SHPH “Medvegja” nga Zvicra dhuron 7 000 euro ndihmë në Medvegjë
Diaspora nuk e harron kurrë Medvegjën
Medvegjë 22 prill 2011(medvegja.net)
Diaspora shqiptare ka qenë dhe është një faktor i rëndësishëm i mirëqenies së shqiptarëve në Medvegjë. Ata, të organizuar rreth shoqatës humanitare bamirëse “Medvegja”, me seli në Fully të Zvicrës, po bëjnë çmos për t’i ndihmuar shqiptarët e paktë të mbetur në këto troje të Jabllanicës së Epërme të Medvegjës.
Përveç ndihmave të shumta humanitare, ata po vazhdojnë ta financojnë edhe udhëtimin e nxënësve dhe studentëve në shkollën e mesme, respektivisht në dy fakultetet ekzistuese në Medvegjë.
Kështu, ditë më parë, shoqata “Medvegja” nga Zvicra ndau një shumë prej 7 000 eurosh për mbulimin e shpenzimeve të transportit të nxënësve dhe studentëve për vitin 2011, të cilët studiojnë dhe mësojnë brenda territorit të komunës sonë.
“Ne jemi shumë të kënaqur dhe krenarë që po arrijmë sadopak t’i ndihmojmë vendlindjes sonë. Ky donacion është vazhdimësi e ndihmave disavjeçare, që si shoqatë kemi dhuruar në Medvegjë”, deklaroi për “Zërin e Medvegjës” Zenel Neziri, kryetar i SHHB “Medvegja” në Zvicër.
Ai u bëri thirrje të gjithë bashkatdhetarëve, e në veçanti bashkëvendësve në diasporë, që të bashkohen me shoqatën “Medvegja” dhe të ndihmojnë në kthimin e popullsisë shqiptare në Medvegjë. “Duke i ndihmuar ata që kanë nevojë, ne po kontribuojmë që ta ruajmë vendlindjen tonë”, tha ndër të tjera zotëri Neziri.
__________________________________
Redaksia e revistës “Zëri i Medvegjës” dhe “Medvegja.net” e përshëndetin këtë humanitet, si dhe u bëjnë thirrje të gjithë atyre të cilët kanë mundësi që ta përkrahin çdo nismë për të mirën e Medvegjës.
Rrethanat në të cilat gjendet Medvegja, bëjnë që jeta e shqiptarëve të kësaj ane të jetë mjaft e vështirë. Prandaj, ndihma nga diaspora është e një rëndësie jetike për këta njerëz. Duke i përmirësuar kushtet e jetës në Medvegjë, shqiptarët mund të shpresojnë që këto troje të mos mbeten të shkreta.
Shkëputur nga nr 2 i Revistës ZËRI I MEDVEGJËS
Shkruan : Ilir ARIFI




23 Prill 2011 at 9:51 am
Shpirti human i Diaspores shqiptare nuk ka munguar asnjeher.Diaspora e Medvegjes e lun nje rol shume te rendesishem ne mireqenien e shume njerzve te prekur nga keto ndihma per trasnportin e nxenesve.