Ora e Presidentit – në dorën e akademik Idriz Ajetit
Gjermani, 29 prill 2011 (medvegja.net)
– Nëndega e NRW për Gjermani, si njëra nga nëndegët më aktive në mërgatë, në përgatitjet për shënimin e 24 Majit – Ditës së Presidentit, të shpallur si e tillë nga Presidenti Historik dr. Ibrahim Rugova, këtë vit, mbështetur edhe nga Dega e LDK-së për Gjermani, me mirënjohjen tradicionale të vitit “Ora e Presidentit”, nderon akademik Idriz Ajetin.
Akademik Idriz Ajeti përveç që ka merita të pamohueshme në fushën e kulturës dhe dijes shqiptare, njihet edhe si themelues i shkencave albanologjike në Kosovë, është ndër gjuhëtarët më të shquar shqiptarë, radhitet fill pas Eqrem Çabejt, por njihet edhe si një luftëtar i paepur i paqes e demokracisë dhe njëri ndër trasuesit e besnikët e vizionit për liri, pavarësi e demokraci në Kosovë.
Ishte në një periudhë të rëndë të historisë sonë më të re edhe Kryetar i Kuvendit të Kosovës, pjesë e Delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujesë dhe ndër mbështetësit kryesorë të politikës dhe të filozofisë rugoviane.
Akademik Idriz Ajeti, edhe sot, në moshë të shtyrë rrezaton energji e përkushtim shembullor prej një studiuesi të spikatur dhe luftëtari të paepur për demokraci, andaj nëndega e NRW në Gjermani ndihet e nderuar që këtij personaliteti të shquar shqiptar t’i japë këtë Mirënjohje, sado simbolike. Dhe më e nderuar është që akademiku ynë i shquar e pranon këtë me kënaqësinë dhe respektin më të madh, thotë Muharrem Sfarqa zëdhënës i nëndegës së së NRW të LDK-së në Gjermani.
”Ne erdhëm nga Gjermania për t’ia komunikuar lajmin dhe për ta marrë konfirmimin e tij për prezencën në manifestimin tradicional të kësaj date që mbahet për çdo vit në Stolberg – rrethina e Ahenit në Gjermani, tash edhe si kujtim i iniciuesit të kësaj Mirënjohjeje, veprimtarit të palodhur që tashmë gjendet në amshim, të përndritshmit Abedin Gashit. Meqenëse akademik Idriz Ajeti, për arsye objektive, nuk mund të jetë i pranishëm pas një muaji në Gjermani, kur ne do ta organizojmë manifestimin, vendosëm që, paraprakisht këtë mirënjohje që titullohet “Ora e Presidentit” dhe jepet në nderim të themeluesit të shtetit të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës, t’ia japim këtu, në Prishtinë, përmes një ceremonie rasti, duke respektuar dhe kërkesën e vullnetin e vetë akademik Idriz Ajetit” shton z.Sfarqa.
Ky është viti i tretë që nga ana jonë jepet kjo mirënjohje viti dhe deri më tash të nderuar me të kanë qenë: Anton Kolaj, ish-nënkryetar i LDK-së dhe koordinator i parë për themelimin e Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës dhe Sabit Rrustemi, shkrimtar e veprimtar i shquar i LDK-së dhe frymës e filozofisë rugoviane, si dhe ish-deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. /b.m-b.s-Kosova.info:foto B.UKA/



30 Prill 2011 at 11:21 am
Akademikut tonë të nderuar i dëshirojmë jetë të gjatë e të lumtur,njëkohësisht krenohemi me ty e mbarë Medvegja.
1 Maj 2011 at 8:20 pm
Uroje Akademik Idriz Ajetin per shperblimin, ndersa ata qe e ndane kete shperblim per njeriun e merituar All llahu i shperblefte me te mira.