Në Xhaminë e Siarinës u organizua iftari tradicional publik, me financimin e bashkatdhetarëve tanë Zenel Neziri, Fadil Selmani, Agim Sadiku dhe Qazim Syla, për të gjithë të interesuarit dhe besimtarët islamë. Ky iftar tashmë është bërë tradicional për disa vite me radhë
Banja e Sijarinës, 5 shtator 2010(medvegja.net)
Në iftarin tashmë tradicional në Xhaminë e Siarinës, të organizuar të shtunën e kaluar, morën pjesë rreth 90 persona, ndër të cilët kishte qytetarë që aktualisht jetojnë në Medvegjë, përfaqësues nga jeta politike, bashkëvendës nga Prishtina dhe mysafirë nga Presheva.
Ndonëse ishte paralajmëruar që iftari si rëndom viteve tjera të mbahej në Xhaminë e Siarinës, megjithatë ajo nuk u hap me kohë. Imami i kësaj xhamie, Elham ef Hasani, nga Corrotica e Preshevës, nuk e kishte parë të arsyeshme ta hapte xhaminë as për faljen e namazit të akshamit, e aq më pak për iftarin e organizuar me shumë mund e sakrifica. Përkundër insistimit të imamit të vjetër të kësaj xhamie, imami Hasani jo vetëm që nuk dëshironte të merrte pjesë në iftar, por ai nuk pranonte as ta hapte derën e xhamisë, këtij objekti të kultit fetar, renovimi i së cilës ishte bërë vite më parë me vetëkontributin e popullit shqiptar Medvegjës.
Te të pranishmit e shumtë kjo sjellje ngjalli reagime, meqë shumë nga ata i kujtonin kohët kur kanë punuar dhe kontribuuar në renovim, ndërkaq sot nuk mund ta bënin një iftar, të organizuar dhe të financuar nga njerëzit vullnetmirë.
Në vend se të gëzoheshin që, falë Zotit, xhamia po mbushet me njerëz dhe po kemi mundësi të takohemi së paku një herë në vit, zotëriu imam nga Presheva, të cilin medvegjasit e pranuan me zemërgjerësi dhe bujari, nuk ua hapi derën e xhamisë së tyre pikërisht këtyre medvegjasve.
Shumica e të pranishmëve, edhe pse kishin ardhur nga larg, si nga Presheva, Prishtina, Fushë-Kosova, si dhe nga të gjitha fshatrat e Medvegjës, u detyruan që iftarin ta bëjnë në këmbë, në oborrin e xhamisë dhe rreth saj, madje në gjysmerrësirë. Ndërkaq problemi u zgjodh vetëm atëherë kur zëvendëskryetari i Medvegjës, z. Florim Sahiti, e solli hoxhën për ta hapur xhaminë,për të vazhduar me Iftar , dhe për t’u kryer ceremonitë tjera fetare të mbrëmjes.
Përgatitjen e ushqimit për iftar e bëri Ramadan Beqiri, i shoqëruar nga një grup vullnetarësh. Por, se përse ndodhi i gjithë ky keqkuptim mbetet në ndërgjegjen e atyre që e përgatitën këtë skenar. Fundja, ajo që mund të bëjë Diaspora është të mos e përkrahë asnjë inciativë pozitive në Medvegjë, mirëpo a thua kujt i shkon kjo për shtati?!
Vlen të përmendet se në këtë iftar morën pjesë edhe zëvendëskryetari i Medvegjës, z. Florim Sahiti; kryetari i UDSH – Rahmi Zylfiu; kryetari i Degës së UDSH-së për Medvegj – Rexhep Abazi, këshilltarë të Kuvendit Komunal e të tjerë.
Në fund shtrohet një pyetje dhe një dilemë: Pse dikujt i pengon gjithçka që organizohet, madje edhe me karakter fetar, apo mos ndoshta nganjëherë edhe qasja në organizim duhet të ketë rrjedhë më ndryshe? Këtë çështje duhet ta zgjidhin qytetarët e Medvegjës, e të mos zhyten edhe më thellë në ndasi e përçarje ndërmjet tyre.

Musafirët nga Zvicra e Presheva

Më në fund, iftari vazhdoi brenda Xhamisë

Mulla Ajet ef Latifi i cili shërbeu në këtë Xhami për 40 vite,mbajti një ligjërat para të pranishmëve





6 Shtator 2010
-Lajmet-