RSS

PREZENTOJMË TALENTËT E RINJ NGA MEDVEGJA QË JETOJNË NË DIASPORË

7 Dhjetor 2011

-Lajmet-

Avnia me çifteli i këndon historisë, si dikur Dervish Shaqa bashkimit kombëtarë

““Edhe pse jam lindur e rritur në Zvicër, unë e dua qiftelinë, e dua atdheun tim, e dua kulturën time,sepse është e lashtë dhe shumë e pasur““, thotë Avni Neziri

Zvicër,7 Dhjetor(medvegja.net)

E fillova këtë përshkrim të një talenti të rrallë dhe paksa të veçantë, me disa tipare të veçanta që i posedon dhe të cilat, dita ditës po i dëshmon para masës, se është i lindur për artin muzikorë. Se të rinjtë tanë në diasporë po kanë suksese në fusha të ndryshme të dijes, kjo po shihet dita ditës, por se të rinjtë tanë, po e ruajnë me nostalgji edhe këngën e bukur shqipe e traditën tonë kombëtare, kjo nuk do edhe koment. Për të argmentuar këtë, se e ruajnë dhe e kultivojnë kulturën kombëtare, mjafton të marrësh pjesë në një manifestim të bashkatdhetarëve tanë dhe do ta shohim, se thuajse në tërësi ate manifestim e mbajnë të rinjtë tanë, me këngë, valla dhe duke luajtur me instrumentet tona të traditës. Sa bukur i shkojnë veshjet kombëtare, plisi i bardhë, rrinë me një buzëqeshje të butë në skenë dhe rrjedhshëm i shqiptojnë fjalët nga këngët e recitimet.


Foto: Avni Neziri

Përmes pak fjalëve, dihet se është e pamundur të themi në tërësi suksesin që ka dhe që është i lidhur me atdheun, por këto fjalë që do ti shkruajmë, do godasin tek dhjetëshja e suksesit, që e ka protagonisti i këtij portreti Avni Neziri me prejardhje nga Medvegja e bukur, por i lindur në Martigny (VS) Zvicër më 10.07.1992, në këtë pjesë të këtij shteti mikë të kombit tonë, në këtë pjesë të Zvicrës mike, që thuajse për të gjithë bashkëkombasit tanë që jetojnë në Zvicër, cilësohet si atdheu i dytë, sepse Zvicra ka jo më pak se 250.000 shqiptarë nga të gjitha trevat shqiptare dhe është ky shtet që ka ndihmuar dhe po ndihmon Kosovën. Avniu, vjenë nga një familje veprimtarësh, të dhënë edhe në aspektin kombëtarë por edhe në ate humanitarë.

Prindërit dhe familja në tërësi e Avniut jetojnë në Zvicër, pra në rrethinë të Fully të Valisit, por me shpirt dhe zemër gjithnjë janë me Medvegjën e tyre, me ato bukuri natyrore që dinë ti fal vetëm perendia.
Në këtë pjesë të Zvicrës është duke vepruar siç dihet Shoqata Humanitare “Medvegja” e drejtuar nga veprimtari, e njëherit xhaxhai i Avniut, Zenel Neziri dhe kjo shoqatë humanitare, vetëm brenda një viti organizon jo më pak se katër programe artistike kulturore e humanitare, por edhe ate sportive, tashmë turnirin tradicional në futboll të vogël, e ku marrin pjesë mbi 30 ekipe dhe e nderojnë me pjesmarrje edhe veprimtarë të ndryshëm të atdheut tonë, por edhe personalitetet më të larta të jetës politike, arsimore, kulturore, e sportive zvicerane.

