Ministri i Pushtetit Lokal e vizitoi Medvegjën
Medvegjë 20 Janar 2010 ( Medvegja.net)
Ministri i Pushtetit Lokal i Serbisë, njëherësh kryetar i Këshillit Koordinues për Medvegjën, Preshevën dhe Bujanocin në Qeverinë e Serbisë, Milan Markoviq, e vizitoi përsëri Medvegjën, kësaj here për disa arsye më tepër.
Kështu, ai fillimisht e vizitoi Fakultetin Ekonomik dhe atë Juridik, ku zhvilloi një takim me stundetët që i vijojnë mësimet në këto fakultete, për t’u përgjigjur në pyetjet që parashtroheshin nga studentët, njëkohësisht duke u zotuar me faktin se të gjitha problemet që kanë studentët e këtyre fakulteteve do ta kenë zgjidhjen e duhur në një ardhme të afërt, duke i vlerësuar ato si probleme të vogla.

Fakulteti Ekonomik dhe Juridik në Medvegjë
Por, studentët shqiptarë i shprehën pakënaqësitë e tyre, të cilat njëherësh e e hutuan ministrin dhe e vendosën atë në pozitë të palakmueshme, ndonëse u përgjigjej në mënyrë diplomatike.
Megjithatë, sipas premtimeve të tij, ”ky është një fillim, prandaj duhet kuptuar se çdo fillim i ka vështirësitë e veta”, kështu edhe një herë i premtoi të gjitha të drejtat për studentët shqiptarë.
Ndërkaq, vizita e dytë ishte më shumë e karakterit ekonomik. Kështu ai premtoi zhvillim të dukshëm ekonomik në vitin 2010 në Medvegjë. Ai fillimisht vuri në pah investimet në Xeheroren e Lecit, konkretisht punët që do të kryhen në të, e më vonë edhe hapjen e një qumështoreje në komunën tonë, që do të ishte më se e nevojshme pothuajse për të gjithë shqiptarët, të cilët e kanë prioritet bujqësinë dhe kultivimin e kafshëve për prodhimin e qumështit.
Shkruan : Albert Salihu
Fotografit : Medvegja Forum


