Vizitë mësuesit dhe poetit të vendlindjes, Ramiz Kadriu
VARGJET QË RREZATOJNË DASHURI
22 Shkur(medvegja.net)
-Ndonëse nuk ishte hera e parë që e vizitoj mësuesin dhe poetin e dashur e të çmuar Ramiz Kadriu, kësaj radhe kjo vizitë dallon nga të tjerat. Është kështu për faktin se kësaj here kisha shkuar ta takoja mësuesinRamiz me kërkesë që të na tregonte diçka për jetën e tij, me qëllim që ne ta publikoj këtë në portalin medvegja.net. Me vetë faktin që një njeri i dashur dhe i çmuar, siç është mësuesi, ai e meriton që gjeneratat e reja të dinë diçka më shumë për të.
Mua si nxënës i tij, edhe sot më kujtohet dita e parë e klasës së parë, kur mësuesi Ramiz na mbante në prehrin e tij, prandaj nuk e kisha vështirë t’i tregoja për qëllimin tim pse kisha për ta vizituar dhe për të shkruar diçka, sepse fundja këtë e ndiej edhe si obligim timin moral e njerëzor. Modest si gjithmonë, me një mikpritje të jashtëzakonshme, me insistimin tim të vazhdueshëm, megjithatë filloi të tregojë diçka për veprat që ai i ka shkruar, për punën e tij si mësues, mirëpo ai i kujton me respekt të madh edhe mësuesit pararendës të tij, e në veçanti e kujton mësuesin e parë në gjuhën shqipe në Rajonin e Jabllanicës së Epërme të Medvegjës, Bafti Krasniqi.
I shpalosi veprat e tij, të cilat shumica janë të njohura për ne, mirëpo qëllimi është që edhe gjeneratat e reja të mësojnë diçka më shumë për këtë njeri të madh të pendës. Edhe pse gjendja e tij shëndetësore dhe emocionale na brengos shumë, dëshira për të marrë nga ai sa më shumë të dhëna është e madhe. Për të mos e zgjatur më shumë, në vazhdim do të mundohem sadopak të shkruaj në vija të trasha për Ramiz Kadriun si mësues dhe poet i dalluar. E di që është e pamundur me pak rreshta ta përmbledhësh jetën dhe veprën e tij, prandaj këtë do ta bëj në mënyrë kronologjike dhe telegrafike, të shkurtër dhe të thuktë, mu siç ishte dhe si është edhe vetë ai në jetë.
Biografia :
Emri: Ramiz
Babai: Azem
Mbiemri: Kadriu
Datëlindja: 3 korrik 1952
Vendlindja: Tupallë, Medvegjë
Profesioni: Mësues, poet
Mësimet e para i ndoqi në Tupallë, në Medvegjë dhe Banjë të Siarinës, kurse Normalen dhe Akademinë Pedagogjike i mbaroi në Gjilan. Është autor i trembëdhjetë veprave, me motive të ndryshme.
DETYRA SI MËSIMDHËNËS
- 1974-1986, arsimtar i mësimit klasor në shkollën fillore “Zenel Hajdini” në Tupallë;
- 1989-1995, arsimtar i mësimit klasor në shkollën fillore “Zenel Hajdini” në Tupallë;
- 1995-1999, arsimtar i mësimit klasor në shkollën fillore “Banja e Siarinës” në Banjë të Siarinës.
PËRGJEGJËSITË KOLEKTIVE
- 1986-1989, nënkryetar i Kuvendit Komunal të Medvegjës.
