e quan ripërcaktimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, një zgjidhje që do t’ia bashkonte Kosovës tri komunat me shumicë shqiptare në Luginën e Preshevës, ndërsa Serbisë tri komunat në veri të Kosovës me shumicë serbe.

Në platformën politike “Zgjidhja përfundimtare e çështjes shqiptaro-serbe”, Lëvizja për Bashkim konsideron që Zveçani, Zubin-Potoku dhe Leposaviqi, tri komunat veriore të Kosovës, që kanë shumicën e qytetarëve serbë, do të duhej që t`i jepeshin Serbisë, ndërkaq Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, tri komunat me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, do të duhej që t`i bashkoheshin shtetit të Kosovës.

I gjithë ky proces, sipas LB-së, nuk do të duhej që të shihej si “ndarje e Kosovës apo shkëmbim territoresh”, por si proces i zgjidhjes së problemit shqiptaro-serb nëpërmjet rivendosjes së kufijve.

Kjo lëvizje nuk e fut në këtë proces edhe pjesën veriore të Mitrovicës dhe shtatë fshatrat e kësaj komune, pasi që, sipas platformës, kthimi i shqiptarëve të dëbuar pas lufte nga veriu i Mitrovicës dhe nga fshatrat e kësaj komune në atë pjesë do të bënte që shumica e banorëve të asaj pjesë të Kosovës “të jenë shqiptarë dhe jo serbë, siç janë tani”.

“Për shqiptarët moszgjidhja përfundimtare e çështjes shqiptaro-serbe ka pasoja më të rënda sesa për Serbinë apo për marrëdhëniet rajonale e ndërkombëtare. Mitrovica, Veriu i Kosovës dhe Kosova Lindore janë këto tri çështje të një konflikti të ngrirë që paraqesin problem në marrëdhëniet në mes të shqiptarëve dhe serbëve, respektivisht në mes të Kosovës dhe Serbisë, e të cilat Kosovës dhe shqiptarëve u janë bërë pengesë e madhe në zhvillimet politike, ekonomike, sociale e në ato integruese si në planin kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar”, thuhet në këtë platformë.

Sipas Lëvizjes për Bashkim, rivendosja e kufijve duhet bërë mbi “parimin e të drejtës për vetëvendosje në territore që kanë vazhdimësi territoriale me trungun e vet etnik”.

“Kosova Lindore, që i përfshin tri komuna në jug të Republikës së Serbisë, është territor i banuar historikisht dhe aktualisht nga shqiptarët, por i cili është i pushtuar nga Serbia. Presheva, Bujanoci e Medvegja – Kosova Lindore është problem po ashtu i krijuar nga kolonializmi serb dhe si i tillë, territor me popullsi shqiptare dhe i shkëputur administrativisht nga Kosova…Vazhdimi i kësaj gjendjeje për Kosovën dhe për popullin shqiptar do të ketë pasoja shumë të rënda. Derisa veriu i Kosovës vazhdon të mbetet juridikisht nën Kosovë dhe realisht nën kontrollin serb, Kosova as nuk do të mund të vendosë ndonjë kufi të ri, as ta kontrollojë të vjetrin”, thuhet, veç të tjerash, në platformë.

“Në këtë situatë institucionet e Kosovës zgjidhjes së problemit i rreken vetëm pjesërisht. Ato si qëllim të vetëm kanë mbajtjen e tri komunave të veriut brenda kufijve të Kosovës. Ndërkohë që nuk e shtrojnë fare si problem çështjen e tri komunave me shqiptarë që kanë mbetur nën Serbi. Këto institucione jo vetëm që nuk duhet të ngulmojnë në ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës, por, përkundrazi, duhet të ngulmojnë në ripërcaktimin e kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë, sepse kufijtë aktualë janë të padrejtë dhe e dëmtojnë rëndë më së shumti interesin kombëtar të popullit shqiptar, por dhe të atij serb”, thuhet në platformën politike të këtij subjekti.

Sipas kësaj platforme, Kosova nuk do të humbiste pasuritë e saj nga ky ripërcaktim i kufirit me Serbinë.

“Së pari, sa u përket pasurive, të gjithë ekspertët e këtij lëmi e kanë konstatuar të kundërtën: vetëm rreth 7.6 % të pasurive minerare të kombinatit ‘Trepça’ janë të përqendruara në territorin kontestues të veriut”, thuhet në platformën e Lëvizjes për Bashkim.

Subscribe

Subscribe to our e-mail newsletter to receive updates.

No comments yet.

Leave a Reply