RSS

Orhan Rexhepi: Dy shtete shqiptare janë mburojë e jona

4 Nëntor 2010

-Lajmet-

 Intervistë ekskluzive me z.Orhan Rexhepi, zëvendës-kryetar i Kuvendit të Komunës së Preshevës, kryetar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Preshevë dhe i zgjedhur nga nëntë të burgosurit e familjet për të përcjellur rastin e tyre që nga fillimi.


Orhan Rexhepi

“Këshilli Nacional iu ka dashur vetëm Republikës së Serbisë për të plotësuar njërin nga kushtet drejt Bashkimit Europian, plus 27 000 nënshkrimet, 80% të të cilëve të fallsifikuar me ndihmën e Qeverisë Serbe, do ti përdorin kundër Luginës së Preshevës në bisedimet e ardhshme, si një referendum në hije kundër Referendumit të 1 e 2 Marsit 1992 i cili doli 99,7% për ribashkim me Kosovën”-tha ndër të tjera z.Rexhepi.

Në këtë situatë, kur po vlon politika gjithandej atdheut tonë, si në Kosovë, Iliridë, Shqipëri, nuk anashkalohet edhe Presheva, Medvegja dhe Bujanoci. Bashkëbisedimi ynë si gjithmonë, edhe kësaj here, me çdo lider, artist, apo sportist është pa dorëza dhe pa cenzurë, duke respektuar etikën profesionale të profesionit. Lexuesit tanë kanë mësuar për shumë gjëra që po mbretëron në tokat tona shqiptare, pra nga dy protagonistët kryesorë të politikës shqiptare nga Presheva z.Ragmi Mustafa dhe të Bujanocit z.Shaip Kamberi, ku para pak ditësh ua servuam lexuesve tanë.

E kësaj radhe, u ndalëm në një bashkëbisedim me zëvendës kryetarin e Kuvendit të Komunës së Preshevës, njëherit lider i LKSH-së dhe i zgjedhur nga nëntë të burgosurit, për të përcjellur rastin e tyre dhe është i vetmi, që servon lajme nga gjendja e të burgosurve në mediat tona si të shkruara dhe në ato elektronike. Do të mësojmë nga z.Rexhepi, opinionet e tija për situatën në Preshevë, Kosovë dhe për shumë gjëra tjera. Se, a do të përfshihet edhe Lugina e Preshevës në bisedimet nëmes të Serbisë dhe Kosovës?, se cili emërtim adekuat do të ishte për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, sa politika i kemi në Preshevë dhe për gjëra tjera, do të mësojmë gjatë kësaj interviste.

A e keni ndërmend të dorëzoheni nga qëllimet tua politike e kombëtare?

Orhan Rexhepi: 32 vite kam punuar e punuar, 32 vite të plota kam punuar pandërprerë, kam vepruar ilegalisht, kam organizuar demonstrata, kam shkruar parolla, kam shpërndarë trakte derisa edhe kam hedhur pushkën krahut e çka jo tjetër, edhe 320 të tjera nuk do të ndalem, edhe nga varri do të ngritem si Kostandini vetëm e vetëm Presheva, përkatësisht Lugina e Preshevës të bëhet Kosovë ose më saktë, Shqipëri.

Ku po e gjenë përkrahjen për t’u mos u dorëzuar?

Orhan Rexhepi: Nëse treva e Preshevës qe 2238 vjet ka qenë dhe ende është e okupuar, së pari nga Romakët, pastaj nga Bizanti, Sllavët, Otomanët dhe deri në këto momente përsëri nga Sllavët dhe e ka ruajtur qenien Shqiptare për këta kaq shumë shekuj, pse edhe unë të mos jem pjesë e kësaj qëndrese shumë-shekullore të këtij populli pellazg, fundja motoja e jetës sime ka qenë dhe është thënia e Luigj Gurakuqit “Veç nji qëllim i naltë të bën me durue e zemrën ta forcon, ndër kundërshtime kurrë s’bën me u ligshtue, mjerë ai qi nuk qindron”

Je mërzitur më me këtë situatë që po mbretëron në këto troje?

Orhan Rexhepi: Krenaria e prejardhjes pellazge i mundë të gjitha pasojat dytësore, ajo nuk të lejon të dështosh.

