RSS

Prishtina nuk e do Preshevën në bisedime

22 Shkurt 2011

-Lajmet-

Prishtina nuk e do Luginën në bisedime

Prishtinë,22 shkurt 2011(medvegja.net)


Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës kërkojnë që në bisedimet e ardhshme Prishtinë-Beograd të diskutohet edhe çështja e shqiptarëve të këtij regjioni, derisa lidershipi në Kosovë nuk ka ndryshuar diskursin politik se me palën serbe do të dialogojnë vetëm temat e karakterit teknik, duke përjashtuar mundësinë e bisedimeve politike.

Megjithatë, autoritetet në Prishtinë konsiderojnë se nëse në tavolinën e bisedimeve imponohet debati për veriun e vendit, atëherë me këtë veprim do të mundësohet që të hapet “Kutia e Pandorës” për problemet e shqiptarëve kudo që jetojnë ata.

Së fundi kanë ardhur sinjale nga bashkësia ndërkombëtare se veriu i Kosovës do të jetë pjesë e bisedimeve në mes Prishtinës e Beogradit, që pritet të fillojë menjëherë pas konsolidimit të institucioneve të reja shtetërore të Kosovës, edhe pse hedhet poshtë mundësia e përfshirjes së çështjes së statusit dhe tërësisë territoriale në këto bisedime.

Megjithatë, udhëheqës nga Lugina e Preshevës, e cila pjesë është e banuar me shumicë shqiptare, konsiderojnë se çështja e Kosovës Lindore duhet të vihet në tavolinën e bisedimeve të ardhshme Prishtinë-Beograd.

Riza Halimi, kryetar i Partisë për Veprim Demokratik (PVD) dhe njëherësh i vetmi shqiptar deputet në Kuvendin e Serbisë, i ka deklaruar gazetës “Zëri” se në bisedimet që pritet të ndodhin duhet të zgjidhet edhe problemi i shqiptarëve të Luginës së Preshevës. “Është e pashmangshme dhe e palogjikshme që të fillojnë negociatat për çështjen e veriut dhe mos të hapet problemi i shqiptarëve të pjesës së Kosovës Lindore”, konsideron Halimi.

Madje, sipas tij, nëse do të hapet çështja e ndonjë statusi special për veriun e Kosovës, atëherë kërkesa të ngjashme do të shtroheshin edhe për Luginën e Preshevës.

Deputeti i vetëm shqiptar në parlamentin serb konsideron se problemi i shqiptarëve të Kosovës Lindore ka mbetur pengë i raporteve të ngrira apo të tensionuar që ekzistojnë në mes Prishtinës dhe Beogradit.

Megjithatë, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës vazhdojnë të këmbëngulin se çështja e veriut nuk do të jetë temë e bisedimeve, edhe përkundër paralajmërimeve të qarqeve ndërkombëtare se kjo çështje është e pashmangshme.

Memli Krasniqi, zëdhënës i ekzekutivit në shkuarje, ka thënë shkurt se “çështja e veriut është çështje e brendshme e Kosovës dhe nuk mund të jetë pjesë e bisedimeve të ardhshme teknike me palën serbe”.

Mirëpo Ismet Beqiri i LDK-së konsideron se në asnjë variant faktori ndërkombëtar nuk duhet të imponojë që me Beogradin të diskutohet çështja e veriut, sepse në këtë formë hapen probleme të reja. “Bisedimet për veriun në një formë hapin “Kutinë e Pandorës” për problemet e shqiptarëve kudo që jetojnë ata, sikurse atyre të Luginës së Preshevës, Maqedonisë etj”, ka thënë Beqiri.

Nga ana e tij, analisti Avni Zogiani ka kritikuar lidershipin kosovar, duke thënë se bisedimet për veriun e Mitrovicës do të jenë të pashmangshme dhe se institucionet shtetërore do të lëshohen edhe në pazare të tilla. Megjithatë, ai ka shfaqur mendimin se sa i përket dialogimit të çështjes së veriut dhe problemit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës me Beogradin zyrtar nuk duhet vënë paralelizma të tilla.

“Vënia e një paralelizmi të tillë është një trikë që ka për qëllim kapërdimin e negociatave për veriun, për të mos marrë goditje nga opinioni kosovar, ngase nuk mund të flitet për shkëmbin territoresh”, konsideron Zogiani.

Ideja e shkëmbimit të territoreve është ngritur disa herë nga qarqet e ndryshme, derisa udhëheqësit e institucioneve të Kosovës vazhdimisht kanë këmbëngulur se në asnjë rast nuk do të hapet çështja e statusit, ndarja e Kosovës apo shkëmbimi i territoreve./Zëri/

Subscribe

Subscribe to our e-mail newsletter to receive updates.

No comments yet.

Leave a Reply