Medvegja Forum e realizoi projektin e parë në Medvegjë
Kapit/Medvegjë, 1 gusht 2010 (medvegja.net)
Me një donacion të Shoqatës së Pavarur Humanitare “MEDVEGJA” në Zvicër, në xhaminë e fshatit Kapit të komunës së Medvegjës u instaluan pajisjet e zërimit.
Projekti u implementua nga Medvegja Forum, ndërkaq është hera e parë në historinë e kësaj xhamie që thirrjet për namaz nga minarja e saj dëgjohen në shumë fshatra përreth Kapitit, por edhe në një pjesë të Medvegjës. Ezani i parë me pajisje zërimi u thirr nga Arsim Syla, anëtar i stafit të medvegja.net.
| YouTube Video | |
Imami i xhamisë Ajet Ef Latifi shprehet shumë i kënaqur dhe i lumtur që më në fund edhe ai mund t’i kryejë detyrat e veta në kushte më të mira. “Ka qenë ide e kahmotshme, por e cila, më në fund, falë Allahut, por edhe juve, si Medvegja.net dhe Shoqatës “Medvegja” në Zvicër u realizua”, tha, ndër të tjera, imami Latifi.
Edhe kryetari i Bashkësisë Lokale të Kapitit, Kadri Hiseni, i cili njëherësh është edhe këshilltar i Kuvendit Komunal të Medvegjës, shprehu falënderime të përzemërta, në veçanti për Shoqatën “Medvegja” dhe Medvegja Forumin për këtë iniciativë dhe për realizimin e këtij projekti.
“Allahu ju shpërbleftë! E keni bërë një punë të madhe, e këtë vetëm Zoti mund të jua shpërblejë”, tha, ndër të tjera, mësuesi i fshatit Sejdi Kosumi, gjatë vizitës që ia bëri xhamisë, derisa po punohej nga stafi i medvegja.net për vendosjen e këtyre pajisjeve.
Edhe Zenel Neziri shpreh kënaqësinë e veçantë që shoqata të cilën ai e drejton në Zvicër ka arritur ta përkrahë këtë mini-projekt, por i cili e ka një domethënie të madhe. Madje, z. Neziri tregon se qysh para lufte, Shoqata “Medvegja” ka ndarë mjete dhe ka ndihmuar në renovimin e tërësishëm të kësaj xhamie. Mini-projekti kap shumën në vlerë 500 euro.
Vlen të theksohet se Xhamia e Kapitit është ndërtuar në vitin 1935. Ajo u rinovua 2 herë, dhe atë në vitet 1995-1997, si dhe në vitin 2002. Komuna e Medvegjës i ka gjithsej 2 xhami, kjo e Kapitit dhe ajo e Siarinës. Sipas të dhënave, më parë ka ekzistuar një xhami edhe në Medvegjë, por në vendin e saj sot ndodhet ndërtesa e Komunës.
Medvegja Forum







5 Gusht 2010 at 11:11 am
EDHE UN PO JU FALENDEROJ JUVE MEDVEGJA.NET EDHE DAJEN KADRI