Sa do na bije në hise neve nga Lugina e Preshevës, që të kërkojmë, që të jemi pjesë e bisedimeve të reja, që po përfliten nëmes Kosovës dhe Serbisë?

Orhan Rexhepi: Se a do të kemi hise apo jo të jemi pjesë e bisedimeve Kosovë-Serbi nuk e di, por që Lugina e Preshevës do të jetë në qendër të këtyre bisedimeve jam i sigurt, patjetër.

Po reflektohet situata politike e krijuar në Kosovë e këtyre ditëve edhe në Luginë të Preshevës?

Orhan Rexhepi: Detyrimisht se po.

Na thoni, si e ndjeni veten më mirë, nëse do ju ftojë dikush, si qyetar i Luginës së Preshevës, Kosovës Lindore apo i Peonis Dardane?
Orhan Rexhepi: Lugina e Preshevës është emërtimi më adekuat në rrethanat e krijuara politike në rajon sepse ky emërtim është i ndërlidhur edhe me aspektin ushtarak të NATO-s. Emërtimi më adekuat do të jetë Shqipëria Veri-Lindore.

Po përsëritet fati i tre komunave shqiptare Presheva, Medvegja dhe Bujanoci me Çamërinë?

Orhan Rexhepi:Kjo assesi nuk do të ndodhë. Dy shtete shqiptare janë mburojë e jona, aq më parë kur njëri nga ta është anëtarë i NATO-s

Jeni i kënaqur me punën që ka bërë qeveria e Kosovës drejt Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit?

Orhan Rexhepi: Deri në këto momente aspak, ajo ka mundur të bëjë shumë më tepër. Nëse kjo Qeveri as edhe një cent nuk e ka dhënë për ndihmë të të burgosurve Shqiptarë që në burgun e Beogradit ndodhen gati dy vite çfar të them për gjërat e tjera të mëdha.

Kemi dy politika në Luginë të Preshevës

Flitet, se politika e Preshevës është e kthyer nga Prishtina. Si e komentoni?

Orhan Rexhepi: Kemi dy politika në Luginë të Preshevës, diametralisht të kundërta, ajo e pushtetit lokal në Komunën e Preshevës e drejtuar kah Prishtina, përkatësisht Tirana dhe e dyta e pushtetit lokal në Komunën e Bujanocit me në krye Riza Halimin e kthyer kah Beogradi.

I keni rregulluar punët me deputetin e parlamentit të Serbisë, njëherit kryetarin e PVD-së z.Riza Halimi?

Orhan Rexhepi: Me të nuk mundë të rregullohen punët derisa ai punon dhe vepron për interesat e Serbisë, që automatikisht don të thotë kundër interesave të popullit Shqiptarë të Luginës së Preshevës. Ai nuk mundë të përmirësohet kurrë sepse tërë jetën e tij ka punuar për interesat sllave, që nga viti 1981 e deri në vitin 1989 ka qenë Kryetar i Komisionit kadrovik në Komitetin komunist të Preshevës që do të thotë se Serbia ka pasur besim të madh në të qysh herët. Pastaj në vitin 1990 e futi në programin partiak të tij integritetin territorial të Serbisë derisa Jugosllavia ekzistonte ende, pra, ai e dinte se do të shthurrej Jugosllavia dhe nxitoi ta mbronte Serbinë edhe para se vetë serbët ta bënin një gjë të tillë. Në raste të tilla populli ynë zakonisht e përdorë zhargonin “Më shka se shkau”.
Vitin e kaluar vota e tij në Parlamentin serb e shpëtoi rënien e Qeverisë serbe

Keni parë ndonjë ndryshim në Preshevë, kur z.Halimi është deputet në ate parlament?

Orhan Rexhepi: Vitin e kaluar vota e tij në Parlamentin serb e shpëtoi rënien e Qeverisë serbe, ai pra në vend se ta përdorte këtë votë vendimtare për të mirën e Luginë së Preshevës e shpëtoi armikun e këtij territori Shqiptarë. Unë për vete nuk kam pritur e as që do të pres se ai do të punojë diçka për të mirën e Shqiptarëve e në dëm të Serbisë por qindpërqind të kundërtën.

Jeni lider i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, gjeni përkrahje nga të rinjtë e Preshevës?

