Ky regjion ka një pozitë të volitshme gjeostrategjike me një fushë pjellore që bën pjesë në luginën Moravo – Vardare nëpër të cilën kalon vija longitudinale komunikative e Siujdhesës Ballkanike (Beograd – Nish – Shkup – Selanik – Istambull).

Andaj edhe Serbia këtë regjion me rëndësi të veçantë jetike e ndërroi me Leposaviqin dhe me Zubinpotokun, të banuara me serbë. Pra këto dy komuna ia dha Kosovës, e prej saj e ndau dhe mori për vete vendin më të vlefshëm.

Territori i këtyre tri komunave në kohën e vjetër gjendej në Dardaninë ilire dhe banorët e tij janë autoktonë. Pavarësisht nga pushtimet e huaja dhe kalimit të hordhive të ndryshme popullata vendëse e kësaj treve, që u bë kështjellë qëndrese shekuj me radhë, gjatë gjithë epokave ab antiquo deri sot e kësaj dite ka qenë dhe është pa ndërprerë prezente.

Fillimisht ajo u detyrua të mbrohej nga sulmet e romakëve. Gjatë okupimit romak treva e këtyre tri komunave tok me Kosovën e disa vise të tjera bënte pjesë në kuadër të provincës së Dardanisë. Pas rrënimit të Perandorisë romake në perëndim, kjo trevë ngeli nën okupimin e shtetit të Bizantit.

Kur filloi dyndja e fiseve barbare nëpër këtë trevë kaluan: kazarët, peçenjegët, kumanët (nga rrjedh emri i Kumanovës), avarët dhe sllavët të cilët erdhën nga diku prapa Karpateve dhe në shekullin VII u vendosën në Gadishullin Ballkanik. Në shekullin X kjo trevë ra nën sundimin bullgar.

Atëbotë mbreti i Bullgarisë Simeoni e pushtoi Rashkën, selinë e Serbisë mesjetare. Në shekullin XIII ky regjion ra nën sundimin e mbretit serb të Rashkës, Millutinit, i cili më 1283 pushtoi Shkupin. Por sundimi i tij në trojet e pushtuara ishte jetëshkurtër, sepse princi bullgar Mihajl Shishmani ia grabiti pjesën mëtë madhe të territorit të pushtuar. Në betejën e Velbuzhdës (sot Qystendill) më 1330 ushtrinë bullgare të Mihajl Shishmanit e mundi Stefan Deçanski bashkë me të birin e tij Stefan Dushanin. Ky i fundit me ndihmën e vllastelës (aristokracicë) vrau të atin. Në kohën e sundimit të Stefan Dushanit, i cili më 1346 u kurorëzua ne Shkup perandor, duke pushtuar tokat: shqiptare, greke e bullgare, u krijua shteti i madh feudal serb. Pas vdekjes së car Dushanit, shtetin ekspansionist serb, feudalët separatistë e shpartalluan.

Në vitin 1371 komandanti i ushtrisë turke, Lala Shahin pasha në betejën te lumi Marica, afër Çernomenit në Bullgari, e mundi ushtrinë e koalicionit ballkanik të komanduar nga vëllezërit Vukashin e Uglesha Mërnjavçeviq. Selia e të parit ishte në Prilep, kurse e të dytit në Ser. Në betejën e Maricës, ku morën pjesë edhe njësitë ushtarake shqiptare, pos vëllezërve të përmendur Mërnjavçeviq, u vra edhe feudali shqiptar, Aleksandri nga Vlora. Pas disfatës së Maricës, disa feudalë serbë : Marko Kraleviqi, i biri i Vukashin Mërnjavçeviqit, të cilit i është kushtua cikli i këngëve popullore si hero i pashoq, Vuk Brankoviqi dhe vëllezërit Dragash e Konstantin Dejanoviq pranuan të bëhenin vazalë të turqve.

Para se të vinin turqit osmanë, treva e tri komunave në fjalë, gjendej nën sundimin e Dejanoviqve.
Presheva për herë të parë përmendet më 1381.

Sipas supozimit, emri i saj i parë ka qenë Presiana. Turqit e quanin Preshova, që në përkthim do të thotë fusha e preshëve. Këtu turqit erdhën në vitin 1455. Prej atëherë deri në vitin 1912 ky regjion ka qenë nën administrimin e sanxhakut të Prishtinës dhe të vilajetit të Kosovës.

Në Kuvendin Kombëtar nga i cili doli Lidhja Shqiptare e Prizrenit më 1878 morën pjesë edhe disa delegatë nga kjo trevë. Me rastin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912 ishin të pranishëm edhe disa luftëtarë të Idriz Seferit nga Presheva, Bujanovci, Kumanova dhe Gjilani. G

jatë Luftës së Parë ballkanike 1912 kjo trevë pësoi keq prej pushtuesve sllavë. Gjatë Luftës së Parë botërore 1914-1918 deri më 1915 ishte nën okupimin gjermano-austro-hungarez, kurse prej vitit 1915 deri në vitin 1918, nën okupimin bullgar. Pas mbarimit të luftës që nga viti 1918 deri në vitin1929 gjendej nën administrimin e Zhupës me seli në Shkup të shtetit të quajtur Mbretëria serbo-kroato-sllovene, që ishte krijesë artificiale e Versajës, kurse nga viti 1929 deri në vitin 1941 nën administrimin e Banovinës së Vardarit me seli në Shkup të shtetit tani të quajtur Mbretëria jugosllave.

