RSS

Ramadan Nazifi: ” Maksimalisht, pa e kursyer kohën dhe mundin, jam afër njerëzve tanë”

21 Prill 2011

-Lajmet-

Intervistë ekskluzive me ambasadorin e Maqedonisë në Bern të Zvicrës, z.Ramadan Nazifi

Ramadan Nazifi: ” Maksimalisht, pa e kursyer kohën dhe mundin, jam afër njerëzve tanë”


Ramadan Nazifi,Ambasador i Republikës së Maqedonisë në Zvicër

Zvicër 21 prill 2011(medvegja.net)

“Janë spekulime thashethemet për gjoja rritjen e madhe të azilkërkuesve shqiptarë nga Maqedonia. Pas liberalizimit të regjimit të vizave, ka një rritje të udhëtimeve jashtë vendit dhe kërkesa për azil nga qytetarë të Maqedonisë në Zvicër, por asesi nuk bëhet fjalë për shifra alarmante, siç pretendohet nga disa qarqe mediatike. Institucionet kompetente të shtetit kanë ndërmarrë një sërë masash në drejtim të informimit të drejtë të qytetarëve dhe në funksion të prevencionit të keqpërdorimeve eventuale të lirisë së levizjes nga ana e shtetasve tanë”-na tha ndër të tjera ambasadori Nazifi.

Z. Ambasador Nazifi, Fillimisht Ju falënderojmë shumë që ndatë kohë për të bashkëbiseduar.

Ju lutem. Me kënaqësi e pranova bisedën.

Me të marrur detyrën tuaj ambasador i Maqedonisë në Zvicër, na thoni, se si e gjetët diasporën shqiptare, e konkretisht atë nga Maqedonia, kur dihet se është një numër shumë i madh që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër ?

Krahasuar me vitet e mëparshme, sot konstatohet një përparim i dukshëm në pikpamjen e organizimit të diasporës shqiptare në Zvicër, përfshirë këtu edhe atë nga Maqedonia. Fillimisht, në vitet e gajshtëdhjeta dhe shtatëdhjeta, njerëzit tanë ia mësyenin rrugës së kurbetit për të siguruar kafshatën e gojës dhe as që paramendonin se shumica prej tyre do të mbeten tërë jetën në mërgim. Mirëpo, më vonë, me ndryshimin e rrethanave socio-politike dhe ekonomike në rajonet tona, qytetarët tanë vazhduan qëndrimin dhe punën në Zvicër dhe gjetiu, duke i sjellur edhe familjet e tyre. Kështu u imponua nevoja për organizim më të mirëfilltë dhe sot kemi një mërgatë kolektivisht më të konsoliduar dhe relativisht të integruar, për të cilën dëshmojnë edhe aktivitetet e bujshme kulturore, arsimore dhe shkencore të shoqatave tona në Zvicër. Për këto të fundit, meritë të pakontestueshme kanë të gjithë bashkatdhetarët tanë, qofshin punëtorë, intelektualë, gazetarë e studentë, të cilët pandërprerë japin kontributin e tyre në promovimin e vlerave kombëtare.

Jeni ambasador shumë i dashur, me fjalë të tjera, jeni shumë modest dhe keni shumë mendime të mira nga mërgimtarët tanë, sepse jeni i afërt me hallet e mërgimtarëve dhe mundoheni t’i ndihmoni me ato mundësi që keni. Na thoni, se për cka ka nevojë më shumë diaspora jonë, pra ajo e Maqedonisë nga Ambasada që e drejtoni Ju ?

