Intervistë ekskluzive me këngëtarin e mirënjohur medvegjas, Qazim Beha
RIKTHEHET NË SKENË NJË ZË I ËMBËL
Prishtinë më 20 shkurt(medvegja.net)
“Ishte viti 1974, si maturant i shkollës së mesme e pata krijuar dhe incizuar në Radio Prishtinë këngën e Zenel Hajdinit, “N’Jabllanicë, n’fshatin Tupallë, lindi nji yll, lindi nji djalë…”, e kështu me radhë dhe pikërisht kjo këngë më pati bërë shumë të famshëm në at kohë, ngase kishte shumë kërkesa muzikore për të, pastaj vijnë këngët “Qysh na dul ky bedat”, “Dola n`bahçe me xhezdis”, “Hajde dalim moj malësore”, “Shkon e vjen kah dera ime”, e të tjera, që në atë kohë ishin secila hit në vete…”, thotë ndër të tjera këngëtari Qazim Beha
Me qëllim që ta pasqyrojmë sadopak gjendjen e këngës popullore dhe të asaj folklorike në komunën e Medvegjës, bashkëbiseduam me njërin nga protagonistët e kësaj fushe, këngëtarin e mirënjohur të kësaj ane, zotëri Qazim Beha. Për lexuesit tanë, do të përpiqemi të njihemi me personalitetin e këngëtarit në fjalë, si dhe me këngën burimore në trevën e Jabllanicës. Pas një pauze disavjeçare, z. Beha i rikthehet fuqishëm profesionit të tij, të cilin e zotëron mjaft mirë.
medvegja.net: Zotëri Beha, për ne është kënaqësi që na u dha rasti ta zhvillojmë këtë bashkëbisedim me ju. Fillimisht ju falënderojmë që gjetët kohë që të shpalosim diçka nga e kaluara juaj, të cilën ia kushtuat këngës popullore dhe folklorike shqiptare. Pra, faleminderit që e ndatë kohën për lexuesit e portalit të parë informativ në gjuhën shqipe në rajonin e Jabllanicës së Epërme të Medvegjës, medvegja.net.
Qazim Beha: Edhe unë ndiej kënaqësi që të jem njëri ndër të intervistuarit tuaj për portalin informativ të Medvegjës, medvegja.net.
medvegja.net: Na tregoni diçka për fëmijërinë tuaj?
Qazim Beha: Kam lindur në fshatin Svircë të Medvegjës. Shkollën fillore 4-klasëshe e kam mbaruar po në Svircë, ndërkaq tetëvjeçaren në Banjë të Siarinës, gjenerata e parë në gjuhën shqipe, në vitin shkollor 1968-1969.
medvegja.net: Këngën e keni trashëgimi nga ndonjë i afërm juaj, apo…?
Qazim Beha: Po, këngën e kam trashëguar nga babai im Zaim Beha, i cili ishte një ndër rapsodët më të njohur të trevës së Jabllanicës, gjeneratat më të vjetra sigurisht që e kujtojnë.
medvegja.net: Gjeneratat e vjetra, nëse ashtu guxojmë t’i quajmë, ju njohin edhe ju shumë mirë. Por, këto të rejat ndoshta më pak. Na tregoni kur keni filluar të merreni me këngën?
Qazim Beha: Këngën e kam filluar qysh në fëmijërinë e hershme në klasën V apo VI të shkollës fillore. Nuk e kisha të vështirë, ngase babai gjithnjë më merrte nëpër oda dhe unë në atë moshë të re fillova të mishërohem me këngën dhe tingujt e çiftelisë, fillova të paraqitem para publikut në programet muzikore të shkollës, pastaj fillojnë edhe dasmat e festivalet e ndryshme etj.
medvegja.net: Nëse vështrojmë në repertorin tuaj muzikor, hasim në dy zhanre që ndoshta kanë lidhshmëri të madhe, pra muzikë popullore dhe folklorike. Ku e gjeni veten më mirë, në cilin zhanër?
Qazim Beha: Është e vërtetë se unë merrem me të dyja zhanret që ju i cekët, por kënga folklorike me fle më tepër në shpirt, kështu që 80% e veprimtarisë i kushtohet këngës burimore.
medvegja.net: Keni realizuar edhe albume, po flasim për një periudhë para luftës, keni bërë xhirime të ndryshme e tjerë. Me kë keni bashkëpunuar më së shumti?
Qazim Beha: Në fillim të karrierës sime kam kënduar së bashku me kushëririn tim Hetem Hajrullahu nëpër dasma në të gjitha fshatrat e Jabllanicës, e ndoshta edhe në çdo lagje, kurse më vonë, gjatë shkollimit tim në Gjilan, kam kënduar me bashkëvendësin tim Imer Eminin nga Tupalla, me të cilin ishim një duet shumë i pëlqyer në atë kohë (së paku kështu na thoshin të tjerët), pastaj kam kënduar dhe bashkëpunuar me shumë rapsodë të tjerë kosovarë, si me Demir Kraniqin, Zejnullah Bajramin, Shaban Baksin, Jakup Krasniqin, Shaip Berishën, Xhemajl Matoshin, Qazim Shabanin e shumë të tjerë.
medvegja.net: Kur kemi parasysh se muzikës popullore dhe folklorike i jepet shumë pak hapësirë nga televizionet, ku është folklori ynë sot, në çfarë gjendje?