Në kuadër të kësaj shoqate humanitare, është duke vepruar edhe Shoqëria Kulturo Artistike “Medvegja”, e cila rreth vetes, ka disa të rinjë dhe të reja, të cilët, me veshje kombëtare, me daulle, e qifteli, prezentojnë traditën tonë edhe në aspektin kulturorë dhe këtë shoqëri e drejton babai i Avniut Musa Neziri, për të cilin kanë respekt çdo bashkëkombas i yni që e njeh, sepse ka përgatitur këtë shoqëri në mënyrë shembullore, të cilët organizojnë programe festive deri në dy orë, duke filluar prej grupit të vegjëlve e deri tek të rriturit. Në kuadër të kësaj shoqëri, është edhe grupi i burrave, që kanë instrumentist e këngëtarë të mirë.

Duke i shikuar dhe duke marrur pjesë në këto programe artistike që janë organizuar nga Shoqëria Kulturo Artistike “Medvegja”, Avniut iu ka dhënë mundësia, që të tregoj talentin e tij edhe në publikë dhe kjo është një fat i tij, i cili pritet shumë mirë nga të pranishmit. Avniu, jo vetëm që këndon, ai është mjeshtër i mirë i çiftelisë, daullës dhe valltarë i mrekullueshëm.

Instrumenti çiftelia është bërë magjike me lojën e saj, ku në orkestër veglat e muzikës popullore harmonizohen aq mirë saqë së bashku prodhojnë “simfoni” në realitetin e kohës, e këtë me mjeshtri e bënë Avniu, i cili përpos qiftelisë, luan edhe me sharki.
Telat e qiftelisë dhe të sharkisë, i bënë që të gumëzhojnë ëmbëlsisht tek publiku, i thotë atyre me gjuhën e artit: “Edhe pse jam lindur e rritur në Zvicër, unë e dua qiftelinë, e dua atdheun tim, e dua kulturën time, sepse është e lashtë dhe shumë e pasur, prandaj, me nostalgji do të luaj me ty oj çifteli, e me ty ka kënduar Dervisha Shaqa i madh, e shumë e shumë këngëtarë të foklorit, por edhe sot, këndojnë dhe zëri që lëshon qiftelia është shërues për shpirtin e zemrën”: Shtysën për t’i rënë çiftelisë ai e mori nga familja e tij, sepse, flamuri ynë kombëtarë kuq e zi, plisi i bardhë e çiftelia, gjithmonë janë të pranishëm në familjet e tyre dhe kjo kujton motivin e moçëm “bashkë me njeriun – kënga e vallja dhe melodia e gurës popullore”. Çiftelinë e mësoi duke imituar fillimisht instrumentistët më të dalluar si Dervisha Shaqa etj. Kjo ishte “shkolla e parë e muzikës”.

Duke kaluar ditët dhe muajt, duart ju stërvitën, ato binin lirshëm, jepnin tinguj e melodi me diçka të veçantë nga vetja. Talenti, pasioni, vullneti që i kishte me bollëk, ai filloi të luajë edhe me piano, që thujse të gjitha këngët popullore i dinë dhe tash, por përcjell edhe këngëtarë të njohur të estradës sonë që vijnë herë pas here në Zvicër, e konkretisht në pjesë franceze të Zvicrës. Novacioni qëndron në përkryerjen e mjeshtrisë në çifteli e shumë vegla të tjera, duke u akorduar me instrumente të tjera jashtë traditës e duke arritur në “simfoni” me orkestracionin e kompletuar. Avniu disa herë që e kemi parë na patë thënë: “Unë kur jam në skenë kënaqem, ndjehem shumë mirë, e dua muzikën dhe jetoj me muzikë, e sidomos ne shqiptarët vërtetë kemi kulturë të pasur dhe do të mundohem që edhe në të ardhmen ta ruaj me zemër, sepse vërtetë qiftelia, sharkia e daullja janë instrumente të mrekullueshme.