Ju falemnderit për fjalët e mira. Madhështia e njeriut qëndron te modestia. Meqenëse edhe unë jam rritur si fëmijë mërgimtari, shpirtërisht ndjej nevojë për identifikim dhe solidarizim me bashkatdhetarët jashtë vendit. Duke pasur parasysh faktin, që në bazë të të dhënave oficiale statistikore të Entit Federal për Migracion, në Zvicër jetojnë mbi 60 mijë shtetas të Maqedonisë, pjesa dërmuese e të cilëve janë shqiptarë, një nga detyrat primare në punën time është bashkëpunimi me diasporën. Në suazat e mundësive dhe kompetencave, përpiqem maksimalisht, pa e kursyer kohën dhe mundin, të jem në shërbim të funksionit tim dhe sa më afër njerëzve tanë. Dëshiroj t’i dëgjoj hallet dhe nevojat e tyre, t’i informoj qytetarët për të drejtat dhe obligimet e tyre, si dhe t’i përcjell kërkesat e tyre deri te institucionet kompetente të Republikës së Maqedonisë, natyrisht duke ju dhënë edhe përkrahjen time. Mërgata jonë më shumë ka nevojë për kujdes, sepse ne si diplomatë, përfaqësues të shetit dhe të popullit, jemi këtu për qytetarët tanë, e jo ata për ne. Në kontekst të shërbimeve konsulore, diaspora jonë nga Maqedonia ka nevoja të natyrave të ndryshme sic janë: procedurat administrativo-juridike, pajisja me dokumentacione udhëtimi, legalizime të autorizimeve dhe deklaratave, paraqitje në librat e amzës, mbrojtje të interesave të tyre para organeve zvicerane etj. Këtu duhet përmendur edhe dimesionin bilateral, ekonomik, kulturor, arsimor dhe shkencor, e veçanërisht, domosdoshmerinë e informimit mbi rrethanat aktuale në vend, si dhe motivimin e bashkatdhetarëve për investimin e kapitalit të tyre në atdhe, pasiqë një qasje e tillë do të mundësonte përshpejtimin e kthimit në vendlindje.

Keni marrur pjesë në shumë manifestime të diasporës sonë, cilat ju kanë lënë më shumë përshtypje ?

- Po, është e vërtetë se gjatë eksperiencës sime profesionale shumëvjeçare si diplomat në Gjermani dhe Zvicër, kam marrë pjesë në qindra manifestime të diasporës sonë. Duke pasur parasysh organizimin, qëllimin dhe rëndësinë e tyre, nuk ështe lehtë të bëhet ndonjë seleksionim, por sidoqoftë, do t’i veçoja: inaugurimin e Institutit Zviceran për Studime Shqiptare (Institut Suisse des Etudes Albanaises – ISEAL) në Lausanne, manifestimin e shoqatës “Ladorishti” në Winthertur, manifestimin përkujtimor në afërsi të Bernës me rastin e 30-vjetorit të rrënies së dëshmorëve të kombit – vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka, si dhe manifestimet e shumta të LAPSH-it. Duhet përmendur edhe shumë evenimente tjera kulturore të asociacioneve të mërgatës sonë nga Maqedonia, të cilat japin një kontribut të çmueshëm në arritjen e tolerancës ndëretnike dhe fetare në Zvicër, si dhe në integrimin e qytetarëve tanë në këtë vend.

Diaspora shqiptare e Maqedonisë, sa është e organizuar në lidhje me shkollën plotesuese shqipe, që po vepron në Zvicër ?

- Pas sondimit të gjendjes në terren, kam konstatuar që ka hapsirë për organizim më kualitativ të diasporës shqiptare nga Maqedonia, në drejtim të përfshirjes më të madhe të nxënësve në shkollën plotësuese shqipe në Zvicër. Gjatë takimeve me bashkatdhetarët, vazhdimisht e theksoj nevojën për një organizim më aktiv. Me këtë rast, dëshiroj ta falënderoj LAPSH-in i cili jep kontribut të konsiderueshëm në arsimimin dhe ruajtjen e vlerave tradicionale të fëmijëve tanë.

Do të duhej që dhe qeveria e Maqedonisë, të ndihmojë në këtë drejtim me mjete ata mësues, që po punojnë për fëmijët mërgimtarë ?

