RSS

Në Serbi nisi regjistrimi i popullsisë pa pjesëmarrjen e shqiptarëve të Luginës

1 Tetor 2011

-Lajmet-

Në Serbi nisi regjistrimi i popullsisë pa pjesëmarrjen e shqiptarëve të Luginës

Luginë e Preshevës, 1 tetor (medvegja.net)

 

– Ndonëse në Serbi ka filluar të shtunën regjistrimi i popullsisë, disa bashkësi etnike, duke përfshirë edhe shqiptarët e Luginës, kanë bojkotuar këtë regjistrim, ngase, sipas tyre, listat e regjistrimit janë shtypur serbisht dhe me alfabetin cirilik.

Në Ministrinë për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave në Serbi thonë se kjo iniciativë do të dëmtojë interesat e shqiptarëve, ndërsa ata të trupit koordinues janë zotuar se kanë bërë përkthimin e të gjitha dokumenteve relevante, siç janë fletushkat dhe udhërrëfyesit për regjistrim.

“Regjistrimi do të mbahet në të gjitha bashkësitë etnike me të njëjtat rregulla, pra të gjithë do t’i kenë listat në gjuhën serbe”, patën thënë nga kjo ministri.

Banorët shqiptarë të Luginës së Preshevës janë duke e bojkotuar këtë regjistrim, duke i qëndruar besnik kështu vendimit të Kuvendit të Këshilltarëve Shqiptarë të Luginës për bojkot.

Ndonëse zyrtarë të Entit serb të statistikave kanë njoftuar se ata që refuzojnë regjistrimin do të gjobiten me nga 500 euro, shqiptarët e Luginës, për shkak të dyshimeve për manipulim të regjistrimit, kanë paralajmëruar se do ta bojkotojnë këtë proces.

Kuvendi i këshilltarëve shqiptarë të Luginës ka vendosur unanimisht kohë më parë për bojkotim të regjistrimit në Serbi, për shkak të anashkalimit të tyre nga procesi parapërgatitor, mënyra e shtypjes së formularëve të regjistrimit dhe mospjesëmarrja e regjistruesve shqiptarë. Lidhur me këtë shqiptarët e Luginës së Preshevës gjatë shtatorit kanë organizuar protesta.

Shqiptarëve të Luginës u janë bashkuar edhe boshnjakët e myslimanët për bojkotim të regjistrimit të popullsisë në Serbi. Prandaj pritet bojkotim i regjistrimit edhe në Sanxhak.

Kjo është vendosur nga Këshilli Kombëtar Boshnjak në Serbi. Në një komunikatë të këtij këshilli theksohet se vendimi është miratuar ditë më parë, ku ndër arsyetimet e shpalosura janë cekur se nuk janë plotësuar kushtet lidhur me komunitetin boshnjak dhe atë mysliman. Këshilli ka vlerësuar se numri real i boshnjakëve dhe myslimanëve vazhdimisht është shtrembëruar dhe zvogëluar nga autoritetet serbe. KKB-ja ka theksuar se edhe formularët e shtypur për regjistrimin ekskluzivisht janë në gjuhën serbe dhe madje në alfabetin cirilik. KKB-ja ka kërkuar kontroll të rreptë mbi regjistrimin dhe monitorimin nga bashkësia ndërkombëtare/KOHA/

Subscribe

Subscribe to our e-mail newsletter to receive updates.

No comments yet.

Leave a Reply