Tupallë-Medvegjë 18 tetor 2010(medvegja.net)
Çdo medvegjasi i kujtohet koha e paraluftës, kur kushtet e jetesës në komunën e Medvegjës ishin të mjerueshme, dhe dita- ditës vetëm sa po shkonin drejt përkeqësimit. Këtë e dinë mirë të gjithë medvegjasit, e sidomos ata që e përjetonin më së shumti këtë mjerim të përditshëm, përkatësisht qytetarët shqiptarë të fshatrave të Medvegjës. Ndjenja e izolimit ekstrem sikur i bënte edhe më shumë njerëzit e asaj ane që të mendojnë edhe për migrimin drejt qyteteve të cilat ofronin kushte më të mira të jetesës.
Më kujtohet biseda ime me një profesor universiteti nga Prishtina, i cili me të kuptuar se vij nga Medvegja, gjegjësisht Tupalla, filloi të fliste për eksperiencën e tij gjatë një vizite të tij në Tupallë. E para gjë që i erdhi ndërmend, ishte rruga e tmerrshme e Tupallës. Kjo për shkak se ajo ishte kohë dimri, dhe rruga e Tupallës ishte praktikisht e pakalueshme për vetura. Dhe, sot e kësaj dite më kujtohet mirë përshtypja e keqe e profesorit të nderuar, për Medvegjën në përgjithësi, përshtypje kjo e krijuar nga përvoja e hidhur në një rrugë të mjerueshme të një fshati të largët.
Përvojat e tilla të bashkëkombësve në vendlindjen tonë, Medvegjën, na bëjnë të mendojmë për përvojat e përditshme të banorëve vendas. Mund të imagjinohet se çfarë vështirësish mund të përjetoheshin, në pamundësi të udhëtimit normal prej fshatrave të Medvegjës drejt qendrave urbane, apo edhe drejt fshatrave tjera.
Koha kaloi shpejt, Medvegja u zbraz shpejt nga shqiptarët. Fshatra të tëra mbetën me pak banorë. Do të duhej bërë një analizë shumë e gjerë për t’i përmbledhur faktorët të cilët ndikuan që të ndodhë kjo lëvizje e popullsisë shqiptare nga Medvegja. Por, gjithkush mund të konkludojë se kushtet e jetesës ishin kontribuues në tërë këtë shpërngulje. Kurse një nga kushtet më të mjerueshme të jetesës në Medvegjë, ishin rrugët katastrofale. Dhe, askush nuk bëri asgjë atëbotë. U desh që të kalojnë vite të tëra, në mënyrë që të fillohej ndërtimi i rrugëve të fshatrave shqiptare në Medvegjë. U desh që në këto fshatra të mbesin vetëm disa familje të pakta, e pastaj të fillohet me përmirësimin e infrastrukturës rrugore.
Sidoqoftë, në vitin 2001-2002 u bë asfaltimi i rrugës Medvegjë – Tupallë. Kjo ngjarje i gëzoi të gjithë shqiptarët e asaj ane. Pas dëshpërimit të thellë me lënien e tokave në mëshirë të askujt, po vinte një shenjë, një grimcë shprese për t’u rimëkëmbur ky fshat. Më në fund, unë kisha argumente për t’iu kundërpërgjigjur përvojës së moçme të profesorit …
Shpresa që të gjithë e kishim, për krijimin e kushteve të mira të jetesës në Medvegjë, si dhe për kthimin eventual të jetës në këtë vend, dita ditës po vjen duke u zbehur. Rrugët e asfaltuara të Medvegjës, po rikthehen përsëri në gjendjen e mjerueshme. Asfalti i dobët i këtyre rrugëve, tashmë është prishur në masë të madhe. Siç shihet edhe në fotografitë e kohës së fundit, rruga e Tupallës po rikthehet në gjendjen e mjerueshme në të cilën ka qenë kohë më parë, përpara se të asfaltohej. Rrëshqitjet e dheut dhe peshat e mëdha të Kamionëve të cilët vjedhin drutë e maleve shqiptare në Medvegjë, ka bërë që asfalti i rrugës të shkatërrohet.
Në fund, çka mund të bëhet tjetër për këtë problem, përpos të ngrihet zëri e të bëhen publike faktet ?! Çka tjetër mund të bëhet, nëse shqiptarët e Medvegjës mbeten të përçarë në grupime të ndryshme kur bëhet fjalë për problemet e tyre të përditshme ?!
Shkruan: Gëzim Zeqiri / Fotografit:medvegja.net
Autori është Sociolog dhe vijon studimet postdiplomike në Fakultetin Ekonomik







19 Tetor 2010 at 1:31 am
“Une nuk mbillem kudo.Kudo thahem.Mbillem e gjalloj vetem ne Token e Vendit tim- Tupalles” thojne “gurbetqaret” e Tupalles (dhe Medvegjes).Dhe jo vetem kaq:ata bejne gjume ne Kosove, Perendim e gjetiu,por, enderra eshte vetem ne Tupalle.Andaj, i nderuar Gezim Zeqiri (Sociolog i diplomuar dhe se shpejti Magjister)dhe “Staf” i “Medvegja.Net”, nje falenderim i madhe per “Reportazhen” e mrekullueshme.
Edhe pse, sikur shume te tjere nga Diaspora,me mbyte malli per Vendlindjen,nga fotot i “identifikova” pjeset e rruges se demtuar. Fotografia e pare paraqet demtimin e pjeses se rruges “Te Livadhi i Gate”, e dyta te hyrja e “Lagjes se Bicilleve”. E treta, ne anen e djathte te familjeve Uka dhe Zeqiri (“Fezovit”… e keshtu me rradhe.
Edhe pse kjo rruge, shume e rendesishme per fshatrat Shqiptare dhe per tere Komunen, eshte asfaltua “per qendrimin” dhe “kthimin” e Popullates Shqiptare, ne fakt shihet se qeveritaret kete e kane bere vetem per “poena” politike.Ndertimi pa kurfare standardi (pergatitja jo- adekuate per asfaltim, shtresa e holle e asfaltit dhe mos- ndertimi i kanaleve dhe objekteve tjera per “evakuimin” e ujrave nentoksor dhe ujit qe e krijojne te reshurat)me se miri e deshmon kete.
Ashtu sic jane parakushte per qendrimin dhe kthimin e Medvegjasve ne vendin e vet sigurimi i te drejtes per shkollim, per pune,per perdorimin e simboleve kombetare dhe lirive tjera, ndertimi i ifrastruktures rrugore (dhe i infrastrukturave tjera)do te ndihmoje shume jeteses se Shqiptarve ne kete Troje te shejte dhe kthimin e te shpergulurve.Pergjegjesine per kete e bartin edhe subjektet politik te Shqiptareve sidomos i Partise ne “Koalicionin qeveritar” te Medvegjes.
“Medvegja.Net”-it dhe Z-iut Zeqiri (sociologut dhe magjistrit te ardheshem) edhe nje here, nje falenderim i madhe.Kete:”sociologut” dhe “magjistrit” t’ardhshem) e permenda dy here, sepse, me intelektualet qe dha Kombit Tupalla dhe Vendbanimet tjera Shqiptare ne Medvegje, jemi posacrisht krenar.
Sa e bukr je Tupalla ime,
Vendlinja e Zenelit dhe Idrizit,
E profesor Zeqirit dhe Dr Gjines,
Vendi i trimerise dhe urtesise,
Gjithenje ne ball te Arberise.
………………………..
………………………..