Orhan Rexhepi: Përkrahja e të rinjëve është në rritje, shkaku i veprimeve dhe qëndrimeve tona të drejta rreth çështjes kombëtare, fundja shkaku edhe i angazhimit tonë të pandërprerë për lirimin e nëntë shqiptarëve të kidnapuar më 26 Dhjetor 2008 e të cilët janë para gjykatës serbe në Beograd.

PVD e ka “në dorë” Medvegjën e boshatisur

Si është situata në Medvegjë?

Orhan Rexhepi: Në Medvegjë kanë mbetur shumë pak Shqiptarë apo edhe më mirë të them fare nuk kanë mbetur. Kjo tregon gjithçka. Këtë pyetje më së miri duhet t’ia bëni atyre të PVD-së se ata e kanë “në dorë” Medvegjën.

Presheva deri në vitin 1956 ka qenë pjesë administrative e Kosovës dhe atë vit, së bashku me Komunën e Bujanocit, zëvendësohet me Leposaviqin dhe Zubin Potokun”. Jeni optimist se do të vijnë prap ato ditë?

Orhan Rexhepi: Jo vetëm optimist por i sigurtë. Procesi i bashkimit të trojeve Shqiptare është i pandalshëm, ka filluar me Kosovën do të vazhdojë me Luginën e Preshevës e deri në Çamëri. Të Shtunën në Tiranë u mbajt Tubimi i Shqiptarëve nga gjitha trojet tona ku u Promovua Lista për Shqipërinë Natyrale me në krye udhëheqësin Koço Danaj, tashmë edhe institucionalisht do të kërkojmë përmirësimin e gabimeve të mëdha historike, siq ishte Konferenca e Londrës e vitit 1913.

E pini rehat kafen gjersa e shikoni Preshevën me plot kafe, bastore, shitore dhe pa asnjë perspektivë për të rinjtë?

Orhan Rexhepi: Natyrisht se është për tu shqetësuar, edhe këto janë pasoja të okupimit ndër ato të shumtat të tjerat.

Si është gjendja e të burgosurve shqiptarë të këtyre trojeve në burgjet serbe?

Orhan Rexhepi: Gjykimi i tyre është duke zgjatur 14 muaj dhe definitivisht është para përfundimit, për datën 22 Nëntor 2010 është caktuar fjala e fundit e Prokurorisë serbe dhe ditën tjetër fjala e fundit e Mbrojtjes. Ajo që është më e rendësishme, Prokuroria nuk ka arritur të nxjerrë as edhe një dëshmi se ka pasur ndonjë masakër apo ndonjë krim lufte gjatë periudhës kohore mesi i Qershorit-fundi i Tetorit 1999 në Gjilan e rrethinë për çka edhe akuzohen ata. Kjo prokurori para kësaj Gjykate ka paraqitur vetëm shtatë raste kufomash por asnjëra nga këto e masakruar, asnjëra nga këto e mbytur dhunshëm, aq më parë kur edhe tri nga këto kufoma janë ish-qytetarë serb të komunës së Vitisë.

PVD nuk ka dhënë as edhe një cent ndihme qoftë për pagesën e Avokatëve
Familjet e të burgosurve janë të varfëra, ato presin!!! E çka po bëhet në këtë drejtim nga Ju dhe politika shqiptare e Preshevës?

Orhan Rexhepi: Një pjesë e këtyre Familjeve janë të varfëra aq sa nuk ta kapë truri dhe pikërisht për këtë arsye dy nga këto familje janë detyruar të shpërngulen në Belgjikë për azil. Unë për këto 22 muaj kam qenë në Beograd 86 herë, ekskluzivisht për këtë rast, kam mbledhur dokumente-dëshmi të shumta dhe i kam dorëzuar para gjykatës serbe duke i mbledhur ato në Preshevë, në Kosovë dhe në Maqedoni, nuk kam lënë gjë tjetër pa bërë që ka qenë e nevojshme për këtë rast të rëndë. Ndërsa politika Shqiptare e Preshevës dhe Bujanocit edhe për këtë ndahet në dy pjesë, PVD nuk ka dhënë as edhe një cent ndihme qoftë për pagesën e Avokatëve apo qoftë edhe për ti ndihmuar familjet e të burgosurve, derisa Kryetari i Komunës së Bujanocit Shaip Kamberi edhe pse këtu e një vit më parë i ka premtuar 250 000 dinarë ende nuk i ka dhënë ato. UDSH, LPD dhe BDL gjithashtu nuk kanë ndihmuar fare por PDSH po, edhe atë mjaftë.

