RSS

Shqiptarët e Medvegjës,Preshevës dhe Bujanocit bojkotuan regjistrimin

18 Tetor 2011

-Lajmet-

Luginë,18 tetor (medvegja.net)

Shqiptarët e Medvegjës,Preshevës dhe Bujanocit , me një vendim të marrë unanimisht nga Kuvendi i Këshilltarëve shqiptarë të këtij rajoni, bojkotuan këtë regjistrim.

Përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të shqiptarëve të Luginës, kanë dhënë arsyetimet e tyre lidhur me bojkotimin e procesit të regjistrimit të popullatës në Serbi, ngase sipas tyre nuk janë garantuar kushtet për një regjistrim të drejtë, dhe se një iritim për ta, të ketë qenë përpilimi i listave të shkruara vetëm në gjuhën serbe edhe atë me alfabet cirilik.

Ky bojkotim, siç janë shprehur përfaqësuesit shqiptarë të këtij rajoni po ndodh me qëllim që edhe faktori ndërkombëtar të kuptojë për gjendjen në të cilën ndodhen shqiptarët e Luginës e Preshevës, dhe se mospjesëmarrja e tyre në këtë regjistrim, të ketë pasur për qellim që të tërhiqet vëmendja e faktorit ndërkombëtar dhe të kuptojnë ata, për gjendjen që mbizotëron në Luginën e Preshevës. Pra, të sensibilizohet edhe komuniteti ndërkombëtar. “Ne nuk kemi dashur të jemi pjesë e një ndërrimi artificial të strukturës së popullatës në këtë rajon, ngase u pamundësohet një numri të caktuar të shqiptarëve të regjistrohen, sidomos atyre që për momentin janë jashtë vendit dhe një numër i madh i popullatës është zhvendosur, që nga lufta e Kosovës”, kanë shprehur qëndrimin e tyre përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të Luginës.

Në Luginën e Preshevës, sipas të dhënave të komisionit komunal të regjistrimit shqiptarët kanë bojkotuar regjistrimin, jo vetëm banorët, por edhe shumica e regjistruesve, ku nga 71 regjistrues gjithsej, trajnimet i kanë vijuar 23 shqiptarë dhe vetëm 12 prej tyre kanë marrë materialet regjistruese, ndërsa 11 prej tyre iu janë përgjigjur ftesës për bojkot, të cilët edhe pse kanë vijuar trajnimin, nuk janë paraqitur për regjistrim, ndërsa vetëm një është paraqitur në komision komunal për regjistrim.

Në komunën e Preshevës janë regjistruar vetëm tre për qind e popullatës, edhe atë popullsia pakicë serbe e rome. Në Bujanoc janë regjistruar rreth 40 për qind gjithashtu serbët dhe komuniteti rom, ndërsa në Medvegjë gjithashtu ka pasur bojkot total të regjistrimit nga shqiptarët.

Autoritetet serbe në Beograd kanë paralajmëruar se do të shqiptojnë dënime për shqiptarët e Luginës së Preshevës për shkak të mos-regjistrimit. Mirëpo, lidhur me këto zëra kanë reaguar autoritetet e komunave duke theksuar se Beogradi duhet të respektojë vullnetin e atyre që përfaqësojnë interesat e popullit në këto zona dhe që kanë alarmuar për pakënaqësitë lidhur me organizimin e regjistrimit të popullsisë.

Regjistrimi i popullsisë është bojkotuar pjesërisht edhe nga komuniteti boshnjak dhe mysliman në rajonin e Sanxhakut./koha/

Subscribe

Subscribe to our e-mail newsletter to receive updates.

No comments yet.

Leave a Reply