RSS

Në mes të zhgënjimit dhe shfajësimit!(mos)njohja e diplomave

19 Shkurt 2011

-Lajmet-

Shkruan: Latif Mustafa, Preshevë

NË MES TË ZHGËNJIMIT DHE SHFAJËSIMIT!
(MOS)NJOHJA E DIPLOMAVE

Populli vuan, por me vuajtje ka vendosur të fitojë! Ukshin Hoti

Problemi i mospranimit të diplomave të Republikës së Kosovës, që kohëve të fundit po paraqitet si problem serioz në shoqërinë e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës, është një problem shumë i vjetër, por i shfaqur me dimensione të reja, i politizuar, madje edhe i instrumentalizuar. Jo vetëm që është problem serioz që qëndron ndërmjet dy plenumeve psikologjike të zhgënjimit dhe shfajësimit, por ky problem është simbol dhe refleksion i një problemi më të madh të kësaj shoqërie.
Mospranimi i diplomave nga Republika e Serbisë, fillimisht nënkupton shkeljen në mënyrë flagrante të së drejtës tonë të punësimit. Mos-posedimi i së drejtës së punësimit në këtë shtet, nënkupton edhe mohimin tim të qytetarisë, apo të drejtën e të qenit pjesëtar dhe qytetar i këtij shteti. Në të kundërtën, si paradoks, qytetaria ime ndaj këtij shteti dhe bindja ime ndaj pushtetit fillon me obligimet e mia taksore dhe votimin e lirë për t’i zgjedhur përfaqësuesit politikë. Pra, mohimi i diplomave nuk është esenca, ajo është formalja. Esenca është mohimi im qenësor, më mohohet ekzistenca ime
Ky problem ka edhe dimensione të tjera të interpretimit. Një nga to është se mosnjohja e këtyre diplomave mund të venit edhe lidhjet kulturore që kemi me Kosovën. Si pasojë e këtij problemi studentët edhe më tepër do ikin në vende të tjera. Po ashtu, ky fenomen mund të interpretohet edhe si presion i një politike përjashtuese, por në mënyrë pasive dhe “demokratike”.
Duke e pasur parasysh se problemi i punësimit nuk është më problem lokal, por edhe global, studentët që po shkollohen në vende të tjera, përveç Kosovës, perspektivën e tyre po i gjejnë në shtetet e tjera, kështu që po realizohet një zbrazje e qetë e këtyre trojeve. Kështu që sikur Beogradi të na njihte këto diploma, do ta bënte një kthesë politike pozitive dhe për t’u vlerësuar nga të gjithë, si nga qytetarët e saj, po ashtu edhe nga faktorët relevantë ndërkombëtarë. Sepse, edhe po t’i pranonte diplomat, ne të rinjtë po ikim! Po ikim se sistemi na ka ngulfatur ekonomikisht, as pranimi i diplomave nuk do të bënte punë. Por, mospranimi nënkupton se ne jemi të padëshirueshëm këtu.
Mospranimi i diplomave, ka shfaqur një dozë shfajësimi të politikanëve lokalë për problemin e papunësisë. Ky problem po zhvendoset, duke u ikur edhe problemeve më ekzistenciale që paraqiten në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë. Tema e mospranimit elaborohet si problem serioz nga klasa politike, por pa hedhur hapa konkretë rreth zgjidhjes së këtij problemi. Ta zëmë se me Beogradin zyrtar është e vështirë të zgjidhet kjo çështje, pasi që vërtet është çështje komplekse. Por, deri tash nuk është shfaqur vullneti politik që kjo çështje të zgjidhet ndërmjet Prishtinës dhe Tiranës, duke i ekivaluar diplomat, pra që studentët e Prishtinës t’i merrnin diplomat e Tiranës. Kjo çështje do ishte zgjidhur, sikur të kishte pasur një iniciativë serioze prej shtresës politike.
Sentenca e mësipërme “Populli vuan, por me vuajtje ka vendosur të fitojë!” është e shkëputur nga intervistat e mendimtarit shqiptar, Ukshin Hoti. Kjo maksimë, edhe pse në thelbin e saj jashtë kontekstual, kumbon në një thirrje të pashmangshme pacifiste, ajo në vete ngërthen me tepër se një thirrje morale. Ajo e fton një popull që ta pranojë realitetin e saj të vuajtjes, të mësohet me vuajtjen. Vuajtja le të bëhet përditshmëri e tij. Ne si popull, por edhe si shoqëri e këtyre trojeve, jemi ende në fazën e zhgënjimit, ne ende s’kemi arritur te vuajtja. Zhgënjimi ynë është një sihariq i keq, sepse pas tij na pret vuajtja. E, kur do të vijë fitorja?! Fitorja do të vijë vetëm atëherë kur thellësisht do ta kuptojmë vuajtjen dhe në të kundërtën kur e ëndërrojmë lumturinë dhe fitoren.

(Autori është i diplomuar në UP)

Shkëputur nga nr 1 i Revistës Zëri i Medvegjës,janar 2011

Subscribe

Subscribe to our e-mail newsletter to receive updates.

One Response to “Në mes të zhgënjimit dhe shfajësimit!(mos)njohja e diplomave”

  1. Abaz Says:

    Pushteti serb nuk po të njeh as si qytetar e le ma diplomat.
    Dinakria serbe për dhënjen e pasaporteve qytetarëve kosovar u ba mollë sherri për qytetarët Medvegjas ku pas kësaj dukurie qytetarët Medvegjas nuk mund të paisen me asnjë lloj dukumenti.
    Kurse ata që duhet kërkuar dhe mbrojtur janë bërë bashkëpuntorë dhe kan lidh koalicione për interes personale.
    Inters i kujt është Këshilli nacional dhe kënd e mbron!
    Këshilltaret komunal te dy partive çka bëjnë dhe si veprojnë!
    Deputeti në parlamentin e Serbis kukull apo vegël!
    Dhe kush paguan faturën, dihet Populliii..!
    Për këtë dukuri është fajtor edhe Qeveria e Shqipërisë e sidomos ajo e Kosovës ku për qytetarët serb në Kosovë nuk vlen asnjë ligj e asnjë rregullore e le ma të kërkohet një paralelizëm e mos te falasim për bashkimin e Trojeve që gjithmonë na copëtuan.
    HERËT OSE VONË DIKUSH DO TË PËRGJIGJET PËR KËTO VEPRIME PARA POPULLIT
    DHE MOS TË MENDOJNË QË NUK DO TË ZBULOHEN.

Leave a Reply