Luginë e Preshevës, 28 nëntor (medvegja.net)
-Për festën kombëtare në Bujanoc e Preshevë, të hënën, u mbajt një protestë mbarëpopullore e shqiptarëve të Luginës kundër diskriminimit të vazhdueshëm të Beogradit zyrtar që po e ushtron, ndaj shqiptarëve të këtij rajoni, në të gjitha lëmenjtë e jetës, veçmas në lëmin e arsimit dhe përdorimin legal të simbolit kombëtar.
Udhëheqësit e pushtetit në Bujanoc dhe në Preshevë, kanë vendosur flamurin kombëtar në godinën e asamblesë komunale dhe se me flamuj kombëtar janë dekoruar të gjtiha rrugët zyrat e dyqanet.
Në protestën mbarëpopullore të shqiptarëve të Luginës, u tha se shqiptarët e këtij rajoni janë duke u përballur me diskriminimin sistematik shtetëror, që me dekada po u imponohet në sferat e rëndësishme jetësore.
“Ky diskriminim reflekton si në realizimin e të drejtave tona individuale, ashtu edhe atyre kolektive, prej të cilave, për sot, jemi grumbulluar të protestojmë për të drejtën e përdorimit të lirë të simbolit tonë kombëtar”, u tha në protestë.
Me këtë rast, protestuesit kërkuan nga autoritetet shtetërore ndërprerjen e praktikës diskriminuese, sipas së cilës shqiptarëve të Luginës së Preshevës i pamundësohet përdorimi i lirë i simbolit kombëtar.
Përfaqësuesi i Kuvendit të Këshilltarëve Shqiptarë, Edmond Isufi – kryetar i OVL-së së UÇPMB-së, kumtoi deklaratën e përbashkët të subjekteve politike, duke u shprehur se edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës pa dëshirën e tyre jetojnë të ndarë me kufij shtetëror, por asnjëherë nuk e kanë ndalë veprimin e tyre në rrugën e realizimit të aspiratave kombëtare për bashkim me Kosovën, e drejtë jona kjo historike dhe politike e shprehur me referendumin e viti 1992, pastaj me luftën çlirimtare të ish-UÇPMB-së, si dhe me Marrëveshjen Paqësore të Konçulit dhe platformave të tjera politike.
“Mospërfillja e kërkesave për realizimin e të drejtave individuale dhe kolektive të shqiptarëve të Luginës së Preshevës; arrestimet në vazhdimësi të shqiptarëve; moslejimi i përdorimit të gjuhës dhe shkrimit shqip dhe të simboleve kombëtare; militarizimi i Luginës me forca të uniformuara paraushtarake dhe ushtarake, janë probleme me të cilat po ballafaqohemi për ditë”, është shprehur Isufi.
Protesta e sotme është e treta me radhë në ciklin e protestave të shqiptarëve kundër diskriminimit të shtetit serb e organizuar Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë të Luginës së Preshevës.
Protesta e sotme ka shtyrë në lëvizje forca të shumta serbe të sigurisë dhe se prania e tyre në masë të madhe vërehej kudo, por kjo nuk ka penguar mbajtjen e protestave, ndërkohë që nuk janë regjistruar incidente/Koha/




30 Nëntor 2011
-Lajmet-