Falënderoj edhe prindërit e mijë, familjen në përgjithësi dhe bashkëmoshatarët e mijë që po më përkrahin, por më japin elan, që të vazhdojë tutje”. Avniu, edhe pse i ngarkuar me shkollë e me punë në përditshmërin e zvicrës, ai mezi pret që të afrohen festat e ndryshme të atdheut tonë dhe të prezentojë me valle e duke luajtur me instrumente. Ai ka marrur pjesë edhe nëpër manifestime të zviceranëve, ku vetë zviceranët i kanë dhënë fjalë të mira duke e respektuar dhe duke e dashur muzikën shqipe. Avniu ka ndërmend, që të vazhdoj edhe më tutje të merrej me mjeshtrinë e instrumenteve, duke mos harruar kulturën tonë kombëtare dhe pret që një ditë, të komponoj edhe vetë e të bëjë një album instrumental e që beson shumë, se do të mirëpritet mirë. Shpresojmë, se herave tjera, do të takohemi përsëri me Avniun dhe atëherë ta ketë albumin dhe pse jo ndonjë videoklip.

Dëshira e madhe e Avniut është që dasmat e medvegjasëve të bëhen në Medvegjë dhe me shumë vullnet një ditë, kur ta gjeje të dashurën e tij, dëshiron ta bëjë dasmën në Medvegjën kreshnike, atje ku i ka të parët e tij dhe ndër të tjera na tha: “Kurrën e kurrës nuk do ta harrojmë Medvegjën, gabojnë nëse mendojnë të tjerët, se Medvegja do të harrohet nga brezi i ri, ne jemi shumë të lidhur me atdheun e të parëve tanë, për çdo verë shkojmë atje, kënaqemi, ndjehemi më të mirë dhe gjithçka ka shije të mirë, si natyra, e ushqimi”./BESNIK HEBIBI-medvegja.net/

Subscribe

Subscribe to our e-mail newsletter to receive updates.

One Response to “PREZENTOJMË TALENTËT E RINJ NGA MEDVEGJA QË JETOJNË NË DIASPORË”

  1. Gurbetqari Says:

    Kenga dhe muzika e bukur Shqipe kane merita te medha qe Shqiptaret kurre nuk u gjunjezuan,por, qendruan kokelarte e me dinjitet. Muzika eshte nje dhurate dhe ajo eshte pjesa me kreative e jetes. Ajo,me fuqine e magjine e saj, gjithenje krijon dic te re e te bukur ne shpirtin e njerezve, sheron e lehteson dhembjet, zmadhon dashurine, trimerine e fisnikrine, festat e gezimet. Muzika qeteson e ngushllone. Muzika eshte pjese e pandashme e njeriut.

    Zeri i kengetarve, i ciftelise dhe i instrumenteve tjere, eshte misherua ne jeten e shume prej nesh dhe, ne fakt, eshte zeri i jetes, i gezimit e pikellimit, i vuajtjeve dhe shpresave tona.

    Medvegja ka shume emra te mdhej te kenges dhe mjeshter te mire te instrumenteve muzikore. I Madhi- Qamili i Vogel, prejardhjen e ka prej Medvegjes- fshatit Maqedonc (Lexo: Biografine, autor- Demir Krasniqi). Por, te mdhenje jane edhe:Qazim Beha, Remzi Jakupi-Remi, Abaz Aliu,Hatem Hajrullahu, Imer Emini, Ismail Jakupi- Mala, H. Bajrami, F. Osmani, B.Kurti e te tjere.Dikur Programi i Radio Prishtines u hapte dhe mbyllte me egzekutimet me qifteli te mjeshtrit te madhe- Zog Aliut. Kurse, le te me thote dikush se kush mund te jete me i mire ne klarinet se Ismajl Jakupi- Mala?

    Sot, eshte kenaqesi te lexosh ne faqen e mediumit tone shume te dashur- “Medvegja.Net” per edhe nje talent te ri- Avni Nezirin. Artistit te ri- Avniut i deshiroj sukses dhe qe t’a arrij famen e te Madhit- Dervish Shaqes dhe qe me mjeshtrine e tij te argetoi Shqiptaret kudo qe jane-por edhe ne Medvegjen e dashur.

Leave a Reply