Qazim Beha: Jo, nuk do të kisha thënë se i jepet pak hapësirë, por më tepër do të kisha thënë se emitohen disa këngë nëpër shumë kanale televizive ndoshta pa kurrfarë vlerash artistike, e kjo është shumë brengosëse, sepse kështu humb ajo që është me peshë, e ia zë vendin shundi e kiçi. Do të ishte mirë që në çdo qendër televizive të vihen kritere të duhura për atë së çfarë do të duhej të emitonin, sepse fundja edhe e kanë obligim ndaj këngës së mirëfilltë shqipe. Një shembull pozitiv kisha për ta cekur se sa mirë punohet kur punojnë njerëzit kompetent në RTK, si në emisionin “Rrënjët tona”, kështu do të duhej të ishte edhe nëpër mediumet tjera…
medvegja.net: Keni qenë edhe anëtar i ansambleve të ndryshme, pastaj i shoqërive artistike. Çfarë janë përshtypjet tuaja nga kjo eksperiencë?
Qazim Beha: Po, aktiviteti im nëpër shoqëri të ndryshme muzikore fillon qysh si nxënës i shkollës së mesme në Gjilan, në SHKA “Zenel Hajdini”,pastaj në SHKA “Kosova” në Prishtinë, në SHKA “RILINDJA” në Prishtine”, aty ku edhe e kam kaluar thuaja pjesën më të madhe të karrierës sime, sepse unë edhe isha i punësuar në “Rilindje”, dhe kështu në vitet 1980-1990 isha me ansamblin e Qamilit të Vogël. Nga e tërë kjo rrugë e imja kam kujtime të llojllojshme, por kënaqësinë time shpirtërore dhe muzikore e kam ndie në këtë ansambël, ku nga këngëtari i madh i këngës shqipe Qamili i Vogël mësova shumëçka sa i përket këngës së mirëfilltë…
medvegja.net: Jeni shkëputur për një kohë nga kënga, mirëpo kohëve të fundit e kemi vërejtur një rikthim tuajin të fuqishëm. Kemi pas rast të ju shohim nëpër televizione të ndryshme, kryesisht në Republikën e Kosovës. Do të thotë kjo se Qazim Beha po i kthehet këngës burimore shqiptare?
Qazim Beha: Një fjalë popullore thotë: “Çka piqet, nuk hiqet”. Është e vërtetë se e kisha një shkëputje ashtu siç e cekët edhe ju, por pasi këngën e kam në gjak sërish do të kthehem me një përkushtim edhe më të madh ,këtë falë SHKA “Shqiponjat e Medvegjës” që më rikthyen në skenë përsëri…
medvegja.net: Pas këtij “rikthimi”, si po ju pret tani publiku?
Qazim Beha: O o o, mirë mirë! Disa po me thonë Qazë, nuk paske harrue me këndue, e disa që s’e kanë ditur që këndoj, brezi i ri, po thonë mirë mirë, për fillim ke me mbërri shumë, ha,ha ha….
medvegja.net: Zotëri Beha, në këtë bashkëbisedim, kisha pas dëshirë t’i kthehemi pak zhvillimit të këngës popullore në trevat e Medvegjës. Kur e kemi parasysh se ju jeni nga Svirca, a mund të na thoni diç për kultivimin e këngës burimore në këto treva shqiptare?
Qazim Beha: Po sa i përket kultivimit të këngës burimore në trevat e Jabllanicës, aq sa unë di, kjo nuk është bërë nëpërmjet SHKA-ve të ndryshme, sepse kanë munguar, por kënga është ruajtur dhe është përcjellë kryesisht nga një gjenerate te tjetra.
medvegja.net: Realisht, a ka pasur Medvegja kulturë në kultivimit e këngës burimore, qoftë ajo folklorike apo popullore? Kur kemi parasysh se nga këto treva kanë dalë edhe këngëtarë të mëdhenj, siç është rasti i këngëtarit më të madh shqiptar të të gjitha kohërave, Qamili i Vogël, edhe pse në popull njihet si gjakovar, ai është nga një fshat i Medvegjës?
