Nëpër rrugët e Preshevës, të premten mbrëma, janë vendosur posterë me fotografinë e ambasadorit të Republikës së Shqipërisë të akredituar në Beograd Shpëtim Çaushi, me shkrimin “Shpëtim – Mos ma prek Abetaren”.Këta posterë, nga persona të panjohur janë vendosur në dyert e shkollës fillore “Ibrahim Kelmendi” në Preshevë, si dhe në rrugën kryesore “15 Nëntori.
Posterë janë vendosur tri ditë pasi që ambasadori i Shqipërisë Shpëtim Çaushi ka dhënë pëlqimin që Abetarja për nxënësit e Luginës së Preshevës të reduktohet duke larguar simbolet nacionale dhe shtetërore.
Edhe disa subjekte politike të Luginës së Preshevës, duke reaguar lidhur me reduktimin e Abetares shqipe, janë shprehur se për shqiptarët e Luginës, është denigruese dhe e papranueshme ky libër dhuratë e shtetit amë, ndërsa Këshilli Kombëtar Shqiptar ka çmuar lartë angazhimin e institucioneve të Republikës së Shqipërisë dhe atyre të Republikës së Kosovës në avancimin e arsimit shqip në Luginë të Preshevës.
Në këtë drejtim KKSH-ja me theks të veçantë përshëndet edhe kontributin e ambasadorit të shtetit shqiptar në Beograd, Shpëtim Qaushi, rreth Abetares dhe teksteve tjera shkollore për nxënësit shqiptarë.
“Përkundër faktit se në opinion janë plasuar disa shkrime mbi gjoja reduktimet në këtë tekst të cilat i ka rekomanduar Qaushi, konsiderojmë se pohimet e tilla janë të pabaza dhe nuk mbështeten në kritikat profesionale të ekspertëve të literaturës shkollore”, thuhet në komunikatën e KKSH-së.
Ndërkaq, në një emision të Top Show është kërkuar dorëheqja e ambasadorit shqiptar, si pasojë e bastardimit të Abetares shqipe.
Prefekti i Preshevës, Ragmi Mustafa dhe deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu, në emisionin “Lugina e harruar” në Top Show kanë kërkuar nga kryeministri, Sali Berisha që të shqyrtojë vazhdimin e funksionit të ambasadorit shqiptar, në Beograd, Shpëtim Qaushi. Deputeti i VV-së, Liburn Aliu, ka shfletuar dokumentin ku ambasadori i Shqipërisë në Beograd, Shpëtim Qaushi, ka pranuar që të hiqen simbolet kombëtare nga Abetarja. Edhe prefekti i Preshevës, Ragmi Mustafa, njëherësh dhe lider i PDSH-së, ka kërkuar nga autorët e Abetares që të tërhiqen, për të mos lejuar bastardimin e librit, pasi që sipas tij edhe shqiptarët e Luginës janë si shqiptarët e Shqipërisë dhe nxënësit duhet të mësojnë me ato tekste që mësojnë bashkëmoshatarët e tyre.
Sipas Aliut, përderisa nxënësit e Luginës nuk guxojnë të mësojnë për historinë e tyre, në anën tjetër nxënësit serbë në Kosovë mësojnë për UÇK-në si organizatë terroriste dhe Adem Jasharin si terroristë.
Mustafa, gjithashtu pati reaguar edhe ndaj ministrit serb të arsimit, Zharko Obradoviq, për ndërhyrjen e tij joprofesionale në ndryshimin e Abetares Shqiptare, e cila sipas tij, për shqiptarët e Luginës, është denigruese dhe e papranueshme./koha/


1 Tetor 2011
-Lajmet-