- Nuk ka dyshim. Në të gjitha takimet me mërgimtarët tanë nga Maqedonia, në pyetjet e parashtruara në këtë drejtim, bashkatdhetarët vazhdimisht i kam infomuar për nevojën e paraqitjes së kërkesave për arsimtarë shqiptarë dhe procedurat e nevojshme.

Keni raporte të mira me ambasadorin e Shqipërisë dhe atë të Kosovës në Bernë të Zvicrës ?

- Me kolegët e mi të respektuar, ambasadorët Elezi dhe Malaj, kemi raporte të shkëlqyeshme profesionale dhe miqësore.

Takoheni shpesh ?

- Takohemi pothuajse çdo javë në raste të ndryshme, në pritjet e organizuara nga korri diplomatik dhe në evenimente ekonomike, kulturore dhe shkencore. Shpeshherë marrim pjesë bashkërisht në ngjarje kulturore dhe letrare me karakter kombëtar.

Po përflitet për zgjedhje të parakohshme në Maqedoni, a do të duhej, që edhe mërgimtarët tanë nga Maqedonia, të japin votën e tyre të lirë nga Zvicra dhe si do të ishte më lehtë, që kjo votë të shkojë sigurt ?

- Zgjedhjet e parakohshme tanimë janë përcaktuar dhe do të mbahen me 5 qershor të këtij viti. Pas ndryshimeve dhe plotësimeve në Kodin zgjedhor, nënshtetasve tanë jashtë atdheut, do tju mundësohet të votojnë në vendet ku jetojnë. Institucionet shtetërore, përfshirë këtu edhe përfaqesitë diplomatiko-konsulore, në suazat e kompetencave të tyre, do ta japin kontributin maksimal për respektimin e procedurave ligjore dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

Ka studentë të mërgatës sonë që po shkollohen në Universitetin Shteterorë të Maqedonisë dhe atë të UEJL-së nga Zvicra ?

- Sigurisht që ka. Nuk disponojmë me të dhëna të sakta për numrin e studentëve nga mërgata, por në bazë të informacioneve tona, një numër jo i vogel i tyre studijojnë me korrespondencë.

Eshtë folur se është rritur numri i azilkërkuesve shqiptarë nga Maqedonia në Zvicër, me që u liberalizuan vizat. Çka ka të vërtetë në këtë drejtim ?

- Janë spekulime thashethemet për gjoja rritjen e madhe të azilkërkuesve shqiptarë nga Maqedonia. Pas liberalizimit të regjimit të vizave, ka një rritje të udhëtimeve jashtë vendit dhe kërkesa për azil nga qytetarë të Maqedonisë në Zvicër, por asesi nuk bëhet fjalë për shifra alarmante, siç pretendohet nga disa qarqe mediatike. Institucionet kompetente të shtetit kanë ndërmarrë një sërë masash në drejtim të informimit të drejtë të qytetarëve dhe në funksion të prevencionit të keqpërdorimeve eventuale të lirisë së levizjes nga ana e shtetasve tanë. Në këtë kontekst, egziston një bashkëpunim konstruktiv nëmes Ambasadës dhe organeve kompetente të Zvicrës, për mënjanimin e keqpërdorimeve, në pajtueshmëri me marrëveshjet bilaterale që e rregullojnë këtë çështje.

Në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Maqedonisë, sa prej tyre janë shqiptarë ?

- Numri i të punësuarve shqiptarë në Ministrinë e punëve të jashtme të Republikës së Maqedonisë, ka arritur mbi njëqind, ose afër 25% dhe së shpejti pritet që procesi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në këtë dikaster të rrumbullaksohet. Gjithashtu, edhe nëpër përfaqësitë diplomatiko-konsulore numri i shqiptarëve është në rritje dhe së shpejti do ta arrijë kuotën e nevojshme. Pothuajse në të gjitha përfaqësitë diplomatiko-konsulore kemi të punësuar diplomatë, referentë administrativo-kosulorë dhe personel lokal shqiptarë.