Qazim Beha: Siç e ceka edhe më lart, në komunën tonë, pra deri tash nuk ka funksionuar asnjë SHKA, përveç se nëpër shkolla disa grupe të vogla muzikore, kështu që edhe për faktin se nga kjo trevë ka emra të njohur të këngëtarëve, gjithë aktivitetin e tyre e kanë zhvilluar jashtë Medvegjës. Kështu po ndodh edhe sot kur janë formuar dy apo më shumë SHKA, aktivitetin e tyre e zhvillojnë jashtë, por edhe në këtë mënyrë duhet bërë përpjekje për ta ruajtur këngën dhe për ta kultivuar edhe në të ardhmen, sepse ka çka të ruhet nga kjo trevë. Ajo është shumë e pasur me lojëra të ndryshme popullore, këngë origjinale, veshje tradicionale shumë e pasur, me një kolorit që rrallë e hasim ndër trevat shqiptare, e sidomos veshja e femrave të Jabllanicës. Por, një gjë është shumë interesante, përderisa nga kjo trevë, siç thamë, kanë dalë emra të njohur të këngës shqipe, nuk kemi asnjë femër shqiptare nga kjo trevë që ka bërë karrierë prej këngëtareje. Përse është kështu?, edhe unë e kisha shtruar këtë pyetje.
medvegja.net: Të kthehemi edhe njëherë te këngët tua. A ju kujtohet kënga e pare e incizuar në radio?
Qazim Beha: Po, më kujtohet, edhe atë shumë mirë bile. Ishte viti 1974, si maturant i shkollës së mesme e pata krijuar dhe incizuar në Radio Prishtinë këngën e Zenel Hajdinit, “N’Jabllanicë, n’fshatin Tupallë, lindi nji yll, lindi nji djalë…”, e kështu me radhë dhe pikërisht kjo këngë më pati bërë shumë të famshëm në at kohë, ngase kishte shumë kërkesa muzikore për të, pastaj vijnë këngët “Qysh na dul ky bedat”, “Dola n`bahçe me xhezdis”, “Hajde dalim moj malësore”, “Shkon e vjen kah dera ime”, e të tjera, që në atë kohë ishin secila hit në vete…
medvegja.net: Ç’mund të presim tani, ndonjë projekt, ndonjë këngë nga Qazim Beha?
Qazim Beha: Jam në përgatitje e sipër të një albumi me këngë dhe valle, 80% në të cilat dominojnë këngë nga Medvegja. Po ashtu edhe ndonjë incizim në tv, e kështu me radhë…
medvegja.net: Cila është porosia juaj për lexuesit e medvegja.net, veçanërisht për të rinjtë?
Qazim Beha: Ta lexojnë sa më tepër portalin medvegja.net, në mënyrë që të njoftohen me të rejat nga treva e Jabllanicës, dhe ata që kanë talent për këngën le ta kultivojnë sa më tepër, ngase kënga na ka mbajtur gjithmonë gjallë!
medvegja.net: Z. Beha, ishte kënaqësi të bashkëbisedojmë me ju. Shpresojmë që kjo intervistë të jetë vetëm fillimi i bashkëpunimit tonë?
Qazim Beha: Edhe për mua ishte një nder i veçantë për këtë bashkëbisedim, dashtë Zoti që kjo intervistë të mos jetë e fundit dhe të thellohet bashkëpunimi ynë. Edhe njëherë ju falënderoj, si juve, ashtu edhe lexuesi e këtij portali informativ./Intervistoi: Burim UKA (medvegja.net)/






21 Shkurt 2012 at 7:39 am
Kenga e bukur Shqipe i mbajti gjalle dhe te pagjunjezuar edhe Shqiptaret e Medvegjes. Edhe kenget qe per mrekulli i interpreton ky kengatar, qe nga ajo e para kushtuar Heroit te madhe- Zenel Hajdinit, ato qe i realizoi se bashku me te Madhin- Qamilin e Vogel (qe ka prejardhje nga fshati Maqedonc i Medvegjes) e deri te kjo e fundit (per mua me e bukura)- “Ku mbeti Medvegja” jane hite te medha dhe mbajten Medvegjasit kokelarte dhe te pamposhtur.
Qazim Beha eshte nje nder kengataret (se bashku me Demir Krasniqin, Xenin,…)qe kultivon dhe ruan muziken e mirefillte dhe te bukur Shqipe. Me interpretimet e Tij (dhe te Imer Eminit, Hatem Hajrullahut dhe te tjereve) Medvegjasit e ndjejne edhe me shume ngrohtesine e Vendlindjes dhe Memedheut. Me kenget e Tij,fushat jane me te gjelberta, malet me te larta, kurse, Svirca, Tupalla dhe Medvegja edhe me te dashura.
Kur heren e pare degjova kengen “Ku mbeti Medvegja…”,per Qazim Behen thura keto vargje:
Kenga e Qazim Behes,
Vjen me krahet e endrres,
Mallin shume na zgjone,
Dhe kokelarte na bene.
Oj, Svirce e dashur,
Te paqim gjithemone,
Ti na dhe te madhin,
Qazim Behen-rapsodin tone.
Rrofte per gjithemone kenga e bukur Shqipe dhe artistet tane te mrekullueshme, nder me te miret e te cileve eshte edhe Qazim Beha (me Medvegjasit tjere).
21 Shkurt 2012 at 12:39 pm
e pershendes shum kengetarin e madh te muzikes folklorike zotri Qazim Beha,i uroj rikthim te sukseshem ne boten e muzikes dhe shume popullaritet ngase vetem ne kete menyr do te mundohemi ti ruajm vlerat e muzikes tone te mirfillt popullore,vetem perpara,sukses