
Lutfi Haziri, njëri nga figurat më me ndikim në grupin parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), nuk heq dorë nuk propozimi i tij publik për të cilin ai beson do t’i jepte fund mosmarrëveshjeve territoriale me Serbinë.
Zgjidhja më e mirë, sipas tij, mes Kosovës dhe Serbisë do të ishte që një herë e përgjithmonë të zgjidhin problemin e veriut të vendit duke e ndërlidhur atë më me pjesën jugore të Serbisë.
Nuk është se tema është e re, por ka qenë hera e parë që një politikan i profilit kaq të lartë e ka ngritur atë në debate publike.
Presheva, Bujanoci dhe një pjesë e Medvegjës (pjesa malore) do të duhej t’i kthehen Kosovës, thotë Haziri, ndërsa Leposaviqi dhe një pjesë e Zubin Potokut t’i kthehen Serbisë.
‘Propozimi im për ndryshimin e parimit të kufirit të vitit 1974 me atë 1956 është proces i cili i zgjidhë problemet etnike dhe territoriale mes Kosovës dhe Serbisë. Pra nuk ka të bëjë më shkëmbim territoresh, as të njerëzve e as të mallrave, por ka të bëjë me përballimin e situatës në të cilën aktualisht gjendet Kosova’, ka thënë Haziri për Gazetën Jeta në Kosovë.
Haziri, i cili ka qenë pjesë e delegacionit kosovar në bisedimet me palën serbe në Vjenë, ka qenë edhe ish-Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Pushtetit Lokal e tash është kryetar i komisionit për integrime europiane në Kuvendin e Kosovës, thotë se me këtë ide të tij, vetëm se do të ktheheshin kufijtë ashtu qysh ka qenë.
Me këtë sipas tij, Serbisë do t’i takonin Leposaviqi dhe një pjesë e Zubin Potokut ndërsa Kosovës do t’i kthehen Presheva, Bujanoci por jo edhe Medvegja urbane por vetëm pjesa malore e saj, të cilat sipas tij edhe teritorialisht e gjeografikisht kanë qenë të Kosovës.
‘Ajo që duhet të kuptojmë qartë është që Leposaviqi dhe pjesa më e madhe e Zubin Potokut nuk kanë qenë kurrë të Kosovës, në të njëjtën kohë Presheva, Bujanoci dhe Medvegja iu kanë marrë Kosovës, dhe realisht këto dy qendra të vogla rurale Leposaviqi fillimisht por edhe Zubin Potoku i janë bashkëngjit Mitrovicës dhe Kosovës në atë kohë sepse kufiri nga Mitrovica deri në Leposaviq është 34 deri 36 kilometra’, ka thënë Haziri.
Mirëpo kështu nuk mendon nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, që vjen nga Partia Demokratike e Kosovës, PDK.
Ai më shumë këto iniciativa si në Kosovë ashtu edhe në Serbi i sheh si nisma patriotike se sa realiste.
‘Këto janë më shumë aspekte patriotike nga individë. Pra nëse kjo do të ishte zgjidhja, kostoja e kësaj formule do të ishte milionëshe. Nëse ka këmbim territoresh atëherë do të duhej ta marrësh edhe faturën e kostos së njerëzve që jetojnë atje edhe ta definosh dhe kjo mes tjerash do të krijonte kriza tjera”, ka thënë Haliti, për Gazetën Jeta në Kosovë.
Sipas tij, zgjidhja më e mirë është ajo që tashmë është ofruar si zgjidhje brenda pakos së Ahtisaarit sepse, shton ai, me të garantohen të drejtat më të mira sipas standardeve europiane.
“Ne për veriun por edhe serbët do të duhet të kemi zgjidhjen në pakon e Ahtisaarit. Duhet ta gjejmë rrugën e një marrëveshje të përbashkët e cila do të ndihmonte komunitetin serb për zhvillim ekonomik, por edhe atë shqiptar për jetë më të mirë’.
Haliti thotë se zgjidhja duhet të jetë evropiane, e nuk ka lidhje a është ajo Ahtisaari plus apo minus.
“Problemin e çështjes së veriut nuk do ta zgjidhë as pala kosovare e as ajo serbe. Këtë çështje do ta zgjidhin evropianët dhe amerikanët së bashku nëse ndërtojnë politika të përbashkëta në Ballkan dhe për integrimin e këtyre vendeve në BE”, ka thënë Haliti për Gazetën Jeta në Kosovë.
