RSS

Reagon VETËVENDOSJA për dhunën në Medvegjë

24 Nëntor 2011

-Lajmet-



VETËVENDOSJA: Serbia po na i kthen negociatat me dhunë

Prishtinë,23 nëntor (medvegja.net)

Para dy ditësh Sokol Ismajli nga fshati Gërbac i Medvegjës u rrah brutalisht bashkë me anëtarët tjerë të familjes – fëmijët dhe gruan – nga pjesëtarët e policisë së Serbisë. Sokoli mori lëndime edhe në kokë. Ata pësuan nga dhuna e forcave policore pa kurrfarë arsye duke u rrahur në shtëpinë e tyre. Kjo ngjarje nuk është aspak e jashtëzakonshme për shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit. Shqiptarët e këtyre trevave po jetojnë tash e sa dekada nën terrorin e vazhdueshëm të strukturave represive shtetërore serbe.

Për të qenë objekt i këtyre shkeljeve nuk ka pse të kesh bërë diçka kundër Serbisë: mjafton të jesh shqiptar. Ky është “mëkati” i vetëm. Kjo e shpërfaq qëllimin e vërtetë të politikës antishqiptare të Serbisë: përmes aplikimit të shtypjes konstante, dhunës fizike, shkeljes së të drejtave si dhe diksriminimit politik institucional, social, ekonomik e kulturor, ajo synon spastrimin e këtyre territoreve nga shqiptarët. Ashtu siç ka bërë Serbia me territoret shqiptare prej kur ka ekzistuar si Pashallëk i Beogradit.

Kjo dhunë e Serbisë ndodhi pikërisht kur përfaqësuesja e Qeverisë në negociata me Serbinë u nis për një tjetër raund të negociatave në Bruksel. Përderisa Qeveria e Kosovës me një gatishmëri obsesive po i përgjigjet kërkesave të Serbisë për bisedime sa herë që asaj po i duhen, policia e Serbisë në anën tjetër po rrah shqiptarë. Serbia po na i kthen negociatat me dhunë. Serbia nuk po na njeh, Qeveria jonë po e njeh atë. Serbia nuk po na i pranon mallrat, targat, dokumentet e udhëtimit etj., kurse Qeveria jonë po ia hap kufijtë Serbisë për gjithçka. Serbia ka kaluar shumë stacione drejt integrimit në BE falë Qeverisë së Kosovës, pa e shpërbërë, si kundërpeshë, as një nga strukturat e veta kriminale në Kosovë. Kjo Qeveri e Kosovës me politikën e saj po ia mundëson Serbisë edhe BE-në edhe strukturat kriminale.

Ajo çka ra në sy edhe kësaj radhe sa herë ndaj shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit ushtrohet dhunë, ishte heshtja e Prishtinës dhe Tiranës. Ndërkohë që Qeveria jonë është shumë e zellshme për të reaguar vetëm atëherë kur lëndohet ndonjë serb. Këto janë standarde të dyfishta. Kjo është e padrejtë. Kështu nuk mbrohen shqiptarët.

Lëvizja VETËVENDOSJE! e dënon fuqishëm aktin e papranueshëm të dhunës së policisë serbe mbi shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës dhe kërkon nga Qeveria që t’i ndërprejë negociatat me Serbinë antishqiptare, antidemokratike dhe antievropiane. Boll më me këtë politikë qyqare,thuhet në reagimin e lëshuar nga Lëvizja Vetëvendosje!

Subscribe

Subscribe to our e-mail newsletter to receive updates.

One Response to “Reagon VETËVENDOSJA për dhunën në Medvegjë”

  1. prof.Rexhep Abazi, Medvegje Says:

    Falenderojme Levizjen Vetvendosje ne kete reagim adekuat konform asaj qe po ndodhe ne tri komunat shqiptare te Kosoves Lindore, konkretisht ne Medvegje. Na mbane shpresa se edhe qeverite dhe institucionet e dy shteteve shqiptare do te kene konsiderate per poziten me se te rende te ketyre trojeve shqiptare.
    prof. Rexhep Abazi,Medvegje

Leave a Reply