Shqipëri ,7 mars 2011(medvegja.net)
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi uron të gjithë mësueset dhe mësuesit me rastin e Festës së tyre, 7 Marsit:
“Të dashura mësuese e mësues!
Kam kënaqësinë dhe privilegjin t’ju përshëndes të gjithëve në këtë ditë të shënuar të Festës së mësuesit, në përvjetorin e hapjes së shkollës së parë shqipe.
Të gjithë ne përulemi me respektin më të thellë për punën e vyer që mësuesit shqiptarë kanë realizuar ndër breza, për frytet e saj të paçmuara si dhe për sakrificat dhe përkushtimin që ju sot i dhuroni misionit tuaj sa fisnik dhe të vlefshëm.
Në këtë ditë të shënuar, gjej rast të rikonfirmoj mbështetjen dhe admirimin tim për veprën tuaj emancipuese, humaniste e europianiste, kur arsimimi dhe e ardhmja e fëmijëve tanë varen nga vlerat tona tradicionale të mëkuara me aq dashuri nga mësuesit në shkollë dhe nga prindërit në familje.
Roli juaj në shoqëri është thelbësor për edukatën qytetare, por edhe për përparimin e vendit e të kombit. Rilindasi ynë i madh, Sami Frashëri me formulën e tij e ka përcaktuar më së miri këtë rol: “Mendja e një kombi është arsimi, zemra e tij, morali i përgjithshëm i tij” dhe kjo thënie lapidare përcaktoi rrugën që duhej ndjekur nga arsimtarët si dhe trajektoren e historisë.
Ju keni një mision fisnik të jashtëzakonshëm, i cili merr një rëndësi edhe më të madhe në vendin tonë, i cili siç dihet, ka një popullsi me moshë mesatare të re. Ju edukoni rreth 1/4 e popullsisë që ulet çdo ditë në bangat e klasave tuaja, prej nga ku mëson dijet që do ta përgatisin për një të ardhme gjithnjë e më të mirë.
Sot kur Shqipëria më shumë se kurrë dëshiron të jetë pjesë e familjes europiane, me standartet e saj demokratike e pse jo, edhe pedagogjike, roli juaj bëhet më jetësor. Ju po përgatisni një brez, i cili, do të jetë tërësisht europian, me të drejtat dhe detyrimet qytetare të atij niveli ku aspirojmë të bëjmë pjesë me dinjitet. Ju, arsimtare e arsimtarë të nderuar, edhe në të ardhmen, duhet të ngulisni në ndërgjegjen e këtij brezi përkatësinë e tij europiane e njëkohësisht, krenarinë e të qenit shqiptar së bashku me vlerat tona karakterizuese!
Sigurisht që urimet e para dhe mirënjohja më e thellë do të ishin për mësuesit e vjetër, flokëbardhët, të cilët edhe në pension, do të gëzojnë respektin tonë më se të merituar. Një homazh të veçantë në këtë ditë do të dëshiroja të shprehja për ata mijëra mësues që nuk janë më sot midis nesh. Puna e tyre do të kujtohet ngaherë me respekt dhe admirim të përjetshëm. Ata dhe puna e tyre vetëmohuese janë “gurët e themelit” të Shqipërisë së re moderne e demokratike.
Sot, në këtë ditë të shënuar, do të dëshiroja t’u kushtojmë së bashku edhe mendim të veçantë një kategorie nxënësish, të cilët, të shtrënguar nga rrethana sociale të pafavorshme, janë të detyruar të braktisin shkollën. Është krejtësisht e papranueshme që për arsye ekonomike, për shkak të origjinës, ngujimit, etj., këta fëmijë të privohen nga e drejta universale njerëzore: nga e drejta për arsimim. U bëj thirrje institucioneve shtetërore që të marrin gjithë përgjegjësitë e duhura dhe të bëjnë të pamundurën për shkollimin e tyre! Jam i bindur se dhe ju mendoni në të njëjtën mënyrë dhe e ndani këtë shqetësim.
Kombet e qytetëruara bëjnë maksimumin për edukimin dhe përgatitjen e brezave të ardhshëm. Qeveritë e tyre e kanë përparësi këtë gjë. Investimet për arsimin janë investime shpesh afatgjata, por të sigurta, me efekt të padiskutueshëm në prosperitetin e këtyre vendeve.Ky është edhe horizonti ynë dhe synimi për brezat e ardhshëm që do të marrin në dorë fatet e vendit tonë.
Të dashur mësuese e mësues shqiptarë,
Edhe një herë, ju uroj nga zemra gëzuar Festën tuaj, festën e dijes dhe të përparimit!


7 Mars 2011
-Lajmet-