Edhe zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, thonë se zgjidhja më e mirë për veriun e vendit është, ajo që ofron Pakoja e Ahtisaarit.
Sipas nënkryetarit të kësaj partie, Ahmet Isufi, ndërrim territoresh mund të ketë vetëm atëherë kur Kosova të ketë shtrirje autoriteti në të gjithë territorin e vendit, dhe kur të dyja shtetet pajtohen në marrëveshje me faktorin ndërkombëtar.
‘Nëse ka tendenca që tash ketë ndërrim territoresh, Kosova hyn me minus, për shkak se territorin e veriut e ka të pranuar ndërkombëtarisht, por faktikisht atje funksionojnë jo strukturat paralele po institucionet e Serbisë, ndërsa Presheva, Bujanoci dhe Medvegja janë nën juridiksionin administrativ e qeverisës nën Serbi dhe kjo do të krijonte disfavor dhe krizë të re na rajon’, ka thënë Ahmeti për Gazetën Jeta në Kosovë.
Ahmeti akuzon Qeverinë se nuk po bënë sa duhet për të integruar pjesën veriore të vendit.
“Nuk ka interesim të qeverisë. Veriu është bërë temë me pranimin e hyrjes në dialog dhe me heqjen e reciprocitetit. Nuk ka projekte konkrete, nuk ka ndarje të buxhetit, e kështu nuk ka as besim në institucione”, ka thënë ai.
Në anën tjetër analisti Leon Malazogu vlerëson së Serbia realisht ka hequr dorë nga pjesa veriore e Kosovës, por krejt çka po mundohet të fitojë është një lloj aranzhmani më të madh për serbët në veri të vendit.
“Mendoj që Serbia në njëfarë mënyre ka hequr dorë nga tentimi që ta aneksojë veriun e Kosovës dhe e ka vërejtur që kjo nuk është reale, por ndoshta e përdor atë si kërcënim në kanale të ndryshme. Çka ata do të mundohen të bëjnë është të nxjerrin një maksimum aranzhmani për veriun. Kjo i bie çkado mes Ahtisaarit të ardhshëm dhe një autonomie potenciale”, ka thënë Malazogu për Gazetën Jeta në Kosovë.
Sipas tij, ideja për ndërrim kufijsh mes Kosovës dhe Serbisë nuk është reale sepse është temë e vonuar.
Ai thotë se kjo ide ishte dashur të paraqitej ma herët, para statusit të Kosovës.
“Është vonë dhe nuk mendoj se është zgjidhje, sepse pa veriun Kosova nuk bëhet e pastër etnikisht dhe nuk është që Serbia bëhet e pastër etnikisht pa Preshevën. Pra në Kosovë nuk është problemi serbët e veriut, po janë ambiciet e Serbisë për të kontrolluar veriun. Pra nuk është problem dallimi etnik, por në momentin që shuhen ambiciet e Serbisë, Kosova do të integrojë pjesën veriore”, ka thënë Malazogu.
Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008, por edhe më herët serbët e pjesës veriore të Kosovës më ndihmën e institucioneve të Serbisë kanë kundërshtuar dhe nuk e njohin shtetin e Kosovës.
Barrikadat ende nuk janë larguar plotësisht në rrugët e pjesës veriore të vendit përkundër dialogut që po ndodhë mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.
Ata kanë përmendur si opsion shpalljen e shtetit të pavarur nga Kosova për komunat në veri të vendit.
Ndërsa, për mosmenaxhim të mirë të situatës dhe për shkak të mosbashkëpunimit dhe mospërmbushjes së kriterit që më fqinjë të krijohen marrëdhënie të mira, Serbia nuk ka marrë dritën jeshile e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian./Jeta ne Kosove/


12 Dhjetor 2011 at 10:46 pm
Serbia nese deshiron nderrim ( ridefinim te ish kufijeve), se pari duhet t’a njoh pavarsine e Kosoves dhe vetem atehere duhet te hapet kjo teme , ne kushte te barabarta.Kursesi ndryshe, sepse ne te kunderten do rifillojm bisedime te cilat nuk do te perfundojne kurre me Serbine.Dhe, arsyeja e dyte eshte se pranimi per bisedime te tilla ne ket moment, do te kuptohej si terheqje mbrapa e pales sone nga kjo pozite aktuale, qe automatikisht do te legalizohej kundershtimi i vazhdueshem i Serbise per pavarsine e Kosoves.