Mustafa: Shkëmbimi i territoreve, ideja më e mirë
Prishtinë, 21 maj (medvegja.net)
– Këtë të premte u mbushën 10 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Konçulit, me të cilën përfunduan luftimet mes forcave të Serbisë dhe shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Ideja kryesore e kryengritësve ishte bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën. Kjo ide ekziston edhe sot në kushtet paqësore.
Lideri i Partisë Demokratike të Shqitparëve në jug të Serbisë, Ragmi Mustafa është një prej atyre që angazhohet hapur për bashkimin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Kosovën. Për programin serb të Radios Deutsche Welle, ai thotë se e ka pritur me gëzim idenë e shefit të socialistëve dhe zëvendëskryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq për ndarjen e Kosovës dhe përcaktimin e kufijëve mes Serbisë dhe Kosovës. “Në qoftë se Daçiqi do të jetë qind për qind pragmatik, atëherë duhet të jetë i gatshëm edhe për ndarjen e Serbisë, në mënyrë që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci të bashkohen me Kosovën, ndërsa veriu i Kosovës të bashkohet me Serbinë”, pohon Mustafa.
Ai është i mendimit se pikërisht shkëmbimi i territoreve është zgjidhja më e mirë për përfundimin e tensioneve në Ballkan. “Kjo është absolutisht zgjidhja më e mirë, në qoftë se duam zgjidhjen e problemeve mes shqiptarëve dhe srbëve. Vetëm në këtë mënyrë Prishtina dhe Beogradi, mund të vendosin raporte të përhershme të mira fqinjësore. Kështu do të dëshmonin para botës se janë të gatshëm të bëjnë këtë hap precedent”, thotë kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa
Koha Ditore


23 Maj 2011
-Lajmet-