I keni takuar sigurisht disa herë të burgosurit, kend e shajnë më së shumti?

Orhan Rexhepi: I kam vizituar shtatë herë por gjashtë muajt e fundit nuk më lejuan ti vizitoj më, dhe për këtë nuk japin asnjë arsyetim. Gjatë atyre shtatë vizitave, këta të burgosur përpos halleve të mëdha që i kanë në burg kanë shprehur edhe revoltën e tyre edhe ndaj politikanëve të Luginës së Preshevës, më së shumti janë të revoltuar, bile edhe e shajnë shumë pikërisht Riza Halimin, edhe Jonuz Musliun më pak por edhe ndonjë tjetër.

A ju ka dasht Preshevës këshilli nacional?

Orhan Rexhepi: Këshilli Nacional iu ka dashur vetëm Republikës së Serbisë për të plotësuar njërin nga kushtet drejt Bashkimit Europian, plus 27 000 nënshkrimet, 80% të të cilëve të fallsifikuar me ndihmën e Qeverisë Serbe, do ti përdorin kundër Luginës së Preshevës në bisedimet e ardhshme, si një referendum në hije kundër Referendumit të 1 e 2 Marsit 1992 i cili doli 99,7% për ribashkim me Kosovën.

Politika shqiptare në Bujanoc është e pozicionuar ekskluzivisht kah Beogradi
Po me politikën që bëhet nga ana e shqiptarëve në Bujanoc, sa jeni i kënaqur?

Orhan Rexhepi: Politika shqiptare në Bujanoc është e pozicionuar ekskluzivisht kah Beogradi sepse kontrollohet nga Riza Halimi, përkatësisht nga Milan Markoviq, përkatësisht nga Qeveria Serbe. Dëshmia më e re për këtë është krijimi i dhunshëm i qeverisjes lokale multietnike.

Nga duhet ti kemi veshët dhe sytë?

Orhan Rexhepi: Siç thashë më parë është krijuar Lista për Shqipërinë Natyrale me qendër në Tiranë me në krye Koço Danajn, në bazë të Platformës së Shqipërisë Natyrale, domethënë Strategjia definitivisht ekziston në letër dhe në bazë të kësaj edhe ia kemi filluar punës së madhe, historike. Pra nuk janë në pyetje më sytë dhe veshët por e tërë qenia.

Si e vlerëson situatën aktuale në Kosovë?

Orhan Rexhepi: Jam i sigurt se kjo situate e re në Kosovë nuk është krijuar rastësisht e gjitha që mund të them është se kjo “krizë” është krizë strategjike dhe jam i bindur se është në të mirë të Shqiptarëve.

Kam parandjenjën se dy partitë e para do të bëhen PDK dhe VETËVENDOSJA
Me cilin lider ju shkon muhabeti më shumë, e kam fjalën për politikë në Kosovë?

Orhan Rexhepi: Me një pjesë prej tyre jam njohur shumë më përpara, tani bëj me ta vetëm ndonjë takim zyrtar. Në zgjedhjet që po vijnë kam parandjenjën se dy partitë e para do të bëhen PDK dhe VETËVENDOSJA dhe nga ato edhe do të formohet Qeveria e re.

Shkoni shpesh në Kosovë?

Orhan Rexhepi: Shumë rrallë, biles kohët e fundit shumë më tepër jam në Tiranë se në Prishtinë dhe tashmë dihet botërisht përse.

Ragmi Mustafa është Shqiptar për dallim nga Riza Halimi

Si ju shkojnë punët me Ragmi Mustafën, se me Riza Halimin e kemi kuptuar?

Orhan Rexhepi: Ragmi Mustafa është Shqiptar për dallim nga Riza Halimi. Nga vetë fakti se unë nuk hezitoj të bëj koalicion me Ragmiun, për dallim nga ajo se kurrë nuk bëj koalicion me Riza Halimin tregon përcaktimin dhe drejtimin e njërit dhe të tjetrit.

Ju dhimbsen ditët që po kalojnë dhe nuk po bëhet ajo që e dëshironi Ju?

