Medvegjë 12 tetor 2009(medvegja.net)
Pas paralajmërimeve të shumta, të hënën me datën 12 tetor në Medvegjë, në mënyrë solemne është bërë hapja e dy paraleleve të fakulteteve të Universitetit të Nishit: të fakultetit ekonomik dhe atij juridik. Dy paralelet e Universitetit të Nishit në të cilat ligjeratat do të zhvillohen në gjuhën serbe dhe shqipe në mënyrë solemne janë hapur nga kryeministri i Serbisë Mirko Cvetkoviq. Studentët do të mësojnë sipas standardeve evropiane, kurse do të jetojnë dhe do të punojnë në vendin e tyre, ka theksuar Cvetkoviq.
„Hapja e paraleleve të fakultetit juridik dhe atij ekonomik të Universitetit të Nishit në Medvegjë paraqet një hap strategjik në përpjekjen e shtetit për të përmirësuar zhvillimin e kësaj komune e cila bën pjesë në grupin e komunave më të pazhvilluara ekonomikisht në Serbi“, ka deklaruar kryeministri Cvetkoviq. Ndër të tjera z. Cvetkoviq ka shtuar se kjo ngjarje është posaçërisht e rëndësishme sepse në këto fakultete do të kenë mundësi të studiojnë sipas plan-programeve për arsimim të lartë të Serbisë edhe shqiptarët e rinj të cilët përbëjnë ¼ e popullsisë së kësaj komune. „Ky është një hap i madh në zgjidhjen e problemeve në këtë rajon dhe për këtë besoj se së shpejti do të mundemi të implementojmë një model të tillë edhe në komunat Bujanoc dhe Preshevë“, ka thënë ai. Gjatë fjalimit të tij, z. Cvetkoviq i bëri të ditura edhe prioritetet e Qeverisë së Serbisë për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Përveç investimeve në ekonomi, kujdes i veçantë do t’i kushtohet të rinjëve dhe edukimit të tyre. Sipas Cvetkoviq, Qeveria e Serbisë mbështet fuqishëm aktivitetet e Trupit Koordinues.
Kryeministri i Serbisë: Mirko Cvetkoviq
„… Pjesëmarrja juaj, sot, këtu, në këtë sallë, në këtë fakultet të sapohapur, dëshmon se sa e madhe është rëndësia e asaj që ne sot po fillojmë. Nesër në këto hapësira, në këto klasa do të ulën studentë të cilët do të arsimohen për ekonomistë dhe juristë të diplomuar“ deklaroi kryetari i Trupit Koordinues për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Millan Markoviq. Ndër të tjera, z. Markoviq e bëri të ditur se deri në muajin tetor të këtij viti Qeveria e Serbisë nëpërmes Trupit Koordinues ka investuar 158 milion dinarë për objekte infrastrukturore në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. „…Deri në fund të vitit do të transferohen edhe 68 milion për përmirësimin e objekteve infrastrukturore në këto komuna sepse ky është kusht për zhvillim të ekonomisë“, tha z. Markoviq. Ai theksoi se Trupi Koordinues shpreson se çështja e arsimimit të popullatës shqiptare në këto komuna do të zgjidhet krejtësisht, sepse brenda partive politike shqiptare është arritur marrëveshja për themelimin e Këshillit Nacional Shqiptar.
„… Si ministër i arsimit, për mua të gjithë janë të njëjtë, unë fëmijët në Serbi sikurse edhe kolegët e mij nga ministria e arsimit i shikojmë njëjtë dhe të gjithëve dëshirojmë t’u krijojmë kushte të njëjta“, deklaroi Ministri i arsimit i Republikës së Serbisë, Zharko Obradoviq. Ai shtoi se për këtë ministri është kënaqësi që me pjesëmarrjen e saj në këtë projekt ka kontribuar në hapjen e paraleleve të dy fakulteteve të Universitetit të Nishit në Medvegjë.
Studimet themelore akademike në këto dy fakultete në Medvegjë do të zgjasin nga 4 vite. Studentët serbë dhe ata shqiptarë që janë regjistruar në këto fakultete do të studiojnë në gjuhët e tyre amëtare sipas plan-programeve për arsimim të lartë të Republikës së Serbisë. Në vit të parë të studimeve themelore akademike në Medvegjë në fakultetin juridik janë regjistruar 31 studentë, kurse në atë ekonomik 19 studentë. Nga numri i përgjithshëm i studentëve, në fakultetin juridik janë regjistruar 5 studentë shqiptarë, kurse në atë ekonomik 4 studentë shqiptarë.
shkruan: Fidan Kosumi


13 Tetor 2009
-Lajmet-