Tiranë,15 dhjetor 2010
Dita e sotme shënon fundin e izolimit 70-vjeçar të shqiptarëve dhe hapjen e portave për të udhëtuar lirshëm në Evropë. Duke nisur nga mesnata ka hyrë në fuqi regjimi i liberalizuar i vizave mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë, i cili lejon qytetarët shqiptarë të lëvizin pa viza për të udhëtuar në 25 shtete anëtare të bllokut evropian, si dhe në 3 shtetet e tjera jo anëtare të BE-së, pjesë të zonës Shengen.
Autoritetet janë duke intensifikuar fushatën në drejtim të qytetarëve shqiptarë për t’i bërë ata të ndërgjegjshëm lidhur me të drejtat dhe detyrimet me rastin e fillimit të lëvizjes së lirë të tyre në vendet evropiane.
Zyra e Komisionit Evropian në Tiranë në bashkëpunim me qeverinë shqiptare kanë dhënë prej ditësh disa prej rekomandimeve që shqiptarët duhet t’i kenë parasysh gjatë udhëtimit për në vendet Shengen. Sipas udhëzimit, shqiptarëve gjatë këtij udhëtimi nuk do t’u kërkohet një garanci pasurore për udhëtimin e tyre, por në të njëjtën kohë ata duhet të justifikojnë financiarisht udhëtimet e tyre.
Sipas burimeve zyrtare, mbi 1.3 milionë shqiptarë janë pajisur deri tani me pasaporta biometrike, ndërsa fluksi pranë zyrave të aplikimit vazhdon të jetë i lartë.
Nga ana tjetër, agjencitë turistike dhe ato të udhëtimeve të përgatitura për këtë eveniment, thonë se ka një interesim mjaft të madh të qyetarëve shqiptarë për të udhëtuar që sot jashtë vendit./Alsat/




15 Dhjetor 2010
-Lajmet-