Me pushtimin e trojeve shqiptare nga ana e Serbisë duke filluar që nga viti 1918 deri në vitin 1941 procesi i kolonizimit të tokave shqiptare nga serbët dhe malazezët sa vinte më tepër zhvillohej. Kolonët serbo-malazezë, sidomos të ashtuquajturit ,,Sollunashi” për arsye se kishin marrë pjesë në frontin e Selanikut më 1917, vinin varda dhe atyre pushteti u jepte falas tokat shqiptare.

Me ardhjen e tyre ndryshohej struktura etnike në dëm të shqiptarëve vendës. Por, megjithatë, duke marrë parasysh edhe numërin e madh të shqiptarëve të shpërngulur me dhunë në Turqi, prapëseprap ardhacakët serbo-malazezë gjithmonë ngelën minoritet. Këtë popullatë vitale e shpëtoi nga rreziku i shfarosjes totale nataliteti i madh. Çdo humbje kompenzohej me shtimin e fëmijve. Gjatë Luftës së Dytë botërore 1941-1943 regjioni i këtyre tri komunave ra në zonën okupuese bullgare. Pushteti fashist bullgar në bashkëpunim me serbët ushtroi terror mbi popullatën shqiptare. Në ciklin e krimeve çnjerëzore bën pjesë edhe tragjedia e 15 shtatorit 1943 kur bullgarët fashistë dhe serbët çetnikë hodhën bombat në xhaminë e Preshevës. Bilanci i kësaj tragjedie ishte 4 të vrarë, ndërsa 28 të plagosur. Pas tërheqjes së bullgarëve fashistë më 9 shtator 1944, këtu u vendos pushteti shqiptar dhe kjo trevë u bashkua me Kosovën. Por, mjerisht kjo gjendje zgjati fare pak, nga 10 shtatori 1944 deri në 17 nëntor po të atij viti. Me atë datë serbët e kombinuar partizano-çetnikë pushtuan Preshevën, pas pak edhe Bujanocin.

Në emër të çlirimit, vëllazërim-bashkimit dhe barazisë midis kombeve, vetëm në komunën e Preshevës sërbët partizano-çetnikë vranë rreth 600 shqiptarë.
Edhe në Jugosllavinë socialiste të Titos shqiptarët kishin një pozitë skllavëruese. Ata prej pushtuesit keqtrajtoheshin. Torturat, burgosjet,dëbimet me dhunë dhe likuidimet fizike nuk pushuan dot. Pozita e tyre karakterizohej me shtypjen sistematike të ushtruar nga organet e pushtetit neofashist. Shkeljet e vazhdueshme të të drejtave, qytetare, njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve ishin dukuri të rëndomta. Kjo trevë, si dhe viset të tjera nën Jugosllavi: ekonomikisht stagnoi. Çdo zhvillim dhe përparim enkas pengohej. Pas vdekjes së Titos gjendja edhe më shumë u vështërsua.

Papunësia është e theksuar. Në komunën e Preshevës me rreth 45.000 banorë me mbi 90% shqiptarë të punësuar janë rreth 2000 shqiptarë. Vetë fakti dëshmon se dominon politika hegjemone serbe. Format e diskriminimit haptaz duken edhe në arsim. Programet dhe tekstet shkollore janë të imponuara nga Beogradi dhe kanë për synim asgjasimin e vlerave historike kombëtare shqiptare.

Gjimnazi në Preshevë u hap në vitin 1961 si paralele e gjimnazit të Vranjës. Kësaj shkolle të mesme pushtetarët serbë ia ndrruan emërtimin me dhunë nga “Skënderbeu” në “25 Maj”. Shovinistët serbë arsimtarët shqiptarë i quanin nacionalistë, sepse nbronin vlerat kulturore kombëtare.

Ata shkuan edhe më lartë, gjatë viteve 80-ta i mbyllën dy shkolla të mesme me mësim në gjuhën shqipe në Bujanoc e Medvegjë. Nderkaq  nxenesit shqiptar te Medvegjes u detyran qe ti braktisin vatrat e tyre shekullore  qofte per qeshtjet e arsimit apo edhe punsimit,gje  qe i veshtirsonte jeten e qdo banori shqiptar  te kesaj komune..

Në Bujanovc madje e mbyllën edhe shkollën fillore “25 Maj”. Rreth 700 nxënës shqiptarë mbetën në mëshirën e fatit. Pos asaj nga shkollat shqipe në këtë regjion u larguan mbi 100 mësimdhënës shqiptarë. Si mund të justifikohet ajo që arsimtarët serbë të marrin të ardhura personale më shumë se kolegët e tyre shqiptarë? Mbi 2000 libra të autorëve më eminentë shqiptarë i kanë nxjerr nga bibliotekat shkollore.