VEPRAT:
1994 - VENDLINDJA NË MUA
1995 - VALLJA E ZEMRËS SIME
1995 - ORA E BJESHKËS
1996 - LULEBORA
1998 - KËNGË DASME NGA JABLLANICA E EPËRME E MEDVEGJËS
2000 - KU NA MBETËN TROJET TONA, I
2000 - KU NA MBETËN TROJET TONA, II
2001 - KËNGË DASME DHE KËNGË DJEPI TË TREVËS SË MEDVEGJËS
2003 - TOKA JONË, ditar
2004 - SHTIGJEVE TË DITURISË
2005 - AROMË DHE FRESKI
2007 - NË RRUGËN E FUNDIT, novelë
“Mësuesi dhe poeti Ramiz Kadriu, me jetën dhe veprën e vet mbetet shembulli më tipik i një njeriu të çiltër dhe punëtor i një province, i cili kontribuoi me tërë mendjen dhe aftësinë e vet që ajo të mbetet e skalitur thellë në mendjen dhe zemrën e njerëzve që për arsye të ndryshme e kanë braktisur atë. Thënë ndryshe, ai mbetet një legjendë e kësaj treve të vogël që ka lindur njerëz të mëdhenj, të cilët nuk do t’i mbulojë dot kurrë pluhuri i harresës”, shkruan Jonuz Fetahu, gjuhëtar, redaktor dhe lektor i disa prej veprave të tij.
Ai njihet si njeri human, i cili vetëm për dhurimin vullnetar të gjakut u dekorua disa herë me shenja të arta dhe argjendta. Aktualisht, edhe pse mësuesi dhe poeti Ramiz Kadriu e ka gjendjen shumë të rëndë shëndetësore, ai vazhdon me publikimin e punimeve të ndryshme nëpër revista, kryesisht për fëmijë, si në “Mollëkuqja”, “Zog mëngjesi”, “Pionieri”, si dhe në revistën “Nacionali” në Tiranë.
Për punën e zellshme në arsim si dhe në fushën e krijimtarisë letrare, ai ka marrë shumë mirënjohje dhe lëvdata. Nga gjeneratat e ndryshme, si dhe nga nxënësit e tij, ai njihet si një njeri bujar, i cili asnjëherë nuk pushoi t’i kontribuojë vendlindjes së tij, Medvegjës./Përgatiti: Burim UKA-medvegja.net/






23 Shkurt 2012 at 8:47 am
Nje mendimtare ka thene:”I Madhi mendon permes gjenive, enderron me poetet, flene me njerezit tjere”. Medvegja e dashur dha gjeni (Idrizin, Zeqirin, Ganiun, Gjinen,…), shume intelektual te mdhenje, dha edhe poetin e spikatur- Ramiz Kadriun. Nderkaq, Shqiptaret e Medvegjes, me zemerbardhesine e tyre, mencurine, trimerine e bujarine- jane gjithenje ne rruge te te Madhit dhe Drejtesise.
Dashurine, ne Bote, e mbajne edhe poetet dhe mesuesit. Ramiz Kadriu eshte pedagog dhe edukator i madh dhe poet i spikatur. Ai shkruan vargje qe rrezatojne dashuri, shkruan per Vendlindjen e braktisur, per bukurine dhe ngrohetesine e saj dhe per padrejtesine ndaj Popullates Shqiptare. Ai thure vargje dhe shkruan per nje shprese qe Tokes se Medvegjes t’i kthehet gjalleria dhe dinjiteti qe e mori nje kohe e veshtire ku dominuan njeres te lige dhe te erret. Ai, me shqisen qe quhet frymezim poetik, terheq verejtjen,keshillon dhe zgjon shpresen per kthimin e dinnjitetit te Medvegjasve.Por, AI, edhe “vendos” si nje pjese e “ligjedhensve te vertete te Botes”- POETVE dhe SHKRIMTAREVE, per nje t’ardhme me te mire te njerezve, ne mesin e tyre, edhe te Medvegjasve te lene vetem nga te gjithe.
“Staff”-it te “Medvegja.Net”-it (dhe Burim Ukes)nje falenderim per informim te mirefillte nga Vendlindja dhe per Venmdlindjen dhe per kultivimin e vazhdueshem te vlerave qe ka Medvegja, sidomos ne njerez.
7 Maj 2012 at 12:00 am
Nese filloj te komentoj per poetin Ramiz Kadriun eshte e tepert,shprehjet nuk kan fund,,,Mbaj si kujtim librin Shtigjet e Diturisè,dhurate nga mesuesi ne kohen kur kam qene studente ne praktik…e cila ndihem krenare se kam pas fat te jem praktikante te nje mesimdhenes i personnifikur ndaj punes me femije,kjo edhe me ka bere te ndihem mire,po edhe te arrije te jem nje mesuese me dinijitet ,fal mesuesit Ramiz ,,,