Si është bashkëpunimi i juaj me qeverinë zvicerane ?

- Zvicra është vend mik i shtetit tonë dhe normalisht që edhe raportet e mija dhe bashkëpunimi me qeverinë zvicerane janë në nivel të kënaqshëm. Për këtë flasin edhe rezultatet e arritura gjatë viteve të kaluara, si në aspektin bilateral politik, ashtu edhe në drejtim të bashkëpunimit ekonomik dhe zhvillimor. Zvicra ka kontribuar në shumë projekte për ndërtimin dhe përforcimin e institucioneve demokratike në Maqedoni, si dhe realizimin e projekteve infrastrukturore dhe ekologjike. Kemi kontakte të rregullta me institucionet e Zvicrës dhe planifikojmë që marrëdhëniet bilaterale të vazhdojnë me dinamikë edhe më të intensifikuar.

Për në fund z.Ambasador, cili do të ishte mesazhi juaj për bashkatdhetarët e Maqedonisë që jetojnë në Zvicër ?

- Të vazhdojnë të jenë punëtorë, intelektualë, studentë dhe sportistë të zellshëm. T’i respektojnë normat dhe dispozitat ligjore të Zvicrës, por duke mos i shkëputur lidhjet me atdheun e tyre. Ta ruajnë identitetin, gjuhën dhe kulturën e origjinës. Veçanërisht, do të apeloja që njohuritë, shprehitë dhe përvojat e arritura në Zvicër, siç janë: përgjegjësia, preciziteti, respektimi i ligjit dhe të gjitha vlerat tjera pozitive, t’i percjellin dhe implementojnë në vendin tonë.
Në këtë kontekst, vlen të potencohet edhe roli sinjifikant i gjithë bashkatdhetarëve në funksion të sensibilizimit, jo vetem të opinionit zviceran por edhe atij të shteteve të Unionit Europian, që proceset e filluara euro-integruese të Republikës së Maqedonisë dhe vendeve tjera të rajonit të absolvohen sa më shpejtë.

Ju falënderojmë edhe njëherë z.ambasador për kohën që ndatë për ne.

Ishte kënaqësi dhe i përshëndes të gjithë lexuesit tuaj dhe gjithë shqiptarët kudo që janë.

Intervistoi: Dashnim HEBIBI (Editor i Albania Media Center për evropë)

Subscribe

Subscribe to our e-mail newsletter to receive updates.

One Response to “Ramadan Nazifi: ” Maksimalisht, pa e kursyer kohën dhe mundin, jam afër njerëzve tanë””

  1. Gurbetqari Says:

    Eshte kenaqesi te lexohet nje interviste e merekullueshme e gazetarit dhe publicistit te mirenjohur- Z-it Hebibi. Pikrisht ashtu sic eshte kenaqesi te lexohen pergjigjet e nje diplomati te spikatur dhe Shqiptari shume te dashur- Ambasadorit te Maqedonise, Z-it Ramadan Nazifit.

    Ashti si edhe Toka Nene, Kosova, Lugina dhe Trojet tjera Shqiptare, edhe Shqiptaret e Maqedonise, kane Diaspore te organizuar dhe te mire. Edhe Shqiptaret e Maqedonise, gjumin e bejne ne Zvicer dhe gjetiu ne Perendim, por, endrra eshte ne Tetove e Komanove, Gostiovar e Prespe, ne Shkup e Haraqine, Zheline e Hasan Beg, Qojli e Konjare…

    Dashnim Hebibit (dhe gazetyareve tjere) si dhe “Medvegja.Net”-it edhe nje falenmderim i madh qe, me shkrimet, po thuaj te perditeshme, na mbajne kaq afer me Vendet dhe Trojet Shqiptare.

Leave a Reply