Ashtu sikurse ishte paralajmëruar ditë më parë Shoqata Humanitare “Lugina e Preshevës” me seli në Gossau, mbrëmë, e konkretisht sot, zgjodhi unanimisht, në mënyrën më të mirë, demokratike, kryesinë e re, me të vetmin qëllim, apo formulë veprimi: “Ti ndihmojmë familjet e dëshmorëve, jetimët dhe invalidët e luftës, padyshim edhe skamnorë të tjerë”. Edhe pse e shtuna siç dihet nga të gjithë, për bashkatdhetarët tanë, është ditë pushimi, ku shumica e tyre shkojnë diku musafirë apo presin, ata i ishin drejtuar Rebsteinit në restaurant “Lala”, me pronarë shqiptarë, që të mbajnë kuvendin e dytë.
Shumica nga bashkatdhetarët, ishin me emocione, duke menduar, se mos pa dashje, do ketë edhe ndonjë mosmarrëveshje gjatë zgjedhjes së kryesisë, por çka është më e mira, te kjo shoqatë inatet, zilitë, përtacia, nuk kanë vend, sepse të gjithë janë të betuar, se do të punojnë maksimalisht për ti ndihmuar ata që kanë nevojë. Historikun e kësaj shoqata nuk mundet ta përshkruajmë përmes pak fjalëve, por të gjithë bashkatdhetarët dhe më gjerë, janë të njoftuar, se përveç ndihmave që kanë dhënë për në trevat tona, kjo shoqatë, ka ndihmuar edhe në Kosovë. Shpirtëbardhësia e kryesisë dhe anëtarëve të kësaj shoqate e në bashkëpunim me veprimtarë të tjerë dhe me disa nga xhamitë shqiptare që veprojnë në Zvicër, kanë grumbulluar ndihma dhe për dy vite veprimtari, ishin grumbulluar dhe janë ndihmuar skamnorët me mbi 100.000 sfr, pra afërsisht 120.000 sfr.
E kjo shumë tregon dhe na lenë pa koment, sepse duhet të kemi parasysh, se bashkatdhetarët tanë janë të lodhur me ndihma, por duke parë sinqeritetin e kësaj shoqate, ata nuk largohen, apo nuk ja kthejnë shpindën pa ndihmuar me ato mundësi që kanë. Vetëm 30 Franga zvicerane është anëtarësia për një muaj dhe nga kjo anëtarësi janë grumbulluar këto mjete. Kryesia e vjetër, pritshin bashkatdhetarët që të vijnë dhe në ora 20.00 filloi edhe punën kuvendi. Veprimtari, njëherit kryetari i Akademive Përkujtimore të UÇPMB-së dhe arsimtari i shkollës së muzikës “Jehona” në Roshah të Zvicrës, z.Murat Avdiu, e hapi këtë kuvend, duke i pasqyruar edhe punën e deritanishme që ka bërë kjo shoqatë dhe renditjen e programit të sontëm.
Ashtu edhe siç ishte pritur, unanimisht, para të pranishmëve të shumtë që ishin prezent, u tregua me fakte e gjithë puna që ka bërë kjo shoqatë. Fjalën e mori edhe z.Fazli Musliu, që është konsideruar si zemra e kësaj shoqate, lexoi gjithë ata që kanë kontribuar këtë shoqatë dhe arsyetoi shumën e të hollave që janë dhënë në këtë shoqatë, ku vend të merituar zëjnë edhe disa xhami shqiptare që janë në Zvicër, pastaj veprimtarë të tjerë si dhe shoqata humanitare “Medvegja” e cila ka participuar dhe po participon me shoqatën tonë.
Pas disa bashkëbisedimeve në mes kryesisë së vjetër të shoqatës dhe bashkatdhetarëve, filloi edhe numërimi i personave që ishin prezent dhe të cilët kishin të drejtë vote. Nga 37 persona që ishin prezent, votuan 31 dhe fillimisht zgjodhën 11 anëtarë për kuvend dhe nga këta 11, të pranishmit, patën mundësi, të zgjedhin pesë persona, e nga këta persona, të zgjidhet pastaj kryesia. Pa asnjë pengesë, u formua edhe një komision i pavarur, nga disa veprimtarë të mërgatës sonë dhe u numëruan votat ashtu si ishte paraparë dhe nga këta 11 persona, sa ishin në garë, pesë prej tyre, u dalluan me vota, por të gjithë kishin grumbulluar vota dhe ishte një zgjedhje shumë e sinqertë.
Pas numërimit pesë personat që do të jenë në kryesinë e shoqatës janë: Fazli Musli, Ferat Rashiti, Murat Avdiu, Shaip Bajrami dhe Burhan Jahiu. Kur u zgjodhë kryesia e shoqatës, atëherë, nuk ishte e vështirë që të jepen edhe ata që do ta drejtojnë shoqatën me detyra. Njëzëri, pesë anëtarët e kryesisë, zgjodhën Fazli Musliun kryetar, Murat Avdiun nënkryetar, Ferat Rashitin sekretar dhe Shaip Bajramin ish kryetarin tash arkatar dhe anëtarë kryesia Burhan Jahiu.
Pasi u zgjodh kryesia e re, ish kryetari Shaip Bajrami, ia dorëzoi detyrën kryetarit të ri z.Fazli Musliut, duke ia dhënë dorën me zemër dhe duke e përqafuar. Ku z.Shaip Bajrami mbajti edhe një fjalim të shkurtërt, ku tregoi gjithë punën që ka bërë dhe të gjithë ata që e kanë ndihmuar dhe përkrahur. Ndërsa komandanti i parë i UÇPMB-së z.Shefket Hasani përgëzoi i pari kryetarin e sapo zgjedhur dhe premtoi se do të kenë mbështetjen e tij. Ish kryetari Shaip Bajrami, në emër të kryesisë, ndau edhe mirënjohje për të gjithë ata që kanë ndihmuar shoqatën, mediave, si TV Dipaspora, agjencisë së lajmeve kosovaere.ch, presheva.com, medvegja.net, TV Aldi, shoqatës humanitare “Medvegja”, disa xhamive që kanë ndihmuar, komandantin Shefket Hasani, afaristëve Ahmet Asanit dhe Lulzim Zhaku-Aliu, Murat Avdiut, Bejtulla Dalipit etj. Kuvendin e përcollën edhe mediat si TV Diaspora dhe TV Aldi. Reportazhin e këtij kuvendi do të pasqyrojmë edhe në RTK, në emisionin Diaspora.
Shkruan: Dashnim HEBIBI


2 Shkurt 2011 at 7:31 pm
Me kenaqesine me te madhe dhe deshiren vellezerore uroj zgjedhjen e z. Fazliut per kryetar te SHH”Lugina e Presheves” duke i deshiruar shendet te mire dhe shume suksese ne punen e metejme, e cila ishte e dukshme edhe deri me tani. Njeherit uroj tere stafin e tij te zgjedhur per nje pune ekipore dhe vellezerore sic e benin deri me tani. Uroj per nje bashkepunim edhe me dinamik me Sh.H”Medvegja” dhe me vendlindjen e cila ju respekton shume. Urime dhe suksese nga prof. Rexhep Abazi, Medvegje