Orhan Rexhepi: Më dhimbsen edhe sekondat, jo vetëm ditët, por unë së pari kam dëshiruar dhe menjiherë kam filluar të punoj e kurrë nuk jam ndalur dhe kurrë nuk do të ndalem, dhe bashkimi i Shqiptarëve në një shtet të përbashkët do të ndodhë patjetër.

Duhet të ketë parti tjera shqiptare në Luginë të Preshevës, apo të fshihen disa?

Orhan Rexhepi: Sa opcione ka në popull poaq edhe parti ka dhe kjo është e pashmangshme në rrjedhat demokratike por ne jemi të okupuar dhe këtu duhet vazhdojë vetëm një opcion, ai i bashkimit me tokën mëmë.

Luani shah?

Orhan Rexhepi: Luaj dhe jam njëri ndër shahistët më të mirë në Luginë të Preshevës. Prioriteti im në lojën e Shahut është sakrifica, prandaj jam edhe aq i mirë. Edhe në politikën e Luginës duhet të sakrifikohet dikush për fitoren definitive.

Për cilin ekip të futbollit jeni, e kam fjalën për ekipet e ndryshme evropiane?

Orhan Rexhepi: Një dajë i babait tim e që edhe unë e thërras Daja Simpë është një adhurues i flaktë i futbollit, dhe ne të dy tranohemi pas Barcelonës, por Barcelonës, jo Spanjolle por Katalonase.

Po afrohet 28 nëntori, do ta festoni me flamurin kombëtarë në Preshevë apo…

Orhan Rexhepi: Gjithsesi, por kësaj radhe pak më ndryshe se herave tjera, Platforma e Shqipërisë Natyrale na obligon ti përmbahemi disa gjërave e të cilat i dijmë të gjithë ne që jemi Shqiptarë dhe ky festim do të bëhet konform gjithë kësaj.

2012 po afrohet, çka ju kujton dhe çka kishit dashur të përfundojë në këtë vit?

Orhan Rexhepi: Njëqind vjet të një pavarësie gjysmake dhe tri vjet të një pavarësie tjetër gjysmake, por gjithsesi vendimtare që sot ne të tjerët e kësaj kohe të finalizojmë amanetin e luftëtarëve të hershëm, amanetin e dëshmorëve të ri.

Nëse Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, do të dalin në Referendum dhe do të kenë dy opsione, ribashkim me Kosovën, apo bashkim me Iliridën, Maqedoninë e sotme. Cili do të ishte komenti juaj?

Orhan Rexhepi: Një Referendum të madhë e kemi bërë më 1 e 2 Mars 1992 për bashkim me Kosovën, një Referendum tjetër do ta bëjmë vetëm për bashkim me Shqipërinë së bashku me Iliridën e tj.

Në Preshevë çdo verë bëhen rreth 250 dasma dhe harxhohen rreth 3 milion Euro
Dasma për çdo vjetë në Preshevë, edhe ate nga 30 vetëm verës, me mijëra euro harxhohen. Jeni i mendimit se duhet menduar më ndryshe të gjithë?

Orhan Rexhepi: Në Preshevë çdo verë bëhen rreth 250 dasma dhe harxhohen rreth 3 milion Euro në vend se të bëhen 250 dasma me 250 000 Euro. E vetmja e mirë nga e gjithë kjo është se shtohet numri i Shqiptarëve.

Kur do ta kemi dasmën e madhe të çlirimit, por jo deri tek hekurudhat e Preshevës?

Orhan Rexhepi: Vitin 2013 e presim këtë Dasëm, Dasmën më të madhe të popullit Shqiptarë në tërë historinë tonë. Serbia nuk do ta kishte lëshuar kurrë as Kosovën por ia morëm, nuk do ta lëshojë as Luginën e Preshevës por do t’ia marrim sepse ajo ka qenë e jona e ata na kanë marrur derisa ne do të marrim diçka çka ka qenë e jona përgjithmonë, se atë na e ka falur vetë Zoti.

Ju falënderojmë për këtë bashkëbisedim të lirë dhe ju urojmë gjitha të mirat.

Orhan Rexhepi: Respekte edhe juve dhe përshëndetje të gjithë bashkatdhetarëve kudo që ndodhen.

Intervistoi: Dashnim HEBIBI

Fotografia: medvegja.net

Subscribe

Subscribe to our e-mail newsletter to receive updates.

No comments yet.

Leave a Reply